Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka regjistruar ankimimin e 36 studentëve të mjekësisë kundër ligjit që i detyron të punojnë tre vite në Shqipëri, përndryshe duhet të shlyejnë tarifën e plotë të studimeve, që është përllogaritur të jetë rreth 15,000 euro.
Shqyrtimi në Strasburg kthen sërish në qendër të debatit një çështje që ka prodhuar protesta, bojkot dhe shqetësime të vazhdueshme për lirinë e zgjedhjes së profesionistëve të rinj.
Ligji u miratua fillimisht në korrik 2023 me pesë vite punësim të detyruar, por u ndryshua në shtator 2024 duke e ulur periudhën në tre vite. Rregullat e reja hynë në fuqi për vitin akademik 2025-2026 dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën e pajisjes me diplomë dhe licencë të mjekëve të rinj.
Për shqyrtimin e çështjes, GJEDNJ i ka dërguar qeverisë një listë pyetjesh që lidhen me procesin e regjistrimit në Universitetin e Mjekësisë, mënyrën e pagesës së tarifave, kufizimet e lirisë profesionale, të drejtës për një proces gjyqësor të drejtë dhe proporcionalitetin e detyrimit për punësim.
Studentët e mjekësisë përballen me dy alternativa: të nënshkruajnë kontratë me shtetin ose të refuzojnë dhe të paguajnë tarifën e plotë për gjashtë vitet e studimit.
Me një vendim të tetorit 2023, bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë Tiranë vlerësoi se kostoja e një viti akademik për studentët e këtij universiteti ishte 248,975 lekë (rreth 2,500 euro) për një total rreth 15,000 euro.
Ata që pranojnë kontratën e marrin diplomën vetëm pasi të kenë përfunduar tre vitet e detyruara të punës në sistemin shëndetësor shqiptar.

Ligji parashikon që brenda tre muajsh pas licencimit, Ministria e Shëndetësisë të punësojë mjekët sipas notës mesatare duke i përjashtuar nga konkurrimi.
Në mungesë të një vendi në sistemin publik, mjeku i ri mund të punësohet në sektorin privat, me detyrim njoftimin e ministrisë. Nëse nuk punësohen brenda nëntë muajsh, ata përfitojnë një pagesë prej 80% të pagës mesatare për këtë periudhë.
Studentët që janë ankuar çështjen pretendojnë shkelje të së drejtës për arsim, punë të detyruar dhe diskriminim.
Çështja ngre dilema të rëndësishme për mënyrën se si shteti menaxhon mungesën e mjekëve në sistemin shëndetësor, duke e mbështetur zgjidhjen te një model i detyrimit administrativ, në vend të reformave që mund të mbajnë profesionistët në vend në mënyrë vullnetare.
Ndërkohë, vetë pranimi i çështjes në Strasburg hap një proces që mund të kthehet në precedent për të drejtat profesionale të studentëve dhe standardet e shtetit në raport me politikat e punësimit.
Si u miratua ligji për studentët e mjekësisë
- Qershor 2023: Ministrja e Arsimit Evis Kushi prezantoi idenë e tre viteve punë të detyruar. Studentët kundërshtuan me protesta.
- Korrik 2023 – Kryeministri Rama e zgjeroi propozimin në pesë vite detyrim. Protestat vazhduan.
- Korrik 2023 – Shumica socialiste miratoi ligjin. Studentët paralajmëruan bojkot.
- Tetor 2023 – Viti akademik nisi me bojkot. Ligji u dërgua për pezullim në Gjykatën Kushtetuese teksa universiteti pranoi të mos aplikojë kontrata deri sa të kishte një vendim.
- Nëntor 2023 – Gjykata e pezulloi ligjin dhe kërkoi ndryshime.
- Shtator 2024 – Kuvendi uli detyrimin nga pesë në tre vite.
- Qershor 2024 – Studentët iu drejtuan GJEDNJ-së.
- Nëntor 2025 – GJEDNJ regjistroi ankimimin dhe nisi pyetjet për palët.
Lexo gjithashtu:
- “Nuk jemi pakicë”, studentët e mjekësisë protestojnë para Kuvendit
- Studentët e mjekësisë kundër propozimit për të punuar tre vite në Shqipëri pas diplomimit
- Ligji i ri nuk përmbushi kërkesat e studentëve të mjekësisë

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).