Citizens.al

E drejta për informim mes “gotës” plot dhe realitetit bosh

Info – Grafikë nga Herti Maloku

Në Konferencën e shtatë kombëtare për të Drejtën e Informimit, transparenca e institucioneve shqiptare u prezantua si çështje perceptimi.

Kryeministri Edi Rama e përshkroi debatin si përplasje mes atyre që shohin “gotën plot” dhe atyre që shohin “gotën bosh”. Media dhe shoqëria civile u pozicionuan në këtë të fundit.

Deklaratat optimiste të Kryeministrit u zhvilluan paralelisht me veprime të forta të drejtësisë.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) lëshoi tetë masa sigurie pas dyshimeve për abuzime me tenderët në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Po sot, Kuvendit iu kërkua heqja e imunitetit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Pikërisht çështjet që përfshijnë korrupsion qeveritar kanë qenë ndër më të vështirat për të marrë informacion apo dhe koment nga mediat.

Ankesa të përsëritura për llogaridhënien

Gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile renditën probleme të njëjta. Institucionet vonojnë, japin informacion të pjesshëm ose nuk u përgjigjen kërkesave ndërkohë që ligji i detyron autoritetet publike të japin informacion brenda 10 ditësh zyrtare pune.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit (KDI), Besnik Dervishi, theksoi se ndryshimi i shpeshtë i koordinatorëve për informim krijon paqartësi përgjegjësish. Sipas tij, kjo dobëson mekanizmin e transparencës brenda institucioneve.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni replikoi duke thënë se qeveria po punon për një formë të re të transparencës.

Për këtë ajo prezantoi platformën “Transparent Albania”. Pirdeni u përshkrua si sistem që standardizon vendimet dhe lejon ndjekjen online të kërkesave. Por kjo u prit me skepticizëm nga përfaqësuesit e medias.

Kristina Voko nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) kujtoi se premtime të ngjashme janë bërë thuajse çdo vit. Sipas saj, tryezat përsëriten, por situata mbetet e pandryshuar. Për këtë ajo kërkoi plane konkrete veprimi.

“Cilat janë planet konkrete të veprimit, që të bëjmë realitet premtimet që u dhanë para një viti?” shtroi pyetjen Voko.

Klodiana Kapo nga “Faktoje” tha se redaksia e saj dërgoi 183 kërkesa gjatë vitit 2025. Dyzet e dy përfunduan si ankesa te KDI. Ajo theksoi se vonesat e bëjnë lajmin të pavlefshëm.

“Lajmi është si buka, pas më shumë se pesë ditësh myket dhe nuk konsumohet më” theksoi Kapo, duke kujtuar dhe një herë penalizimin që vjen nga mungesa e marrjes së përgjigjes në kohë.

Eglantina Bardhi nga “Together for Life” konfirmoi të njëjtën përvojë. Ajo tha se mbi gjysma e shkresave të tyre kthehen në ankesa, edhe për informacione bazike dhe jo informacione sensitive.

“Përvoja tregon se mekanizmi nuk funksionon,” theksoi Bardhi.

Përfaqësues diplomatikë në tryezë sollën shembuj evropianë. Ambasadorja zvicerane Ruth Huber theksoi standardizimin, aksesueshmërinë dhe publikimin proaktiv të të dhënave.

Sipas saj, informacioni duhet të publikohet automatikisht duke e bërë të panevojshëm ankimin.

Blerjana Bino nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) vuri në dukje hendekun mes digjitalizimit dhe llogaridhënies si element thelbësor në një sistem demokratik.

Bino përmbyll se në këtë pikë, teknologjia në Shqipëri nuk ka sjellë rritje reale të transparencës.

“Arritjet” sipas qeverisë dhe raportet kritike

Kryeministri Edi Rama pranoi kritikat, por i kaloi ato në plan të dytë kur vijoi të theksonte përparimin në krahasim me të shkuarën.

Ai iu referua vlerësimeve të SIGMA-s – një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian për qeverisjen publike dhe menaxhimin e administratës shtetërore – ku Shqipëria shënon pikëzim të lartë institucional.

“Shqipëria ka arkitekturë funksionale për transparencën, ku rezultati sipas ‘SIGMA-s’ është 8.6 nga 10 në kuadrin strategjik e institucional dhe 7 nga 9 për funksionalitetin e autoritetin e të drejtës për informim,” tha Rama.

Kryeministri përmendi edhe një indeks evropian të transparencës, sipas të cilit Shqipëria ka rritje prej 5% brenda këtij viti. Nisur nga këto, ai e cilësoi vendin mbi mesataren rajonale sa i përket informimit publik.

Megjithatë, raportet e tjera të BE-së tregojnë një situatë të përkeqësuar. Raporti i Progresit thekson presione mbi median, mungesë transparence në pronësi dhe financim, si dhe vetëcensurë.

Sipas BE-së, konsultimet publike dhe transparenca qeverisëse mbeten të dobëta. Kjo minon besimin publik dhe standardet demokratike të kërkuara për integrimin evropian.

Kështu, debati për transparencën në Shqipëri vijon të zhvillohet në dy plane paralele.

Në njërin qëndron qeveria, e mbështetur te indekse, raporte që dëshmojnë “përparim”. Në tjetrin janë gazetarët dhe shoqëria civile, që përballet në terren me realitetin tjetër: vonesa, përgjigje të pjesshme dhe mekanizma që funksionojnë vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit.

Hendeku mes këtyre dy realiteteve nuk është perceptim, por përvojë konkrete.

Një kornizë ligjore e vlerësuar ndërkombëtarisht nuk e zëvendëson detyrimin institucional për t’iu përgjigjur medias pa filtra dhe pa zvarritje. Kur indekset përdoren për të relativizuar kritikat, ato kthehen nga mjete vlerësimi në instrumente mbrojtëse të pushtetit.

Nëse digjitalizimi dhe platformat e reja mbeten premtime, problemi nuk është mungesa e teknologjisë, por kultura e institucioneve të mbyllura.

Derisa transparenca të zbatohet si praktikë e përditshme dhe jo si statistikë vjetore, liria e medias do të vazhdojë të mbetet nën presion.

Në këtë realitet, “gota” nuk është as plot dhe as bosh. Ajo është e kontrolluar. Dhe pikërisht ky kontroll përbën sfidën më serioze për demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW