Citizens.al

Një muaj në grevë; Minatorët e Spaçit vijojnë rezistencën

Foto ilustrim nga minatorët e Spaçit që ndodhen në grevë/ Citizens.al

Minatorët e Spacit vijojnë të jenë në grevë prej më shumë se një muaji.

Të premten, më 7 nëntor, takimi i organizuar nga Minisitria e Ekonomisë dhe Inovacionit mes minatorëve dhe kompanisë dështoi.

“Minatorët pritën në erë dhe në shi mbi 6 orë para hyrjes së kompanisë dhe në fund të zhgënjyer u shpërndanë të vendosur edhe më shumë për rezistencë paqësore duke vazhduar dhe thelluar veprimet e tyre kolektive nëpërmjet Komisionit të Grevës, Këshillit Sindikal të Minatorëve dhe mbështetjes pa kushte të ekspertizës e logjistikës së KSSH-së”, tha në një deklaratë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.

Sipas minatorëve, përfaqësuesit e MInistrisë së Ekonomisë dhe të Inspektoriatiat të Punës që shkuan në Spaç nuk dëgjuan shqetësimet e tyre, por të kompanisë turke.

“Në vend që të ndalonin te ky postoblloku që ishim mbledhur ne, dhe të dëgjonin kërkesat tona ata hynë direkt në zyrat e tyre, na lanë të prisnim jashtë, dolën në orën 13:00”, u shpreh Albert Bushpreni.

Përfaqësuesit e kompanisë “Tete Albania” thanë për Citizens.al se ishin të hapur për t’u ulur në diskutime, por minatorët refuzuan pjesëmarrjen pa përfaqësinë e sindikatës.

“Punëtorët kur erdhën ata për takim refuzuan që nuk do vijmë në takim, do vijmë vetëm gjashtë anëtarë nga sindikata dhe dy nga konfederata. Nuk u bë takimi”, u shpreh një përfaqësues i kompanisë, që preferoi të mos identifikohet me emër.

Kompania vijon të mos e njohë sindikatën e minatorëve, ndaj marrja pjesë në takim e gjashtë përfaqësuesve të sindikatës dhe dy nga konfederata për ta është ilegale. Ata kërkuan praninë e 62 minatorëve të larguar pa përfaqësi sindikale.

Minatorët thanë për Citizens.al se përfaqësues të Inspektoriatit të Punës ushtruan presion ndaj tyre, prandaj ata nuk pranuan të ulen në diskutime.

“Na bëri presion, ju jeni pa bukë, ju kanë hequr nga puna, familjet tuaja me çfarë do t’i mbani? Në vend që të dëgjonte hallet tona dhe ti thoshte burrit të huaj që prano punëtorët në punë dhe normalizo gjendjen, ajo na bëri presion dhe ne nuk e pranuam dhe e përcollëm në Tiranë”, u shpreh Bushpreni.

Sipas kompanisë inspektorët dhe drejtorët përveç ftesës zyrtare kanë shkuar dhe te dera e galerisë 20 minuta para dhe kanë kërkuar takim.

“Hajdeni, ju lutem, të flasim. Kemi video, filmime. Por nuk pranuan se ishin dhe përfaqësuesit e konfederatës aty prandaj”, u shpreh përfaqësuesi i kompanisë.

Gjë që u pranua edhe nga minatorët të cilët thanë se nuk do të shkonin pa praninë e përfaqësisë së sindikatës.

“Krejt e kanë me sindikatën se nuk duan ta njohin. Nxori një listë në derë me emrat e punëtorëve, ajo lista sipas burimeve tona kishte mbrapa kushtet e largimit nga puna. D.m.th. të gjesh emrin të firmosësh që të hysh në mbledhje dhe më pas me e përdor atë letrën për largimet, pra ti bënin largimet e ligjshme”, u shpreh Bushpreni duke rrëfyer se nuk pranuan të nënshkruanin asnjë letër.

Përfaqësuesit e kompanisë u shprehën se nënshkrimi i emrave ka qenë për të parë se kush ka hyrë në ambientet e kompanisë, pa asnjë qëllim tjetër.

“Nuk kemi pasur asnjë qëllim tjetër, ka qenë prezent drejtori i përgjithshëm te Ministria e Ekonomisë. Ato kanë qenë që të vinin vetëm punëtorët, për tu kontrolluar kush hyn dhe kush del. Ta verifikojnë, pasi kemi kërkuar që 62 punëtorët të hyjnë, por pa marrë një listë, një firmë mund edhe të hyjnë provokatorë”, u shpreh kompania.

Sipas minatorëve, greva do të vijojë, ndërsa deri më tani numri i të larguarve nga puna ka shkuar në 62 minatorë.

Kompania turke “Tete Albania” e konsideron të paligjshme grevën, ndaj edhe largimet nga puna i ka kryer në kushtet e mos paraqitjes në punë.

Kompania shprehet se pret deri në fundjave që nga 45 minatorët e larguar së fundmi të ketë rikthime, duke garantuar proces të rregullt të rinisjes së punës.

Kronologjia e organizimi të minatorëve të Spaçit

Më 8 dhe 9 tetor rreth 70 minatorë të Spaçit bojkotuan punën dhe u mblodhën në protestë para ambienteve të minierës së bakrit dhe kompanisë “Tete Albania” për kushte më të mira, siguri dhe nënshkrim të kontratës kolektive duke njohur sindikatën e tyre të formuar më 16 gusht 2025.

KSSH-ja iu drejtua kompanisë për të filluar diskutimin e bisedimeve për nënshkrimin e kontratës.

Më 7 tetor, kompania iu drejtua KSSH-së me shkresë duke i thënë se ka mungesë dokumentacioni.

Sipas saj sindikata e re nuk kishte dorëzuar dokumentacion të vlefshëm ligjërisht dhe se KSSH nuk kishte paraqitur listën e anëtarëve apo vendimin e krijimit të saj.

Më 8 tetor, KSSH njoftoi kompanisë “Tete Albania” për nisjen e grevës së përgjithshme pa afat më 13 tetor.

Me një shkresë, kompania iu drejtua KSSH-së më 9 tetor ku i theksoi paligjshmërinë e grevës.

“KSSH-ja nuk ka provuar që anëtarët e konfederatës janë punëmarrës të shoqërisë së tyre, ndaj edhe nuk ka asnjë tagër dhe të drejtë për të zhvilluar bisedime në emrin e tyre”, thuhej në shkresën e kompanisë drejtuar KSSH-së.

Më 10 tetor u mbajt një takim ndërmjetësues mes KSSH-së dhe “Tete Albania” në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Lezhë. Takimi nuk pati asnjë dakordësim.

“Ndërmjetësi konstaton se nuk ekziston aktualisht frymë bashkëpunimi midis palëve; palët nuk janë të gatshme të vijojnë negociata në kuadër të procesit të ndërmjetësimit”, u tha në procesverbalin e mbajtur nga kjo drejtori rajonale.

Më 13 tetor minatorët nisën grevën e përgjithshme dhe tetë ditë më vonë, më 21 tetor, përfaqësuesit zhvillojnë takim ndërmjetësues në Ministrisë e Ekonomisë.

Minatorët kërkuan kthimin në punë të 17 kolegëve të tyre që u pushuan javët e fundit dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, por këto kërkesa si dhe 8 pika të tjera nuk u morën parasysh nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët vijuan ta konsiderojnë grevën të paligjshme dhe sindikatën përfaqësuese “pa mandat ligjor”.

Edhe ky takim ishte pa rezultat.

Më 30 tetor, minatorët e zhvendosën grevën dhe protestën para Kuvendit, ku përsëritën kërkesat me thirrjen që ato të marrin zë edhe në Kuvend.

Lexo gjithashtu:


Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW