Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit sollën çarje të skarpatës dhe rënie të gurëve në kilometrin e 35-të të rrugës Qukës-Qafë Plloçë.
Në rrjete sociale dhe kanale të tjera të informimit u tha se për shkak të rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, kjo rrugë ishte e pakalueshme dhe madje ishte rrezikuar jeta e kalimtarëve. Por ky në fakt ishte një dezinformim për publikun.
Citizens shpjegon se bllokimi i rrugës nuk ka sjellë pasoja në lëvizje, dhe aq më shumë në sigurinë e kalimtarëve, pasi kompania e kontraktuar për punimet kishte hapur një rrugë dytësore paralele “bypass” për t’iu mundësuar kalimtarëve vijimin e rrugës.
Devijimi ishte kryer që rreth një javë më parë, duke i paraprirë situatës së ndodhur ditëve të fundit.
“I gjithë aksi është i hapur, i aksesueshëm pa probleme dhe në monitorim të vazhdueshëm”, u shpreh Autoriteti Rrugor Shqiptar në një komunikim online.
Shembje të një natyre më të vogël janë venë re edhe më herët në këtë rrugë, ndërsa ajo ka rreth dy muaj që është hapur për qarkullim. Segmenti prej 43.4 km u përurua me ceremoni dhe prezencë të përfaqësuesve shtetërorë. Ndërtimi zgjati rreth 16 vite me një kosto totale mbi 235 milionë dollarë.
Terreni në të cilin kalon rruga është i paqëndrueshëm. Kushtet e rënduara atmosferike e bëjnë situatën edhe më të vështirë.

Pavarësisht rastit dizinformues që u shoqërua këto ditë, cilësia e punimeve mbetet në diskutim. Autoritetet duket se nuk kishin finalizuar ende kontratat e mirëmbajtjes, teksa rrëshqitjet e dherave duhet të ishin marrë parasysh që në fazën e projektimit dhe të mbikëqyreshin me kujdes në fazën e punimeve.
Në shtator 2025, ARRSH hapi tender për mirëmbajtjen me fond limit mbi 330 mijë euro me afat për paraqitjen e ofertave fundin e muajit tetor, mirëpo deri më tani ende nuk ka pasur një fitues të shpallur.
Rruga i përket kategorisë C1, me dy karrexhata me 3,75 metra nga secili krah dhe një metër korsi ndihmëse. Ndërsa si vepra arti janë dy tunele, njëri 710 metra dhe tjetri 300 metra dhe 4 ura, dy prej të cilave metalike.
16 vite për 43.4 km rrugë
Odiseja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë nis në vitin 2009, kur ish-kryeministri Sali Berisha premtoi ndërtimin e saj.
“Vota së bashku me ne është votë […] për autostradën e re Qukës-Plloçë-Pogradec,” shprehej Berisha asokohe në takime elektorale.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, Berisha preu shiritin e nisjes së punimeve. Projekti u cilësua më vonë “pa studim dhe me gabime teknike” nga ekspertët e ARRSH-së.
Ai ishte hartuar me buxhetin e shtetit, por pas ndërprerjes së punimeve dhe pamundësisë financiare, në vitin 2013 për të u mor kredi, e cila do të ishte e para e një serie lëvrimesh të tilla.

Huaja, e cila synonte të përfundonte veprën u mor nga Banka Islamike për Zhvillim (BIZH) dhe Fondit Saudit për Zhvillim (FSZH), ndërsa kishte një vlerë totale prej 125 milionë dollarësh.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama, projekti u rishikua, duke shtuar kësisoj kosto të tjera financiare.
“Ky ndryshim, ka qenë i domosdoshëm, sepse po të kishim vazhduar me projektin që trashëguam do të ishim në një situatë edhe më katastrofike se me rrugën Tiranë-Elbasan”, shprehej Rama gjatë një inspektimi të punimeve në vitin 2017.
Puna rinisi zyrtarisht në vitin 2015. Në 2018-ën, ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një tjetër inspektimi premtoi se rruga do të ishte funksionale në vitin 2019. Mirëpo, edhe pas përfundimit të këtij afati rruga nuk u hap.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, në shtator të vitit 2020, ministrja e pezulluar e Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se për të përmbyllur punimet nevojiteshin edhe 105.8 milionë dollarë: 56.8 milionë për dy lotet e para dhe 49 për lotin e tretë.
Kjo nevojë u materializua dy vite më vonë, në 2022-in kur qeveria mori tjetër hua nga FSZH me vlerën 49 milionë dollarë për të përfunduar lotin e tretë të rrugës. Lot ky, i cili nuk ishte parashikuar në projektin fillestar.
Sipas ARRSH-së, kostoja fillestare për lotin e parë dhe të dytë ka qenë 38 dhe 63.1 milionë dollarë. Ndërsa sot, loti i parë ka shkuar 74 milionë dhe loti i dytë 95 milionë.
Sa i takon financuesve, sipas ARRSH-së, nga buxheti i shtetit u financuan vetëm 2.9 kilometra. Ndërsa për pjesën tjetër BIZH (30 km) dhe FSZH (10 km).
Qeverisë socialiste iu desh të niste mandatin e katërt për të përfunduar këtë rrugë me kosto të dyfishuar prej fillimit, duke shkuar në mbi 235 milionë dollarë.
Lexo gjithashtu:
- “Odiseja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë”
- “16 vite për 43 km”, shtyhet sërish afati për rrugën Qukës-Qafë Plloçë
- 16 vite për 43 km; hapet rruga Qukës-Qafë Plloçë

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).