Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Libri universitar, ose më saktë tekstet mësimore universitare, në këto 30-40 vitet e fundit janë lënë në heshtje, janë harruar nga institucionet përkatëse, dhe jo pak janë anatemuar dhe përfolur.
Vendi që zënë në panaire ndër vite është thuajse i papërfillshëm, ndërkohë libri universitar është ushqim i rëndësishëm për formimin profesional për breza të tërë studentësh që ndjekin programet e studimit në dhjetëra universitete publike dhe private në vend.
Nga cilësia e shkollimit të tyre varet shumë gjithë fati i zhvillimit dhe e ardhmja e gjithë vendit.
Nevojitet më shumë se kurrë një tekst mësimor i saktë shkencërisht, i përditësuar, i shkruar thjesht dhe qartë, i shqipëruar mirë, i ilustruar, i formatuar dhe shtypur bukur, por edhe me kosto jo shumë të lartë, për të mundësuar blerjen jashtë çdolloj tundimi nga studentët.
Kjo do të ndikonte shumë në cilësinë e dijes në secilin program studimi dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Mbresa nga Panairi i Librit
Më 16 nëntor bëmë një vizitë relativisht të shpejtë në Panairin e Librit bashkë me nipin dhe mbesën. Them të shpejtë, sepse nuk donim të ngarkoheshim shumë me blerjet tunduese, që për të vegjlit janë edhe më të mëdha. Kjo si për çmimet e librave, por edhe për hapësirën fizike që librat zënë në shtëpi.
Për më tepër që në gjithë këto vite nuk frekuentohet më Biblioteka e Shkollës, e Lagjes, apo e Qytetit, për të qarkulluar librin, dhe shpesh librat ngarkojnë gjithnjë e më shumë raftet tona.
Me këtë rast, më vjen shumë mirë që kjo veprimtari tashmë e kthyer në traditë ngjall shumë interes te qytetarët e Tiranës, te rinia, dhe sidomos te të vegjlit.
Për këtë përgëzoj shumë organizatorët dhe u shpreh mirënjohje për gjithë përpjekjet autorëve, përkthyesve, botuesve, redaktuesve, shtypshkronjave etj.
Interesi për librin ngjall gjithmonë shpresë për më shumë progres dhe mirëqenie, për më shumë demokraci në vend.
Po me librin universitar si është qasja?
Në këtë atmosferë të librit po sjell në vëmendje të shoqërisë, institucioneve të arsimit të lartë (IAL-ve), por dhe vendimmarrjes dhe politikës një shqetësim jo fort të vogël, atë të Librit Universitar, i cili vazhdon të jetë në mes të katër udhëve!
Ndërkohë, nuk duhet harruar se arsimi, veçanërisht arsimi i lartë, janë djepi i dijes, faktorë kyç për ekonominë, mirëqenien, dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Pas falimentimit në vitet 1990-të të ShBLU-së (Shtëpisë Botuese të Librit Universitar), botimi dhe ribotimi i librit universitar vazhdon të bëhet në mënyrë të çorganizuar, mbështetur thjesht në nisma vetjake të secilit titullar lënde, shpesh pa rregulla të mirëfillta formatimi, përkthimi, redaktimi shkencor, gjuhësor, pa rregulla në çmim, në magazinim dhe shitje, por dhe pa rregulla në honorar dhe në mbrojtje të të drejtave të secilit autor libri.
Kjo anarki lë shkas edhe për abuzime nga autorët, dhe për përfolje nga studentët dhe nga shoqëria në përgjithësi. Por ajo që është më e keqja, ky është një ushqim i pakontrolluar që u jepet studentëve, jo pa pasoja në themelet e dijes shkencore dhe në formimin që ata marrin në universitet.
TVSH zero për botimin e plotë të librit universitar
Sot kemi mbi 40 universitete aktive në vend, publike dhe private, në të cilat zhvillohen rreth 1,400 programe studimi në të gjitha ciklet.
Në secilin program studimi zhvillohen të paktën 30 lëndë në ciklin e parë e deri në 20 lëndë në ciklin e dytë.
Në secilën lëndë ka nevojë për të paktën një tekst mësimor bazë, mundësisht në gjuhën shqipe, dhe jo rrallë edhe për tekste të tjera ndihmëse, për ushtrimet, seminaret, praktikat laboratorike, praktikat në terren etj.
Nga një përllogaritje tepër e përafërt, numri i titujve të teksteve universitare që nevojiten për një zhvillim normal të procesit mësimor mund të kalojë edhe 50,000 në gjithë sistemin e arsimit të lartë në vend.
Ky numër mund të jetë edhe më i lartë nëse marrim parasysh tekstet e mirëfillta shkencore, monografitë, të cilat mbështesin njëkohësisht edhe mësimdhënien në lëndë të caktuara.
Tirazhi i shtypit për secilin nga këta tituj është tepër i kufizuar, pasi vetë tregu studentor është i tillë; sidomos e theksuar kjo në vitet e fundit që numri i studentëve që frekentojnë shumicën e programeve të studimit ka rënë ndjeshëm.
Për mbulimin e një periudhe 10-vjeçare në degët tona biologjike, tirazhi do të luhatej nga 100 kopje për programet me grupe të vogla studentësh, sidomos ato Master, e deri në 1000 kopje maksimumi.
Kjo e bën shtypin e tyre me njëfarë çmimi më të lartë; për rrjedhojë edhe përditësimi/rishtypja e tyre nga autorët është tepër e ngadaltë, edhe kjo jo pa pasoja në cilësinë e transmetimit të dijes te studenti.
Këtu, këshillë e fortë do të ishte zero tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH 0) për botimin e plotë të librit universitar, përfshirë shtypin dhe shitjen.
Pasi vërtet tekstet në shqip nuk kushtojnë shumë, por TVSH-ja e shtypit prej 20% bën që çmimi në shitje të rritet 20-30% më shumë, pikërisht prej tirazhit të ulët.
Këtu as që bëhet fjalë për honorarin e autorit, i cili ka ardhur duke u bërë në vite gjithnjë e më qesharak, duke bërë që shumë nga titullarët e lëndëve bazë në programe studimi të rëndësishëm të heqin dorë nga shkrimi i librit universitar.

Teksti universitar origjinal në shqip dhe zgjidhjet e tjera
Për botimin e librit universitar pati një nismë nga Qeveria para pak vitesh në vazhdën e Paktit për Universitetin edhe për përkthime titujsh të teksteve kryesore universitare, por pa ndonjë prurje konkrete.
Për librin shkencor, Akademia e Shkencave është i vetmi institucion që boton, me tituj dhe tirazh relativisht të kufizuar, por dhe me kosto relativisht të lartë.
Po ashtu ndonjë universitet dhe autor i veçantë mund të botojnë aty-këtu vepra të caktuara shkencore. Pavarësisht, këto botime mund të japin ndikim të tërthortë dhe në procesin mësimor në universitete.
Shumëkush e zgjidh këtë me leksione të shkruara që i shpërndan elektronikisht te studentët, të cilët ndonjëherë edhe i shtypin.
Në disa raste për lëndë të veçanta mund të këshillohet literaturë në gjuhë të huaj; nuk është aspak keq, sidomos në rastet e diplomave të dyfishta, të cilat po shtohen gjithnjë e më shumë me prirjet e sotme të ndërkombëtarizimit të universiteteve.
Në shumë fusha sot është e mundshme të gjesh burime online. Mendoj që krahas anëve pozitive që mund të ketë një burim elektronik, përsëri nuk zëvendëson Studimin mbi një tekst mësimor të shtypur, në këndin e qetë të studimit.
Kurse zgjidhja me leksione të shkruara nuk do ishte në asnjë rast një zgjidhje e duhur. Edhe gjuha e huaj ende nuk përtypet sa duhet nga një masë jo e vogël studentësh.
Kur është i shkruar mirë sipas gjithë standardeve, në përmbajtje dhe shtyp, teksti universitar origjinal në gjuhën shqipe zhvillon shumë më saktë programin e lëndës, mbart në të gjithë krerët, gjuhën, frymën, dhe këndvështrimin e titullarit të lëndës.
Shpesh brenda tekstit secili autor fut shembuj origjinalë nga vendi; si i tillë, libri që flet shqip e transmeton më mirë dijen se një tekst universitar i huaj sado i mirë qoftë, si i përkthyer apo përshtatur.
Pa folur pastaj për koston e lartë që kanë tekstet e huaja, si kur blihen online, dhe më shumë kur ato përkthehen apo përshtaten në shqip.
Një student i zakonshëm tundohet shumë sot të blejë librin universitar në shqip, dhe me autor vetë përgjegjegjësin e lëndës; edhe pse çmimi mund të shkojë vetëm rreth 10-15 euro, jo më të blejë një libër në gjuhë të huaj që kushton gati 10-15 herë më shumë.
Kujtojmë që studentët janë një shtresë e shoqërisë jo fort e kamur, por dhe tepër e brishtë për qasjen ndaj librit.
Urgjente ringritja e Shtëpisë Botuese të Librit Universitar
Nga sa më sipër, botimi i librit universitar ka nevojë të dalë nga kjo anarki ku është zhytur.
Kjo do kërkonte fillimisht rregulla shumë të forta, në të gjitha hallkat, duke filluar që nga njësitë bazë në çdo IAL, deri në një Shtëpi Botuese të përbashkët të Librit Universitar.
Për këtë, nëpërmjet organizimeve të përbashkëta nevojitet që gjithë IAL-të të mendojnë seriozisht, bashkë dhe me Ministrinë e Arsimit, me Agjencitë për Mbështetjen dhe Akreditimin e IAL-ve (AKKSHI & ASCAL), dhe nga vetë Qeveria dhe politikëbërja.
Shumë institucione kanë aktivë Këshilla Botues të Buletineve Shkencore. Këta mund të zgjeroheshin dhe merrnin përsipër edhe rregullat për Botimin e Librit Universitar brenda njësive kryesore në IAL, nën vlerësimin, recensimin dhe miratimin paraprak të njësive bazë ku zhvillohet secila lëndë mësimore e veçantë.
Për këtë edhe të motivoheshin, pasi shpesh kjo punë nga institucionet bëhet falas!
Botimi i librit universitar nuk mund të jetë kurrë fitimprurës
Krahas rëndësisë së madhe që ka botimi i librit universitar, përsëri ky sektor nuk mund të jetë kurrë fitimprurës, për shkak të tirazhit të ulët të shtypit për një hapësirë relativisht të kufizuar si Shqipëria, ndoshta përfshirë këtu dhe diaspora, me numër gjithnjë e më të pakët studentësh në programe studimi jetike për ekonominë e vendit.
Për këtë ka shumë nevojë për subvencion nga Buxheti i Shetit, nga Donatorë brenda vendit dhe jashtë vendit. Nëse vihet re seriozitet dhe përkushtim në sektorin botues mendoj se edhe donatorët nuk mungojnë.
Një shembull i freskët është shtypi i Praktikumit të Botanikës, falë mbështetjes së Fondacionit Zviceran Die Sylvia und Reinhard Bachofen-Stiftung, ndaj të cilit shprehim mirënjohjen tonë më të thellë.
Në vitet 2005, nëpërmjet projektit të përbashkët TEMPUS (2003-2006), me Universitetet e Jenës (Gjermani) dhe Barit (Itali) ndër të tjera u bë e mundur edhe mbështetja e shtypit për mbi 30 tekstesh të ndryshme me tirazh që të mbulonin mësimdhënien në lëndët biologjike për të paktën 5 vite.
Lexoni gjithashtu:
