Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) ka publikuar listën e pesë grupeve të kualifikuara për fazën e dytë të konkursit për projekt-propozim dhe investim në lidhje me “Korpusin e Inspektorateve” dhe “Shtëpinë e re të fëmijëve ‘Zyber Hallulli’”, që parashikohet të ndërtohet në rrugën e “Gramoz Pashko”.
Njoftimi u bë dy javë pasi Citizens.al raportoi për planet e ngritjes së një ndërtese shumëkatëshe në truallin aktual të jetimores, në rrugën e Elbasanit, duke nxitur diskutim mbi transparencën dhe fatin e institucioneve publike në zonat më të lakmuara të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të bërë publik më 10 nëntor, KISH ka përzgjedhur pesë propozime nga gjithsej 13 aplikime që u paraqitën me projekt-ide në fazën e parë të procedurës konkurruese.
Të kualifikuarit për fazën e dytë janë:
- MOTUS me bashkëpunëtorë Asab, Son Engineering & Construction, Rojkind Arquitectos S.C dhe Julian Kasharaj
- BE-IS dhe CEBRA Arkitekter A/S, me LOFT Architects dhe Superflex Studio*
- Gruppo Koni SRL, që përfshin Stefano Boeri Architetti, Gross.Max, AEI Progetti dhe artistin Patrick Tuttofuoco, së bashku me kontraktorë lokalë
- PROGEEN me Taller Hector Barroso, Studio B&L, Doriana Bleta, Agim Seranaj dhe Ardian Paci
- DIAGONAL Projektim & Zbatim + ASL shpk me Carrilho da Graca Arquitectos
Aplikimi i “BE-IS” (sipërmarrje e Hamz Islamajt) është kualifikuar me kusht të përkthimit të pasqyrave financiare brenda 20 ditëve.
Sipas KISH, këto 5 aplikime plotësojnë kriteret teknike të fazës së parë dhe do të ftohen të dorëzojnë propozimet e plota pas përfundimit të periudhës së ankimimit, që zyrtarisht përfundon të martën 18 nëntor, shtatë ditë nga marrja e njoftimit.

Nuk ka një ditë të publikuar se kur do të jetë faza e dytë, ajo e shpalljes së fituesve të konkursit, e cila i shpërblen finalistët me nga 40,000 euro.
Në thirrjet e tjera KISH ka vepruar kryesisht me një periudhë prej tre muajsh distancë mes fazave, çka do të thotë se me gjasë fituesi i konkursit për jetimoren “Zyber Hallulli” të shpallet në janar ose shkurt 2026.
Konkursi synon të përcaktojë projektin fitues për ndërtimin e një kompleksi të ri multifunksional prej së paku 17 katesh në vendin ku ndohet aktualisht jetimorja, dhe zhvendosjen e saj bashkë të inspektoratit të punës në një strehë të re te rruga “Gramoz Pashko” te ish-rezidencat e diplomatëve të Gjermanisë Lindore.
Megjithatë, procesi vijon të shoqërohet me debat publik, pasi trualli ndodhet në një nga zonat më të shtrenjta urbane të Tiranës dhe shkrirja e funksioneve sociale me zhvillimet komerciale ka ngritur pikëpyetje mbi prioritetet e qeverisë.
Vlen të theksohet se zona e ish-vilave gjermane te rruga “Gramoz Pashko”, qe ofruar nga KISH si incentivë për të ndërtuar kullë deri në 25 kate për investitorin që do të merrte përsipër ndërtimin e Bibliotekës së re Kombëtare të ish-Garda e Republikës, thirrje e cila dështoi dy herë për të ngjallur interes.
Nga lista paraprake e thirrjes për “Zyber Hallullin”, “Progeen” dhe “Diagonal Projektim & Zbatim” kanë konkurruar dhe fituar thirrje të mëparshme të KISH.

Prej muajit prill, “Diagonal Projektim & Zbatim” (sipërmarrje e Nikolin Jakës), në ortakëri me “Albanian Investment Construction” (sipërmarrje e Alban Pezës) është në negociata me Korporatën për zhvillimin e projektit të rijetëzimit të Stadiumit “Selman Stërmasi”.
Në ofertën e tyre fituese, ata i ofronin Korporatës 46.5% të sipërfaqes prej 103.5 mijë m2 ndërtime të reja në tokë shtetërore. Në fund të muajit tetor, KISH tha për Citizens.al se nuk kishte ende një kontratë të nënshkruar pasi “negociatat vijojnë”.
“Progeen” (sipërmarrje e Genc Kuçukut), është gjithashtu në negociata me KISH, pasi në shtator “Aiba Kompani” (sipërmarrje e Armand Dukës) u tërhoq nga ndërtimi i Kompleksit Qeveritar në Komunën e Parisit, në këmbim të lejes për 3 kullat 25-katëshe “VOID Tower” te ish-Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH).
“Progeen” ofronte 45% të sipërfaqes, kundrejt 46.1% që ofronte “Aiba”. KISH konfirmoi për Citizens.al vijimin e negociatave.
Së bashku me thirrjen për “rijetëzimin” e Pallatit të Sportit Asllan Rusi, – ku projekti i MVRDV-së është marrë përsipër nga Trema Tech (sipërmarrje e Ilir dhe Bledar Trebickës) dhe dy kompani me seli në Holandë, – këto janë tre thirrjet për të cilat KISH është zyrtarisht në negociata për një kontratë sipërmarrjeje në prona publike në Tiranë.
Lexoni gjithashtu:
- Stadiumi “Selman Stërmasi” me dy kulla
- Bjarke Ingels në Petrelë: “Parku i Besimit” mbi zonën antike të Përsqopit
- Thirrjet “pa garë” dhe “pa llogari” të Korporatës së Investimeve

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.