Citizens.al

€103 milionë tenderë pa llogaridhënie, Qëndresa Qytetare zbardh shpenzimet e universiteteve

Ilustrim grafik/Citizens.al

Shpenzimet e universiteteve publike rikthehen sërish në qendër të vëmendjes, ndërsa Qëndresa Qytetare ekspozoi sot vlerën dhe numrin e përgjithshëm të kontratave, prokurimeve dhe tenderëve të institucioneve të arsimit të lartë.

Ekspozita e sotme pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës (UT), e paraqiti panoramën institucionale si një “bunker transparence”, ku mungesa e llogaridhënies duket të jetë shndërruar në normë.

Të dhënat e analizuara nga Qëndresa Qytetare për vitin 2025 tregojnë një model keqmenaxhimi financiar.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kanë zbuluar qindra mijëra euro abuzime me prokurimet publike, ndërsa universitetet e rretheve shpenzojnë deri në 77% të buxhetit vetëm për paga e honorare, pa investime, pa laboratorë dhe pa kërkim shkencor.

Sipas drejtuesit të organizatës, Rigels Xhemollari, refuzimi i transparencës është bërë standard. Ai tha gjatë hapjes së aktivitetit se Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë nuk kanë pranuar të japin as kontratat e blerjeve të detergjenteve, duke i konsideruar ato “sekrete tregtare”.

“Më falni, si mund të jetë sekret tregtar detergjenti, montimi i dyerve, apo dhe ceremonia e diplomimit të studentëve. Pavarësisht se këtë çështje e kemi fituar edhe në gjykatë këto universitete vijojnë ta shpërdorojnë mundësi për të bërë transparencë,” tha drejtuesi i Qëndresës Qytetare.

Xhemollari theksoi se kjo prirje vjen teksa këtë vit SPAK ka lëshuar 28 masa sigurie ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor, të përfshirë në nëntë procedura të dyshuara për abuzime me rreth 900,000 euro dhe paralelisht, KLSH ka propozuar gjithashtu 35 masa disiplinore për dy universitete të tjera, si dhe Akademinë e Shkencave.

Këto masa, sipas Qëndresës Qytetare, tregojnë dhe njëherë dinamikën dhe përmasën e korrupsionit në universitete.

“Sot shpresa e vetme është që institucionet e drejtësisë, të thellohen në hetime dhe të vazhdojnë edhe me raste të tjera që të kthehen sytë te universitetet për të parë se si shkojnë këto shpenzime, ku shkojnë, a janë të prekshme apo kemi të bëjmë me tenderë të korruptuar,” tha Kolindo Vjerdha, aktivist i Qëndresës.

Në total, tetë universitetet publike shpenzuan këtë vit 103 milion euro, por vetëm 4.2% shkoi për kërkim shkencor.

Shkodra dhe Korça arrijnë nivelin kritik: 77% e buxhetit u përdor vetëm për paga, duke e reduktuar funksionin akademik në minimum.

Një tjetër kontradiktë lidhet me shpenzimet e sigurisë. UT pagoi 1.65 milion euro për roje, Elbasani rreth 1 milion, ndërsa Politekniku 842 mijë euro. Për kontekst, Universiteti i Durrësit shpenzon katër herë më pak, pa pasur asnjë ndryshim në nivelin e sigurisë në kampuse.

“Universiteti është katandisur në një njësi që bën tenderë dhe paguan rroga, pra një lloj institucioni i vdekur, i cili nuk bën ndonjë dallim të madh, ku ta di unë, nga një bashki, komunale e një qyteti dytësor në Shqipëri,” komentoi Ervin Goci, pedagog.

Sipas Qëndresës Qytetare, hendeku mes shpenzimeve dhe shërbimeve të ofruara për studentët është i dukshëm.

UPT deklaroi 70 mijë euro shpenzime vjetore për bojë printerësh. Kjo u konsiderua si shpenzim abuziv për sa kohë studentët si për shembull ata të Arkitekturës paguajnë nga 100 deri në 200 euro në muaj për printime jashtë institucionit.

Në disa fakultete raportohen blerje kompjuterësh, materialesh laboratorike dhe pajisjesh të cilat, sipas Qëndresës Qytetare, as studentët, as pedagogët nuk i kanë parë ndonjëherë.

Këto modele shpenzimesh sugjerojnë mungesë planifikimi, por edhe dyshime për tenderime klienteliste.

“Ndodhemi të përfshirë në një sistem arsimor, i cili nuk na jep mbrapsht minimalisht dinjitetin e një studenti, për mua problemi qëndron se sa nga këto shpenzime kthehen mbrapsht te studentët?” komentoi Mateo Yskollari, aktivist i Qëndresës.

Pa transparencë dhe pa monitorim të brendshëm, universitetet rrezikojnë të kthehen në struktura që konsumojnë vetëm paga dhe kontrata, pa prodhuar dije, kërkim apo inovacion.

Në këtë pikë, Qëndresa Qytetare kërkoi ribërjen e portalit “U-Transparenca”, rritjen e fondeve për kërkim shkencor dhe forcimin e auditimit të brendshëm.

Xhemollari theksoi se universitetet publike financohen nga taksat e qytetarëve dhe tarifat e studentëve, dhe për rrjedhojë ato nuk mund të funksionojnë me kontrata sekrete, tenderë të dyshimtë dhe vija të prishura llogaridhënieje.

“Çështja nuk është vetëm financiare, por lidhet me cilësinë e dijes, besimin publik dhe të ardhmen e arsimit të lartë në vend,” theksoi Xhemollari.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW