A ka një organizatë apo grup në Shqipëri që po “rrëmben fëmijët” për ti ndryshuar gjininë me anë të hormoneve?
Këto kanë qenë disa tituj dhe akuza që kanë qarkulluar në media ditët e fundit. Por le ta çmontojmë dezinformimin dhe të informojmë me fakte, sipas kuadrit ligjor shqiptar!
Në Shqipëri nuk ekziston asnjë ligj, protokoll, program shtetëror ose privat që lejon ndryshimin e gjinisë përmes terapisë hormonale apo ndërhyrjeve mjekësore.
Terapia hormonale për ndryshimin e gjinisë nuk është e rregulluar në sistemin shëndetësor. Kjo do të thotë se zyrtarisht nuk ofrohet si shërbim, as për të rritur, e aq më pak për fëmijë.
Citizens ka trajtuar me anë të artikujve mungesën e terapisë hormonale, si sfidë emocionale dhe financiare për shumë anëtarë të komunitetit LGBT. Këta të fundit për shkak të mungesës së protokollit mjekësor, janë detyruar të largohen jashtë vendit për të kryer terapinë pa rrezikuar shëndetin mendor dhe fizik.
Ky debat nuk është i ri. Çështjet e orientimit seksual, identitetit gjinor dhe mosdiskriminimit janë trajtuar në ligjin shqiptar që prej vitit 2010, me Ligjin Nr. 10221 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
Ky ligj ndalon diskriminimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor dhe u kërkon institucioneve që të mbrojnë barazinë.
Pra këto koncepte nuk janë “risi të frikshme”, por kanë qenë pjesë e ligjit për më shumë se 14 vite.
Shumë njerëz janë shqetësuar, sepse me anë të projektligjit të ri për “Barazinë Gjinore” çështjet LGBT do të mësohen në shkolla.
Por ky nuk është ligj për arsimin dhe nuk ndryshon kurrikulat mësimore. Në tekst nuk ka asnjë nen që kërkon futjen e temave LGBT në shkolla. I vetmi detyrim për institucionet publike është përdorimi i gjuhës gjithëpërfshirëse dhe respektimi i parimit të mosdiskriminimit, një standard që ekziston tashmë edhe në Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Çdo ndryshim në kurrikulat e shkollave rregullohet vetëm nga Ligji nr. 69/2012 “Për Arsimin Parauniversitar”, i cili ia delegon këtë kompetencë Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.
Ndaj, edhe nëse një ditë do të kishte nevojë për të trajtuar konceptet e barazisë gjinore në programe mësimore, kjo nuk mund të ndodhë me një ligj që udhëzon për barazinë gjinore, por vetëm me:
1. Udhezime të posaçme të Ministrisë së Arsimit,
2. Tekste dhe module të miratuara nga ASCAP,
Edukimi gjinor, në kuptimin që përdoret në projektligj, ka të bëjë me parandalimin e stereotipeve dhe garantimin e trajtimit të barabartë mes vajzave dhe djemve, jo me ndryshime gjinie, jo me trajtime hormonale dhe jo me ndërhyrje mjekësore.
Këto pretendime janë pjesë e një narrative të sajuar, që shpesh shfaqet sa herë diskutohet një ligj që prek të drejtat e njeriut.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.