Citizens.al

Durrës: Banorët përballë dëbimit, pa strehim dhe pa përgjigje

Pamja nga banorët e lagjes 13, gjatë boshatisjes së shtëpive

Vetëm gjashtë banesa kanë mbetur pa boshatisur, ndërsa 26 familje janë zhvendosur tashmë nga Vilat 36 dhe 38, në lagjen 13 të Durrësit. Pjesa tjetër e banesave priten të boshatisen më 13 Nëntor, afati i fundit i lëshuar nga zyra përmbarimore.

Pavarësisht protestave përpara Bashkisë përgjatë javëve, banorët nuk kanë ushtruar rezistencë për lënien e shtëpive, por ende nuk i kanë humbur shpresat se mund ti jepet një zgjidhje institucionale.

“Nuk mund ta besoj gjendjen aktuale, që po ndodh me ne. Po na nxjerrin nga shtëpitë pa asnjë lloj dëmshpërblimi, pas asnjë lloj strehimi”- tha Aledio Hoxha për Citizens.

Banorët, në terr informativ prej vitesh

32 familjet që jetojnë prej viteve 90 në kabinat e plazhit në rrugën “Albanopoli”, janë strehuar fillimisht aty me statusin e të pastrehëve.

Këto familje u vendosën në kabinat e dikurshme të plazhit si një zgjidhje e përkohshme pas përmbysjeve të viteve ’90, kur shumë banesa shtetërore u privatizuan dhe një pjesë e qytetarëve mbetën pa strehë.

Megjithatë, mungesa e investimeve dhe e statusit të qartë ligjor për banesat e tyre i ka lënë ata në pasiguri për mbi tri dekada.

Banorët pretendojnë se në vitin 2009 pati një mundësi për ta për privatizimin e banesave,  por ata nuk kanë qenë kurrë në dijeni.

Bashkia Durrës i tha Citizens se me shkresën nr. 5185, datë 19.11.2009, i ka kërkuar Këshillit Bashkiak të shpallë të pavlefshëm vendimin për privatizimin, sepse ai është në kundërshtim me ligjet që janë në fuqi.

Citizens i ka kërkuar Bashkisë Durrës vendimin ku revokohet vendimi i Këshillit Bashkiak, por ende nuk ka marrë një përgjigje.

Më pas trualli ku ndodhen këto kabina hyri në procesin e kthim kompensimit të pronave dhe që prej 2013 pronësia e tyre i kaloi pronarëve të truallit.

Banorët pretendojnë se e kanë marr vesh vite më vonë se Bashkia ka kaluar godinën “me banorë brenda”, pronarëve aktualë.

“Nuk jemi lajmëruar kur bashkia i ka dorëzuar objektet, sepse ka një akt-dorëzimi sikur objekti është bosh, ndërkohë që ne kemi qenë aty. Bashkia duhet të ndjehet borxhlie me ne dhe nga 2013 duhet të ofronte një alternativë strehimi,”- është shprehur më herët për Citizens avokatja Merita Dakovelli.

Zgjidhje nga institucionet

Banorët shprehen se nuk mund të gjykojnë dot vendimin e kalimin të pronësisë së godinave te pronarët aktualë, por kërkojnë një formë mbështetje nga institucionet.

Bashkia Durrës i tha Citizens, se familjet nëpërmjet portalit e – albania, mund të aplikojnë duke ngarkuar dokumentacionin e kërkuar për të përfituar nga programet e strehimit social. Por pjesa më e madhe e banorëve, të cilët i përkasin shtresave vulnerabël dhe janë në moshë të thyer shprehen se nuk dinë ku të drejtohen.

Ndërsa të tjerë thonë se vetë krye bashkiakja Emiriana Sako i ka thënë në një mbledhje me dyer të mbyllur se në qytet ka rreth tre mijë të pastrehë dhe duhet të regjistroheni kur t’ju vijë radha për shqyrtim të rastit.

Situata ka sjellë që shumë të rinj dhe familje të shprehen se lënia në mes të katër rrugëve, i ka çuar të mendojnë largimin nga vendi.

“Më vjen keq shumë për vendin tim që më duhet të largohem kësaj radhë përfundimisht. Ndoshta vi ndonjëherë për ta vizituar dhe kaq…” – përmbyll Aledio Hoxha.

Paralelisht në Durrës po vijojnë edhe protestat e projektit “TID Durrës“, të cilët kundërshtojnë projektin e AADF në bashkëpunim me Bashkinë Durrës për shpronësimin e rreth 170 pronarëve të vilave të vjetra në zonën arkeologjike të qytetit.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW