A është figura e instalacionit, që u vendos mbi mozaikun e Muzeut Kombëtar një transgjinor? Absolutisht, jo! Ky ishte një dizinformim dashakeq.
Nëse ende nuk e keni të qartë se përse kjo vepër artistike mbi portretin e gruas ishte pa flokë, Citizens ju shpjegon se bëhet fjalë për një akt sensibilizues në mbështetje të grave që luftojnë me kancerin.
Vepra quhet “Dielli i ditës tjetër” dhe është realizuar nga artistja Blerta Kambo, e cila e vendosi zyrtarisht atë mbi portretin e gruas qendrore të mozaikut më 12 nëntor.
Por, fatkeqësisht, vepra u keqinterpretua në opinionin publik duke u lidhur me një lloj përfaqësimi të komunitetit LGBT dhe për këtë Kambo u vu në qendër të komenteve denigruese. Por e vërteta është ndryshe.
“Është një instalacion artistik që ka një ndërhyrje të përkohshme te mozaiku dhe konkretisht te figura e gruas si një forcë, dhe doja që t’ia dedikoja grave që janë prekur nga kanceri i gjirit, për të thënë që edhe në momentin e tyre më të errët, ato janë shumë të forta,” tha Kambo për Citizens.
Sipas artistes Blerta Kambo dezinformimi që u përhap për veprën e saj ishte i qëllimshëm. Ajo thotë me keqardhje se kjo qasje ia dëmtoi kauzën. Por, sidoqoftë mesazhe solidariteti nga gra të ndryshme, duket se i dhanë mbështetjen e nevojshme për ta përballuar këtë situatë.
Titulli i projektit “Dielli i ditës tjetër” simbolizon shpresën për një të ardhme të afërt për gratë që kalojnë sprovën e vështirë me sëmundjen e rëndë të kancerit. Artistja shpjegoi për Citizens.al se keqkuptimi ka ndodhur për shkak të rrethanave dhe dashakeqësisë së disa individëve të angazhuar publikisht.
“[Ata] Kanë pasur nevojë për një argument për të bërë bujë në rrjet dhe kanë tjetërsuar [veprën], kanë trilluar dhe kanë shpifur një histori krejt të pavërtetë, që në fakt përdhos të gjithë këtë betejë, të grave të prekura nga kanceri në gji,” thekson Blerta.
Instalacioni, i cili ishte parashikuar të realizohej në tetor, që përkon me muajin rozë, vonoi të miratohej nga autoritetet dhe për këtë u shty gjatë këtij muaji.
Theksojmë dhe një herë se ky instalacion nuk e prek kurrsesi veprën origjinale dhe do të zhvendoset nga Muzeu Historik Kombëtarë me datë 21 nëntor.
Çështja po ndiqet ligjërish nga artistja pasi denigrimet dhe shpifjet që janë bërë kundrejt saj dhe veprës nuk dëmtojnë vetëm një artist, por gjithë ata që përpiqen në mënyrë të pavarur të ndërgjegjësojnë shoqërinë në përballimin e sfidave të mëdha.
Ky rast është gjithashtu një kambanë alarmi për sulmet ndaj çdo individi apo grupimi që është angazhuar së fundmi për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vend.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.