Citizens.al

“U zgjuam ilegalë”, konfiskimi i monopatinave pa procedura të qarta

Ilustrim grafik/Citizens.al

Aksioni i policisë për bllokimin e patinave elektrike (monopatina) ka ndezur një debat të gjerë mbi lirinë e lëvizjes dhe standardet e sigurisë në rrugët urbane. Prej 13 tetorit, qindra qytetarë janë ndaluar dhe mjetet e tyre janë konfiskuar, pa një afat të qartë se kur do të miratohet rregullorja e re dhe kur do të rikthehet përdorimi i tyre në rrugë.

“Ilegalë nga hiçi”

Besian Kozma, regjisor në Radio-Televizionin Shqiptar, prej vitit 2023 e përdorte patinën elektrike çdo ditë për të vajtur në punë. Për zonën ku banon, në kodrat e Liqenit të Thatë, monopatina ishte mjet praktik, më e lehtë se biçikleta për maloret dhe më e shpejtë dhe ekonomike se makina.

Çdo ditë ai përshkonte rreth 5 kilometra vajtje-ardhje pa shpenzime dhe stres trafiku apo parkimi.

“Ka qenë mjeti më i volitshëm që kam pasur ndonjëherë,” kujton ai.

Rutina u prish më 12 tetor, kur në rrjetet sociale pa videon e ministres së Brendshme Albana Koçiu, që paralajmëronte aksionin e bllokimeve. Megjithatë Besiani vazhdoi ta përdorte monopatinën edhe dy javë të tjera, derisa më 20 tetor, kur doli nga puna, u ndalua nga një patrullë në rreth-rrotullimin e rrugës “Papa Gjon Pali II”.

“Ndalova normalisht, sepse nuk kam asgjë kundër policisë, e cila bën detyrën,” tregon Besiani, i cili e përshkruan momentin e ndalimit të paqartë nga ana administrative.

“Kërkova arsyen e bllokimit dhe më cituan një urdhër verbal,” kujton ai. Monopatina iu mor pa i dhënë asnjë dokument apo procesverbal. Ai thotë se me këmbënguljen e tij, oficeri e vendosi mjetin në sediljen e makinës së patrullës dhe, aq.

Tre ditë më vonë, në Komisariatin e Policisë Rrugore, iu kërkua të dorëzonte kërkesë me shkrim për të marrë informacion.

Dy javë pas kërkesës, Besiani u thirr në komisariat.

“Mendova se do të ma kthenin monopatinën, por nuk qëlloi të ishte kështu,” kujton ai, teksa shton se në komisariat mori një shkresë dyfaqëshe ku thuhej se mjeti elektrik i ishte bllokuar për 30 ditë për: shkelje të rregullave të qarkullimit, pamundësi për të vërtetuar pronësinë dhe “refuzim për t’iu ndaluar policisë”.

“Të tria arsyet nuk qëndronin,” thekson ai. Për këtë Besiani dorëzoi ankesë dhe prej fundit të tetorit është ende në pritje të një përgjigje. Patinën e pati blerë rreth 550 euro dhe thekson se zotëron faturën, e cila ia vërteton pronësinë.

Ilustrim grafik/Citizens.al

Kontradikta mes praktikës së policisë dhe bazës ligjore

Aksioni i policisë nisi pa një bazë të qartë dhe pa sqarimet e nevojshme publike, duke lënë qindra qytetarë, përfshirë Besianin, në një situatë të cunguar.

Deri më 11 nëntor policia bllokoi 1,426 patina, ndërsa komunikimet zyrtare mbetën të pjesshme, shpesh të paqarta dhe pa shpjegime të plota mbi arsyet dhe zgjatjen e operacionit.

Veprimet e policisë u bazuan në një vendim të ministres Albana Koçiu, i cili u botua në Fletoren Zyrtare katër ditë pasi aksioni kishte nisur. Ministria e konfirmoi këtë në një komunikim për Citizens.al.

Përfaqësues të Policisë së Shtetit thanë për Citizens.al se aksioni mbështetej edhe në një urdhër të brendshëm të datës 9 tetor. Por, ky zinxhir vendimesh krijoi një precedent të rrezikshëm ku veprimi administrativ mori fuqi përpara detyrimit për t’u botuar në Fletore Zyrtare.

Pra urdhrat nisën të zbatoheshin pa u njoftuar ligjërisht publiku. Mjaftoi një dalje në Facebook. Kjo paqartësi operacionale duket se mbështetet nga një boshllëk edhe më i madh ligjor.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DSHTRR) konfirmoi për Citizens.al se “patinat elektrike lejohen të qarkullojnë në rrugë”, sepse neni 344 i VKM-së nr.153 i trajton ato “në analogji me biçikletat” në zbatim të Nenit 180 të Kodit Rrugor.

Në mungesë të një neni të posaçëm, rregullat e biçikletave funksionojnë si normë e huazuar për patinat: ato mund të lëvizin në rrugë dhe duhet të përdorin korsitë e biçikletave, kur ekzistojnë, duke respektuar të njëjtat rregulla të drejtimit, ndriçimit, sinjalizimit etj.

Ndryshimi i vitit 2021 e formalizoi termin “patina elektrike” në Kod Rrugor duke i lejuar për qarkullim. Por nuk u shoqërua me kuadër të plotë rregullator.

Kodi Rrugor nuk përmban nen të posaçëm për to, ndërsa bashkitë dhe policia nuk kanë akte nënligjore që të përcaktojnë qartë shpejtësinë, zonat e lejuara apo kufizimet teknike.

Në këtë amulli, qytetarët gjenden të penalizuar për përdorimin e një mjeti që ligji e lejon, por rregullat e zbatimit të tij mungojnë. Pikërisht këtu lind paradoksi: e drejta ekziston, por zbatimi i saj varet nga interpretimi i autoriteteve, duke e kthyer sigurinë rrugore në një proces të paqëndrueshëm dhe arbitrar.

“Aksion i tepruar dhe arbitrar”

Autoritetet e nisën aksionin pas një numri incidentesh. Ndërkohë, në dy raportime të mëparshme të Citizens.al u vu re konfuzion prej qytetarëve, protesta spontane dhe mungesë transparence.

Për të kuptuar ndikimin real tek përdoruesit, Citizens.al zhvilloi një pyetësor në të cilin u përgjigjën 40 qytetarë që ishin përballur direkt me operacionin policor, një prej të cilëve edhe Besian Kozma.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve thanë se e përdornin monopatinën për lëvizje të përditshme, kryesisht për në punë (90%), ndërsa 10% për shërbime “delivery”. Ky profil i përdorimit sugjeron se monopatinat nuk janë thjesht mjete rekreative, por alternativë e lëvizjes urbane, veçanërisht për ata që nuk përballojnë dot kosto të larta transporti.

Ilustrim gjatë aksionit policor të datës 13 tetor/Citizens.al

Anketa vë në dukje mungesën e transparencës në zbatimin e aksionit policor pasi shumica (59%) e përdoruesve thanë se nuk morën asnjë dokument zyrtar në momentin e bllokimit.

Shumica u ndaluan në mëngjes, rrugës për punë (65%), duke e kthyer ndërhyrjen në një goditje direkte mbi lëvizshmërinë e qytetarëve, pjesa dërrmuese (90%) e të cilëve e konsideruan aksionin “të tepruar dhe të padrejtë”, si dhe bllokimin 30-ditor “arbitrar”.

Asnjë përdorues nuk e ka vlerësuar për Citizens.al aksionin si “të drejtë dhe të nevojshëm”. Kjo tregon një hendek të qartë midis perceptimit qytetar dhe justifikimit institucional për sigurinë rrugore.

“Për mua kanë vepruar shumë gabim, sepse na kanë dëmtuar në përditshmërinë tonë, mund t’i hartonin rregullat edhe pa bërë një aksion të tillë,” thotë Besiani.

Pothuajse të gjithë (93%) thanë se e kishin përjetuar këtë periudhë pa monopatinë si të kushtueshme në kohë dhe para. Qytetarët janë orientuar drejt transportit urban (43%) ose ecjes (45%), ndërsa 12% drejt taksive. Ky ndryshim ka krijuar ngarkesë financiare dhe kohore për përdoruesit aktivë të këtyre mjeteve.

“Për momentin lëviz ose me biçikletë ose me urban, por kjo periudhë ka treguar se çfarë efekti ka dhënë në lëvizje sepse të gjithë ne që kishim patina dhe na u bllokuan, ose po përdorim makinë ose urbanin duke ndikuar në trafik,” komenton Besiani.

“Problemi nuk janë mjetet, por mungesa e rregullave”

Shumica (62%) e të anketuarve besojnë se monopatinat janë problem vetëm kur përdoren pa rregulla. Vetëm 20% i konsiderojnë ato rrezik serioz. Në të njëjtën linjë, shumica mbështesin përdorimin në korsitë e biçikletave, por pranojnë se për këtë përdorim duhet të ketë kufizime.

“Të dalin ekspertë dhe ta vlerësojnë këtë gjë, normalisht të ketë rregulla dhe të ndëshkohet cilido që nuk i zbaton, jo të penalizohen të gjithë,” vijon Besiani.

Rekomandimet e të anketuarve nga Citizens.al synojnë balancimin mes sigurisë rrugore dhe të drejtës për lëvizje. Ata shprehen me dakordësi se patinat elektrike duhet të kenë kufizim moshe dhe shpejtësie, t’u kërkohet regjistrim, identifikim dhe siguracion mjeti, sidomos në rastet e përdorimit tregtar, dhe ndëshkim me gjoba dhe konfiskime në rastet e shkeljeve të përsëritura.

Anketa e Citizens.al tregon se pjesa më e madhe e përdoruesve të monopatinave nuk i kundërshtojnë rregullat, përkundrazi, i kërkojnë. Por bllokimi 30-ditor, pa paralajmërim dhe pa procedura të rregullta, është perceptuar si masë ndëshkuese dhe e padrejtë.

Kështu, debati për monopatinat nxjerr në pah një realitet të thellë: qytetet e mëdha si Tirana, kërkojnë politika të qarta dhe afatgjata të lëvizshmërisë dhe jo përndjekje me operacione të papritura policore.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW