Çdo 3 dhjetor ndalemi të reflektojmë për të drejtat dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në shoqëri.
Vendosur me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kjo datë ka si qëllim të promovojë të drejtat, mirëqenien dhe rritjen e ndërgjegjësimit për këtë komunitet.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, në Shqipëri përpos viteve betejat janë të njëjta: aksesueshmëria, shërbimet sociale, shëndetësore dhe ndihmësit personalë. Realiteti mbetet sfidues, aq sa vetë aftësitë e kufizuara.
Asistenti personal, çelësi për jetesë të pavarur, por ende larg
Në një tryezë të organizuar nga Fondacioni “Së Bashku”, organizatat dhe institucionet përgjegjëse ngritën sërish shqetësimin për shërbimin e asistentit personal.
Shteti shqiptar ofron vetëm 16,000 lekë në muaj për këtë pozicion, një shumë që nuk mbulon as nevojat minimale.
Sipas Suela Lalës, drejtuese e fondacionit, shumë persona me aftësi të kufizuar jetojnë vetëm dhe e kanë të pamundur të gjejnë dikë që t’i ndihmojë qoftë për veprimet elementare të përditshmërisë.
‘Ne shohim njerëz në të gjithë Shqipërinë, të cilët pa patur mbështetjen e duhur familjare janë të vetëm dhe me ato lekë zor se mund të punësojnë njeri, për të mbuluar edhe nevojat më minimale, të tipit për t’u ngritur nga shtrati apo për të patur dikë që vjen i ushqen apo lan rrobat”, tha Lala për Citizens.al.
Ndërsa shtoi se ka shumë të tjerë që nuk kanë familje apo të afërt, e kalojnë jetën të vemtuar dhe me ato pak lekë paguajnë një ose dy orë dikë që kalon për t’iu shërbyer.
Lala thekson se mungesa e këtij shërbimi penalizon edhe familjarët: kush kujdeset nuk mund të punojë dhe shpesh përballon barrë të papaguar, pavarësisht se ligji e njeh të drejtën për jetesë të pavarur.
“Jo të gjithë kanë ekonominë dhe jo të gjithë mund të mbajnë familjen me 16 mijë lekë që jep shteti”, thekson Lala.
Pozicioni i asistentit personal synon të lejojë që personat me aftësi të kufizuara të jetojnë të pavarur në shtëpitë e tyre, pa mbështetjen e përhershme të prindërve.
Ligji shqiptar (93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”) parashikon që personat me aftësi të kufizuara të kenë akses në ndihmës personal për të jetuar në mënyrë të pavarur. Por zbatimi ka qenë i pjesshëm.
Pagesat e ndihmësit janë të ulëta krahasuar me nevojat nga 8,000 deri në 13,000 lekë dhe nuk njihen vitet e punës për shumicën e kategorive.
“Nuk kanë as leje vjetore, nuk kanë ditë pushimi. Pra duhet të jenë aty gjithmonë dhe nuk kanë ku të shpenzojnë barrën që ju bie për kujdesin e familjarëve që është barrë e papaguar”, tregoi Lala.
Sipas saj, duke pasur parasysh ndryshimet demografike në shoqërinë shqiptare, shumë prej personave me aftësi të kufizuar do të mbeten vetëm dhe pa përkrahje.
“Çka është shkelje e të drejtave të njeriut dhe bie ndesh me atë qasje të të drejtave që ne kemi marrë përsipër si shtet”, vijoi ajo.
Sipas Suela Lalës asistenti personal ka një rol kyç për për jetesën e pavarur të personave me aftësi të kufizuar, duke iu mundësuar mbështetje për aktivitete të përditshme sikurse veshja, larja, ushqimi, lëvizja jashtë shtëpisë dhe krijimi i familjes.
“Studimet kanë treguar që ofrimi i këtij shërbimi nxit punësimin dhe ul barrën e kostos që ka shteti nëse i mban personat me aftësi të kufizuar të pambështetur dhe të izoluar në shtëpitë e tyre”, përfundoi Suela.
Aksesueshmëria, problem ende i pazgjidhur
Pavarësisht investimeve në infrastrukturë, aksesueshmëria mbetet e mangët në shumicën e qyteteve në Shqipëri.
Trotuaret janë pa sinjalistikë për personat me probleme shikimi, institucionet publike pa rampa funksionale dhe transporti urban shpesh i papërshtatur. Ky realitet kthehet në pengesë për personat me aftësi të kufizuara.
“Aksesueshmëria duhet të ishte kapërcyer. Tirana nuk është Shqipëria. Në qytetet e tjera situata është edhe më skandaloze,” tregon Lala.
Shqipëria ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar dhe ka miratuar ligje që synojnë përfshirjen e sociale dhe aksesueshmërinë e tyre.
Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara” është një ndër ligjet që ka si qëllim të nxisë dhe mbrojë të drejtat e këtij komuniteti duke u mundësuar pjesëmarrje në shoqëri, por edhe duke ngarkuar me përgjegjësi të gjitha institucionet shtetërore të mundësojnë gjithë përfshirjen e tyre duke hequr barrierat infrastrukturore e sociale.
Në vitin 2015, VKM-ja Nr.1074 caktoi masat për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë si dhe ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara duke bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim dhe punësim.
Ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimi dhe zhvillimin e territorit” dhe vendimi Nr.1503, datë 19.11.2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, përcakton krahas të tjerave respektimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar në çdo ndërtim për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët.
Ligji nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, në nenin 7 të tij përcakton eliminimin e diskriminimit nga sektorët publikë dhe privatë për shkak të aftësisë së kufizuar.
Ligji nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, përcakton detyrimin për përkujdesje dhe transport me përparësi.
Megjithatë, zbatimi në praktikë i këtij kuadri ligjor ka mbetur i pjesshëm, duke krijuar hendek mes legjislacionit dhe realitetit të jetuar.
Shumë ndërtesa publike dhe private nuk respektojnë standardet e përcaktuara, duke e lënë komunitetin të izoluar teksa shërbime të ndryshme nuk plotësojnë nevojat e tyre të përditshme.
Lexoni gjithashtu:
- Personat me aftësi të kufizuar në shikim marshojnë për të drejta e dinjitet
- Asistentët personalë: Shpresë për jetë të pavarur për personat me aftësi të kufizuara
- “Ndjesa nuk mjafton”: Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë prioritet nga politika

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).