Minatorët e minierës së bakrit në Spaç i dhanë fund sot grevës 40-ditore, por duke paralajmëruar se betejën për të drejtat e tyre do të vijojnë në rrugë ligjore.
Ata e mbyllën grevën me një manifestim në sheshin në hyrje të minierës.
Albert Bushpreni, organizator i saj, tha se vendimi synon t’i hapë rrugë procedurave ligjore. Sipas tij qeveria nuk ndërhyri, pavarësisht se ata kërkuan mbështetje dhe kontroll të kushteve të punës.
“Duam që grevën ta mbyllim këtu për t’i hapur rrugë pretendimeve të qeverisë se në kohë greve nuk mund të bëjmë kontrolle dhe ne do të vazhdojmë rrugën ligjore dhe punën tonë sindikale pa ndërprerje”, tha ai.
Kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), Kolë Nikollaj, e vlerësoi grevën si një akt dinjiteti dhe akuzoi qeverinë për mungesë reagimi. Ai theksoi se kërkesat nuk lidhen vetëm me pagën, por me standardet minimale të punës dhe sigurisë.
Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, kërkoi status të posaçëm për minatorët si punonjësit me riskun më të lartë në Shqipëri.
“Të ketë një status të veçante, të ketë një Kod Pune të veçantë në mënyrën se si duhet të trajtohen dhe paguhen minatorët”, apeloi Mëlyshi.
Pas përfundimit të grevës, minatorët, përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe deputetë lokalë deklaruan nisjen e negociatave me koncesionarin “Tete Albania” për të kthyer në punë minatorët që u pushuan.
Historiku i grevës
Greva nisi më 13 tetor pas një bojkoti dyditor të rreth 70 minatorëve dhe një sërë takimesh të dështuara me kompaninë turke në të cilat kërkoheshin kushte më të mira, njohje e sindikatës së re dhe kontrata kolektive.
Gjatë kohës që ajo vijoi, çështja përshkallëzoi me pushime nga puna. Në diskutimet që u mbajtën në Kuvend së fundmi, u tha se numri i të pushuarve kishte shkuar në 67-të.
KSSH i pati kërkuar kompanisë hapje të negociatave, por ajo refuzoi, duke pretenduar mungesë dokumentacioni nga sindikata e re.
“Tete Albania” e cilësoi grevën të paligjshme dhe deklaroi se KSSH nuk kishte paraqitur provat e anëtarësisë. Takimet ndërmjetësuese në Agjencinë Rajonale të Punësimit dhe ministrinë e Ekonomisë dështuan të prodhonin zgjidhje.
Për rrjedhojë protesta u zhvendos para Kuvendit më 30 tetor, ku grevistët kërkuan ndërhyrje institucionale. Ministrja Delina Ibrahimaj kërkoi argumente ligjore shtesë nga sindikata, ndërsa edhe takimet e mëvonshme me kompaninë nuk sollën zgjidhje.
Takimi i 7 nëntorit në Spaç u anulua, pasi minatorët refuzuan të marrin pjesë pa praninë e përfaqësuesve të KSSH-së.
Kështu, sot, më 27 nëntor, minatorët vendosën mbylljen e grevës, por jo të betejës duke paralajmëruar vijimin e ndjekjes ligjore dhe presionit sindikal, deri në njohjen e të drejtave të tyre.
Çështja e Spaçit mbetet një provë e qartë e boshllëqeve në mbrojtjen e punonjësve në sektorët e rrezikshëm, teksa ish-minatorët protestojnë prej vitesh për miratimin e një statusi që do t’u siguronte atyre përkrahje dhe trajtime më të veçanta.
Lexoni gjithashtu:
- Minatorët e Spaçit në protestë për kushte dhe të drejta në punë
- Greva në Spaç: Kompania e quan të paligjshme, 16 minatorë të pushuar
- Nga Spaçi në Tiranë: Minatorët kërkojnë dinjitet para Kuvendit

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).