Citizens.al

Pse fletëpalosjet për barazinë gjinore nuk duhet të na frikësojnë

Foto - Ilustrim mbi fletëpalosjet e shpërndara në shkollën 9 – vjeçare

A mendoni se çdo burrë dhe grua duhet të gëzojnë të drejta të barabarta? Nëse përgjigjja është “Po!”, atëherë ju jeni për barazi gjinore.

Por pse ky koncept ka krijuar kaq shumë paragjykime dhe shqetësim së fundmi?

Në të vërtetë, diskutimi dhe miratimi i ligjit për barazinë gjinore u shoqërua me dizinformim dhe keqinterpretime të padrejta në Shqipëri.

U spekulua shumë se ky ligj ndryshonte gjininë, apo ligjëronte martesat e të njëjtit seks, nisur nga fakti se ishte një ligj që u përkrah nga komuniteti LGBT. Por Citizens ka shpjeguar disa herë se si qëndron e vërteta.

Së fundmi, disa fletpalosje të shpërndara në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë nga punonjësit e shërbimit psiko-social kanë kthyer sërish të njëjtat spekulime.

Por, le ta analizojmë së bashku se çfarë përmbanin në të vërtetë këto fletëpalosje, të cilat alarmuan prindërit dhe grupet që evokojnë mbrojtjen e familjes tradicionale.

Në fletën e parë lexohet qartë: “Luftoni stereotipet, duke përfshirë edhe tuajin!”

Koncepti se gjinia është konstrukt social nuk është shpikur nga shërbimi psiko-social i shkollave 9-vjeçare në Tiranë. Ky shpjegim njihet nga kuadri rregullator i strukturave ndërkombëtare perëndimore, si Bashkimi Evropian, apo dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Më tej, fletëpalosja shpjegon gjithashtu se “turpi ndaj trupit është sjellje e mësuar”.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se komentet, bullizimi dhe presioni mbi mënyrën se si dukemi ndikojnë në zhvillimin tonë, në mënyrën se si e shohim veten dhe se si i qasemi shoqërisë. Ndaj kjo pikë është më se e nevojshme për t’u diskutuar në mjediset shkollore.

“Të dëgjojmë dhe mësojmë nga fëmijët tanë,” ishte mesazhi në një fletëpalosje tjetër. A nuk ishte filmi “Adolescence” ai që u vlerësua gjerësisht nga kritika pasi tronditi botëkuptimin prindëror në mbarë botën, duke treguar se sa pak i kuptojnë prindërit fëmijët e tyre në ditët e sotme?!

“Përqafoni modele të ndryshme!” është një tjetër mesazh i shpërndarë.

Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë të pranojmë tjetrin pavarësisht ngjyrës, gjinisë apo etnisë. Në një botë që po globalizohet gjithnjë e më shumë, ku jemi ne ata që emigrojmë, por po ashtu presim punonjës dhe turistë nga e gjithë bota, a nuk duhet ta mirëkuptojmë dhe përqafojmë diversitetin?

Prandaj, njohja e fëmijëve me të ndryshmen nga vetja është hapi i parë drejt një bashkëjetese të suksesshme në komunitet.

Një tjetër mesazh i fletëpalosjes është ndarja e punëve të kujdesit. Gratë dhe vajzat, për shkak të marrjes përsipër të shumë detyrave në shtëpi si pastrimi, gatimi etj. humbasin ose përgjysmojnë mundësitë e tyre për edukim, karrierë dhe punësim, krahasuar me djemtë dhe burrat. Barazia gjinore synon pikërisht një ndarje të barabartë të detyrave dhe kontributeve familjare.

Dhe, së fundi, “Të fuqizojmë fëmijët të flasin hapur”. Shpesh gratë dhe vajzat kanë më pak hapësirë në sferën publike për shkak të mbivendosjes së burrave në fusha të rëndësishme të jetës si politika, media etj. Ky pasazh inkurajues u jep mundësi prindërve që të rrisin fëmijë në kushte dhe hapësira më të barabarta, pavarësisht gjinisë, për një shoqëri me shanse të barabarta.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW