Citizens.al

OKB dhe ActionAid zbulojnë probleme serioze në kampin e Gjadrit

Pamje nga Kampi në Gjadër, Lezhë

Kampi i emigrantëve në Gjadër po përballet së fundmi me kritika të forta për shkelje të të drejtave të njeriut dhe keqpërdorim fondesh. Dy raporte ndërkombëtare nxjerrin në pah probleme në funksionimin e këtij projekti të diskutueshëm mes Shqipërisë dhe Italisë.

Kampi u krijua në kuadër të marrëveshjes “Rama-Meloni” për menaxhimin e flukseve të refugjatëve në Mesdhe. Struktura operon në territor shqiptar, por me mekanizma juridiksioni italian. Kjo ka lënë vend për një boshllëk kontrolli nga autoritetet shqiptare duke rritur shqetësimet mbi standardet etike dhe ligjore.

OKB: Shqipëria pa hetime të pavarura për rastet e torturës në Gjadër

Komiteti i OKB-së kundër Torturës raportoi më 28 nëntor të 2025 se Shqipëria nuk ofron të dhëna të besueshme për hetimet e keqtrajtimeve dhe torturës në Gjadër.

Komiteti kërkoi akses të plotë për Mekanizmin Kombëtar Parandalues (NPM) dhe ndjekje penale për autorët e mundshëm. Por hasi në mungesë të dhënash hetimore të ndara sipas kategorive mbi hetimet për torturë, keqtrajtim dhe përdorim të paligjshëm të forcës dhe si pasojë mungesën e llogaridhënies për autorët.

Shqipëria aderon në Konventën kundër Torturës dhe për rrjedhojë, sipas Komitetit të OKB-së, shteti shqiptar e ka të detyrueshme që të hetojë dhe raportojë për raste keqtrajtimesh apo torturash pavarësisht paqartësive lidhur me juridiksionin e kampit në Lezhë.

Kështu, komiteti i kërkoi Shqipërisë që mekanizmi NPM i saj të ketë akses të plotë dhe të pakufizuar në kampin e Gjadrit, sipas Protokollit Opsional të Konventës.

Ai theksoi se detyrimet e shtetit palë vazhdojnë të aplikohen pavarësisht menaxhimit ose juridiksionit të qendrave, pasi këto struktura ndodhen në territor sovran shqiptar.

Ndaj Shqipërisë i kërkohet të sigurojë hetime të shpejta, të plota dhe të pavarura për çdo rast torturë apo keqtrajtimi të raportuar, të pezullojë përkohësisht punonjësit e dyshuar gjatë hetimit, të ndjekë penalisht përgjegjësit dhe t’u garantojë viktimave dëmshpërblim të drejtë.

Po ashtu, Komiteti i OKB-së i kërkoi shtetit shqiptar të mbledhë dhe të publikojë të dhëna të sakta dhe të detajuara për këto raste.

ActionAid denoncon parregullsitë financiare në Gjadër

Action Aid, një organizatë ndërkombëtare jo qeveritare për të drejtat e njeriut, denoncoi shpërdorimin e fondeve publike për kampin në Gjadër, në Gjykatën e Llogarive të Italisë.

Sipas të dhënave të projektit Trattenuti të Universitetit të Barit, ka dyshime serioze për parregullsi në tenderin 133 milionë euro për menaxhimin e këtyre strukturave.

Sipas raportit nga Action Aid, që nga miratimi i protokollit Itali-Shqipëri, fondet për projektin janë rritur nga 39.2 milionë euro në 65 milionë; më pas Ministria e Mbrojtjes ka hapur tendera me vlerë 82 milionë euro, ka nënshkruar kontrata për mbi 74 milionë dhe ka disbursuar mbi 61 milionë euro – kryesisht me procedura të dhënies direkte.

Deri në mars 2025 ishte aktivizuar vetëm 39% e kapacitetit zyrtar, ndërkohë që kostot janë shumë më të larta se ato të qendrave të ngjashme në Itali.

“Në Gjadër, mbajtja operative e një krevati për dy muaj kushtoi rreth 1,500 euro, pothuajse sa shpenzimet vjetore për një krevat në CPR-në e Modicas në Itali”’ citohet në raport.

Sipas denoncimeve të kësaj organizate, deri në fund të vitit 2024, kostoja ditore për çdo të ndaluar në Gjader ishte gati trefishi i asaj në CPR-të brenda Italisë, edhe pse 20% e vendeve në Itali mbeteshin të lira.

Shpenzimet shtesë përfshijnë mbi 2.6 milionë euro nga Ministria e Mbrojtjes për anijen Libra, udhëtimet dhe dietat e personelit ushtarak, 630,000 euro nga Ministria e Brendshme për transfertat dhe teknologjitë e kontrollit, si dhe kontrata prej gati 2 milionë eurosh të Ministrisë së Drejtësisë për burgun e Gjaderit, i cili mbetet 30% i papërfunduar dhe asnjëherë i përdorur.

ActionAid përmbyll se këto parregullsi dhe kostot e pajustifikuara kërkojnë hetim të plotë nga Gjykata e Llogarive dhe Autoriteti Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC).

Citizens ka raportuar në vijimësi për kritikat dhe transformimin e funksionit të Kampit në Gjadër.

Lexoni më shumë:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW