Citizens.al

Shkëndija të trashëgimisë: Kovaçët e fundit të Shqipërisë

Foto nga Xhemali Moku.

Në një kohë kur zanatet e vjetra po zhduken, një ekspozitë e fotografit Xhemali Moku rikthen vëmendjen te kovaçët e fundit të pakicës egjiptiane në Shqipëri.

“Shkëndija të trashëgimisë/Sparks of heritage” dokumenton mjeshtërinë që i ka mbijetuar modernizimit dhe harresës.

Foto nga Xhemali Moku.

Ekspozita, ishte e hapur në qendrën “Tek Bunkeri” deri më 6 dhjetor. Ajo paraqiti portrete të zanatçinjve që formësuan hekurin dhe identitetin e komunitetit egjiptian për breza me radhë.

Profesioni i kovaçit është kaluar brez pas brezi nëpër Shqipëri, veçanërisht në zonat juglindore.

Foto nga Xhemali Moku.

Mjeshtrit e përpunimit të metaleve prodhonin vegla dhe mjete pune, të domosdoshme për ekonomitë lokale të komuniteteve. Ata prodhonin këmborë, sqeparë, sëpata, patkonj, vegla bujqësore, vegla për shtëpi dhe zanate të tjera.

Dikur zhurma e çekanit mbi hekurin e skuqur ishte pjesë e përditshmërisë së shumë fshatrave. Sot, ai tingull është në prag zhdukjeje dhe për shumë të rinj i padëgjuar më parë.

Foto nga Xhemali Moku.

Fotografitë e Mokut ndërthurin stilin dokumentar me ekspozimin e gjatë, duke sjellë atmosferën e punishteve tradicionale.

Ai tregoi për Citizens.al se kishte udhëtuar në gjithë vendin për të takuar mjeshtrit e fundit të metaleve dhe se i kishte bërë përshtypje pasioni dhe dëshira me të cilën ata realizonin punimet e tyre, pavarësisht se raporti punë-fitim ishte i vogël.

Foto nga Xhemali Moku.

“Gjeta kovaçë që ishin dhe brez i tetë me këtë profesion, për shembull Pëllumb Kovaçi, nga Korça, i cili kishte humbur 90% të dëgjimit për shkak të goditjeve të çekanit gjatë viteve,” tregoi Moku.

Ai tregon se shumë prej zanatçinjve përballen me probleme shëndetësore të shkaktuara nga tymi, nxehtësia dhe mungesa e kushteve të sigurisë. Disa kanë mushkëri të dëmtuara nga puna shumëvjeçare pranë oxhakut.

Foto nga Xhemali Moku.

Ekspozita fton publikun, të rinjtë e kësaj pakice të njohin dhe reflektojnë mbi trashëgiminë kulturore dhe vlerën e këtij profesioni.

Moku thekson se rëndësia e fotografive dhe ekspozitës së hapur e kalon qëllimin personal, por tenton të tërheqë vëmendjen institucioneve për arsye se po rrezikohet të humbasë një mjeshtri e veçantë për shkak të mos mbështetjes dhe ky dokumentim i tiji rrezikon të jetë i fundit.

Foto nga Xhemali Moku.

“Ky është dokumentimi i parë fotografik për komunitetin egjiptian si mjeshtër hekuri”, thotë autori.

“Por ekspozita nuk është më e imja, është e brezave të ardhshëm, të cilët do t’i kujtojnë gjyshërit e tyre, si mjeshtër të hekurit,” vijon fotografi.

Xhemali Moku po vijon kërkimet për një publikim që do të mbledhë historitë dhe të dhënat e kësaj tradite por dhe profesioneve të tjera të komunitetit që sfidojnë kohën, teknologjinë dhe konsumerizmin.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW