Rikthimi në detyrë i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u prit me reagime të forta nga Lëvizja Bashkë, e cila e ka konsideruar simbol të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të pushtetit.
“Balluku në burg!” ishte parulla që Lëvizja Bashkë shkroi në muret dhe derën kryesore të ministrisë paraditen e së hënës, teksa bënë thirrje për një protestë të përgjithshme para Kuvendit të enjten.
Sipas Lëvizjes, rikthimi i Ballukut në detyrë përbën fyerje për qytetarët e ndershëm dhe minon besimin publik te drejtësia dhe institucionet shtetërore.
Parullat u fshinë menjëherë nga administrata e ministrisë, pa asnjë reagim zyrtar mbi aktin protestues.
Gjykata Kushtetuese vendosi të premten rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut, të cilën Prokuroria e Posaçme e akuzon për abuzime me tenderët e disa prej veprave më të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Vendimi erdhi pas shqyrtimit të ankimimit të Kryeministrit Edi Rama kundër një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme, e cila e kishte pezulluar nga angazhimi në qeveri.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e cilësoi aksionin e së hënës simbolik dhe shprehje të indinjatës qytetare ndaj sipas tij, një “realiteti institucional të deformuar”.
Ai theksoi se Balluku administron një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Ndërkohë, SPAK ka ngritur akuza për abuzime me tenderë, me një dëm të pretenduar prej 50 milionë eurosh.
Muçi krahasoi rastin me situatën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas tij, kjo krijon standarde të dyfishta në trajtimin e pushtetit.
“Nga njëra anë kemi ministren që mban në dorë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, ndaj së cilës ka akuza të rënda për abuzime në tenderë,” tha Muçi, ndërsa nga ana tjetër “kemi një kryetar bashkie që ndodhet në paraburgim dhe që pretendon që këshilli bashkiak t’i marrë mendimin nga qelia për miratimin e buxhetit të bashkisë”.
Lëvizja ka paralajmëruar një protestë tjetër ditën e enjte, në orën 18:00, para Kuvendit. Kërkesat përfshijnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Më herët, lëvizja protestoi kundër buxhetit të vitit 2026, duke e cilësuar atë të pabarabartë dhe përjashtues për shtresat më të varfra të shoqërisë.
Lexo gjithashtu:
- Lëvizja Bashkë kundër buxhetit 2026: I pabarabartë dhe përjashtues
- Gjykata Kushtetuese rikthen Belinda Ballukun në detyrë

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).