Citizens.al

Një paralele me Serbinë – A është më sheshi “mashë presioni” ndaj pushteteve?

Ilustrim grafik/Citizens.al

Prej nëntorit 2024, Serbia ka qenë skenë e protestave masive. Studentë, qytetarë, punëtorë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë mbushur rrugët për të kërkuar llogaridhënie, transparencë dhe drejtësi.

Një katastrofë inxhinierike – shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad që la 15 të vdekur – shërbeu si katalizator revolte, që u shtri në dhjetëra qytete, duke përfshirë Beogradin.

Në Shqipëri, ndërkohë, protestat e ngjashme duket se shuhen pa arritur të kristalizohen në lëvizje të qëndrueshme. Pavarësisht situatave dhe ngjarjeve të ndryshme që kanë ngjallur revolta dekadën e fundit, ka munguar një gur çakmaku i aftë për t’i ndezur apo mbajtur protestat gjallë për shumë kohë.

Disa fajësojnë fuqinë e pushtetit qeveritar, të tjerë amullinë opozitare dhe mungesën e alternativave frymëzuese.

Historia tregon se sistemi politik ndryshoi në Shqipëri pasi qendra e Tiranës u mbush me mijëra qytetarë që më 20 shkurt 1991 rrëzuan statujën e diktatorit Hoxha. Por, sot, rreth 35 vite më vonë, qendra nuk ruan asnjë kujtim nga ajo ngjarje dhe rrallëherë shërben për manifestime politike.

Në pamje të parë duket sikur sheshet nuk janë më hapësira proteste dhe rezistence siç po ndodh në vendet fqinje.

Sheshi si skenografi e kontrolluar

Sheshi Skënderbej i ngjan sot një gunge të madhe me pllaka, ku për shkak të pjerrtësive është e vështirë të organizohen evente, lëre më protesta.

Përgjithësisht eventet zënë anët e sheshit ku skelat apo logjistika nuk rrezikohen të bien, ndërsa edhe për vetë pushtetin organizimet elektorale në qendër kanë rezultuar jo me të njëjtin shkëlqim si dikur.

Arkitekti dhe aktivisti Migen Qiraxhi thotë për Citizens.al se ky lloj transformimi urban nuk është “i pafajshëm”. Për të, qasja e ndjekur me zhvillimin gjatë dhjetëvjeçarit të fundit i ka dhënë hapësirave në përgjithësi, një aspekt më së shumti skenografik se sa jetik për qytetarët.

“Sheshet tashmë janë për t’u fotografuar, jo për t’u jetuar. Përdoren për evente të kontrolluara, jo për debat e pjesëmarrje qytetare,” thotë Qiraxhi, i cili angazhohet si koordinator projektesh pranë organizatës “Qëndresa Qytetare”.

Ai e quan këtë proces “arkitekturë të dekurajimit qytetar”. Sa më i madh dhe më spektakolar të jetë sheshi, aq më e vështirë është ta ndjesh masivitetin e protestës.

“Protesta e studentëve e vitit 2018 dukej masive në rrugën e Kavajës dhe jepte motivim; ndërkaq, po e njëjta, kur u zhvendos në shesh dhe bulevard, demotivonte, pasi raportet e masës me hapësirën përmbyseshin,” kujton Qiraxhi.

“Nga ana tjetër, sheshi Skënderbej nuk është as i ndriçuar që të mundësojë një agora për qytetarët në orët pa rreze dielli,” shton ai.

Sipas Qiraxhit pushteti në Tiranë ka mësuar të marrë edhe formën e qytetarit që proteston. Ai kujton këtu rastet kur për të dekurajuar protestat studentore të dhjetorit 2018, Kryeministri Rama organizonte takime me ta dhe shfaqej me tezën “edhe unë jam student, kur do flasim?!”.

Për Qiraxhin, e njëjta qasje u pa edhe në vitin 2013 në protestën kundër planit për të demontuar në Shqipëri armët kimike të regjimit sirian të Bashar al-Assad.

“Ashtu si Vuçiç në Beograd përpiqet të përvetësojë kërkesat e qytetarëve. Është një taktikë për të neutralizuar përballjen,” analizon ai.

Protestat u zhvendosën në rrjetet sociale

Përballë një qasje të tillë të zhvillimit urban, por edhe social, ku dimamikat ekonomike dhe të jetës kanë shtyrë drejt një individualizmi më të theksuar, revolta popullore është shprehur kryesisht në hapësirat digjitale.

Për Ivan Blažević, menaxher programi në “European Fund for the Balkans”, kjo zhvendosje nga sheshi te rrjetet sociale është pjesë e një transformimi më të gjerë.

“Nuk është dobësim, por transformim i mënyrës sesi shprehet energjia qytetare. Rrjetet sociale kanë hapur hapësira të reja për organizim dhe solidaritet, sidomos për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara,” thotë ai për Citizens.al.

Megjithatë, ai paralajmëron për rrezikun e fragmentimit pasi angazhimi digjital është më i menjëhershëm, por njëkohësisht më i brishtë. 

“Hapësira digjitale zgjeron rrezen e protestës, por humbet përvojën e përbashkët fizike që i jep forcë lëvizjeve,” thekson Blažević.

Sipas tij protestat online nuk munden të përcjellin momentin e përbashkët të kundërshtimit. Prandaj sfida qëndron te lidhja e dy formave të angazhimit në mënyrë që mobilizimi digjital të përkthehet në pjesëmarrje qytetare reale me ndikime politike konkrete.

Por, përtej këtyre aspekteve, Blažević sheh një tjetër dimension shqetësues, normalizimin e autoritarizmit, përmes humbjes së hapësirës publike si simbol politik.

“Kur sheshet bëhen sterile, të kontrolluara apo të komercializuara, qytetarët humbasin prirjet e pjesëmarrjes, të debatit dhe të mbajtjes së pushtetit përgjegjës. Kjo gërryen thelbin e demokracisë,” thotë Blažević.

Nga kolektivi tek individi

Në Shqipëri, mungesa e një ekosistemi të organizimit qytetar, universitetet e dobëta, sindikatat inekzistente, dhe mediat me hapësira të kufizuara, kanë bërë që protesta të shihet më shumë si shpërthimi i një revolte se sa një proces angazhimi qytetar.

“Kur qytetarët e perceptojnë sistemin politik si të korruptuar apo të pandjeshëm, protestat bëhen më shumë shprehje frustrimi sesa mjete strategjike për ndryshim,” komenton Blažević.

Qiraxhi, i cili me “Qëndresën Qytetare” ka organizuar dhe marrë pjesë në disa protesta qytetare, e përkufizon këtë si “revoltë në mungesë të institucioneve”. Ai thotë se në këto kushte, rrjetet sociale janë bërë strehë e vetme e shprehjes publike, por pa mundësi reale për t’u përkthyer në veprime politik.

Ndryshe, në Serbi, protestat e periudhës 2024-2025 kthyen fizikisht qytetarët në rrugë dhe qendrat e qyteteve, një zhvillim simbolik dhe domethënës për kundërvënien dhe rezistencën ndaj autoritetit dhe abuzimeve të pushtetit. 

Në Shqipëri, ndërkohë, qytetarët duket se nuk kanë ndonjë ndryshim nga turistët, të cilët si vizitorë fotografojnë rrugët, sheshet, por nuk i zotërojnë apo përdorin politikisht ato.

Kështu, nëse sheshi është pasqyra e një shoqërie demokratike, atëherë ajo që mungon në Tiranë nuk është vetëm vendi dhe qasja fizike, por edhe vetë marrëdhënia e qytetarit me sistemin, pushtetin dhe me njëri-tjetrin.

“Humbja e sheshit është humbje e kujtesës demokratike. Rikthimi i tij është thelbësor për të mbajtur gjallë vetë jetën demokratike në Ballkan,” thekson Blažević.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW