Autore: Ola Mitre | Citizens.al
Shqipëria ka miratuar prej vitesh kuadrin ligjor për certifikatën e performancës energjetike të ndërtesave, por ky dokument mbetet thuajse i panjohur për qytetarët dhe tregun imobiliar.
Pavarësisht se certifikimi është detyrim ligjor prej vitit 2016, mungon një regjistër publik që të tregojë cilësinë energjetike të godinave. Asnjë transaksion shitjeje apo qiraje nuk lejohet të kryhet pa certifikatën në fjalë, por në praktikë dokumenti përdoret vetëm për të kaluar procedurat e lejeve të ndërtimit.
Çfarë është certifikata e performancës energjetike?
Certifikata e performancës energjetike vlerëson sa energji konsumon një ndërtesë për ndriçim, ngrohje, ftohje, ventilim, ujë të ngrohtë dhe pajisje elektroshtëpiake.
Ajo lëshohet nga ekspertë të licencuar të energjisë, auditues, në bazë të një metodologjie të miratuar që klasifikon sistemin elektrik të ndërtesave në shkallë nga më efikasi (A+) te më pak efikasi (G).
Certifikata depozitohet më pas Agjencinë e Eficiencës së Energjisë (AEE) jo më vonë se 3 ditë nga lëshimi i saj.
Ky raport certifikues është një tregues cilësor për ndërtesat dhe prej vitit 2016 detyrim për çdo objekt të ri apo ekzistues që i nënshtrohet një rinovimi të thellë.
Megjithatë, të dhënat tregojnë se për godinat ekzistuese, para vitit 2021, nuk është lëshuar asnjë certifikatë.
Sistemi, i nisur prej vitit 2016, duket se funksionon vetëm në fazën e aplikimit për leje ndërtimi, ndërsa më pas dokumenti “arkivohet” në AEE dhe nuk është publikisht i aksesueshëm.
Rëndësia e certifikatës së performancës energjetike
Të dhënat tregojnë se ndërtesat rezidenciale, publike dhe tregtare, janë konsumatori më i madh i energjisë në Shqipëri me 37.08%.
Sipas draft-Planit Kombëtar për Rinovimin e Ndërtesave, në vitin 2023, Shqipëria numëronte 632,936 banesa, 71.2% e të cilave ishin të banuara. Paralelisht janë dhe 9,492 ndërtesa publike dhe 85,098 ndërtesa shërbimesh tregtare.
“Krahas numrit të madh, shumica e stokut janë të vjetëruara, të paizoluara dhe nuk përmbushin as standardet minimale të eficiencës energjetike dhe komoditetit të jetesës në to,” thotë eksperti i mjedisit, Kristi Bashmili.
“Nëse ndërtesat janë të paizoluara, përdorin pajisje joefikase, apo përdorin energji jo të pastër, kjo përkthehet në ndotje më të lartë të ajrit, konsum të tepërt të energjisë, kosto më të mëdha për qytetarët dhe ndikim negativ në shëndetin e popullatës,” shton ai.
Shumë studime tregojnë se një banesë me eficiencë të lartë energjisë, që përfshin ndër të tjera termo-izolimin dhe dritaret me dopioxham, mund të reduktojë 50-70% faturën e energjisë.
Megjithatë, në vendin tonë edhe kur kryhet një rinovim banese, sipas parimeve të eficiencës së energjisë, askush nuk vërteton cilësinë e ndërhyrjes.
“Shpesh dëgjojmë që fasadat e ndërtesave izolohen nga pas, del dikush dhe thotë ‘U kursye 50% energji’. Po a u kursye vërtet 50%?! Askush nuk e di. Këtë gjë e mat vetëm certifikata,” thotë eksperti i eficiencës së energjisë, Gjergji Simaku.
AEE tha për Citizens.al se deri më sot janë certifikuar mbi 150,000 njësi ndërtesash të reja dhe se kjo punë ka nisur të zbatohet “që prej vitit 2021”.
Simaku konfirmoi se sistemi i certifikimit “u ngroh” në momentin kur certifikata u vendos si kusht për marrjen e lejes së ndërtimit.
Çdo ndërtues u detyrua ta paraqiste dokumentin si pjesë të dosjes së lejes, duke prodhuar kështu dhjetëra mijëra certifikata që ekzistojnë për të kaluar filtrat burokratikë.
“Kemi 150 mijë certifikata, sepse çdo leje ndërtimi kërkon një të tillë, por gjendja nuk mbaron këtu. A është certifikata kaq e vlefshme dhe kaq popullore?! Ne përpara se të blejmë një makinë e shikojmë ‘sa harxhon’, por asnjëri nga ne nuk orientohet në një ndërtesë të re përmes certifikatës dhe këtu qëndron problemi,” analizon Simaku.
Edhe më shqetësuese është situata për godinat ekzistuese përpara vitit 2021, pasi aktualisht nuk është lëshuar asnjë certifikatë e tillë.
AEE nuk dha përgjigje se kur pritet të fillojë ky proces, që sipas ekspertëve nuk duhet të jetë thjesht dokument formal, por standard i domosdoshëm për të garantuar cilësi dhe ulje të konsumit të energjisë në sektorin e ndërtesave.
“Ligji i vitit 2016, qe një ogur i mirë dhe shpresuam se situata do të ndryshonte. Në fakt solli disa aspekte pozitive, por vetë institucionet nuk patën vullnet për ta çuar përpara,” thotë Bashmili.
“Tani, jemi përpara një ndryshimi thelbësor të ligjit, pa pasur raport të cilësisë mbi zbatueshmërinë e të parit, çka mund të sjellë pasiguri dhe mosbesim në zbatimin dhe forcën e ligjit,” vijon ai.

Tregu imobiliar
Në tregun imobiliar, certifikata energjetike është një mjet i rëndësishëm transparence. Në Bashkimin Evropian, një apartament me klasë energjetike “A” ose “B” ka vlerë më të lartë, sepse blerësit e dinë që do të kenë kosto të ulët operative. Por, në Shqipëri nuk veprohet kështu.
“Jemi pjesë e rrjetit evropian dhe në Evropë është ‘big deal’, ndërsa në Shqipëri ndërgjegjësimi është shumë i ulët edhe ndërmjet atyre që tregtojnë pasuritë e paluajtshme,” thotë Reinaldo Pipiria, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë.
“Patjetër që shqetësohem që të jetë ndërtim i mirë, cilësor, izolim akustik, termik, kondicionimi. Këto i duam, por gjithmonë në Shqipëri nuk themi dot a e ke të certifikuar? A ma vërteton dot?,” shton ai.
Në fakt, ligji në Shqipëri kërkon që kur ndërtesat ose njësitë e ndërtesave ndërtohen, shiten ose jepen me qira, certifikata duhet t’i dorëzohet çdo blerësi ose qiramarrësi.
“Bëjmë pafund shitje të apartamenteve të reja, por asnjëherë nuk ka qenë si temë ‘Shiko se nuk e ka certifikatën!’. Asnjë diskutim nuk është bërë që a ekziston kjo, është plus, është minus, nuk është diskutuar asnjëherë,” thotë Pipiria.
Ai sjell gjithashtu në vëmendje modelin që ndiqet jashtë vendit, në momentin që dikush dëshiron të blejë banesë.
“Në rastin e Evropës dhe Amerikës, blerësi ka të drejtë të inspektojë pasurinë e paluajtshme me një inspektues profesionist dhe ai nxjerr pikat e forta dhe pikat e dobëta të shtëpisë. Ne nuk kryejmë as inspektimin e pronës, nuk kërkojmë as certifikatë për atë gjë që deklarojmë se i kemi të investuara,” thotë ai.
Përballë kësaj situate, aktualisht, nuk ekziston një databazë publike, që të tregojë klasën energjetike të godinave. Legjislacioni kërkon ngritjen e saj, por të dhënat mund të aksesohen vetëm pas kërkesës në AEE.
“Duhet të ekzistojë një databazë kombëtare, ashtu siç ekziston në Itali apo në vende të tjera dhe duhen marrë shembuj konkretë nga vende të BE-së,” thotë Simaku.
“Të paktën të dimë të kopjojmë dhe të dimë të adoptojmë mënyrën e dhënies së certifikatave. Gjërat nuk duhen bërë vetëm për të folur, por duhen bërë realisht dhe në mënyrë masive në të gjithë vendin,” thekson ai.
Edhe për Bashmilin ka nevojë për ndërmarrjen e masave, për të përfituar nga efektet që sjell eficienca e energjisë në ndërtesa. Sipas tij, rritja e performancës energjetike dhe përdorimi i materialeve e pajisjeve cilësore ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e mjediseve të brendshme të ndërtesave.
“Kështu zvogëlohet ndotja e ajrit të brendshëm, zhurmat dhe përmirësohet cilësinë e jetës. Pra, është jetike si në drejtim të kursimit të energjisë, rritjes së komoditetit por edhe në drejtim të mbrojtjes së burimeve natyrore,” shpjegon ai.
Ndërkohë, Pipiria kërkon ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësimi, por edhe më shumë përgjegjësi nga institucionet.
“Në momentin që ne do të jemi pjesë e BE-së, barra e axhendës apo tranzicionit të gjelbër është shumë e madhe dhe nuk e di sesi do t’i gjejmë ato miliardat. Ndaj, jam ‘pro’ ndërgjegjësimit, certifikimit dhe rritjes së perfomancës, por duhet të jetë e shoqëruar me politikë fiskale incentivuese dhe me mjete financiare të aksesueshme,” përfundon ai.
Lexoni gjithashtu:
