Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan sot një protestë para Kryesisë së Kuvendit ku u kërkua heqja e imunitetit për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Protesta e thirrur në rrjetet sociale, u shoqërua me një organizim të dytë mbështetës nga partia “Mundësia”.
Njëzëri ata kërkuan përgjegjësi nga nivelet më të larta të pushtetit duke kërkuar kështu që fatura e korrupsionit të paguhet edhe nga Kryeministri Edi Rama. Kjo, pasi sipas tyre, përgjegjësia nuk mund të ndalet te një emër i vetëm.
“Belinda Balluku është vetëm alibia për të mbrojtur Edi Ramën,” deklaroi deputeti i “Mundësisë”, Erald Kapri sipas së cilit korrupsioni është sistemik dhe i mbrojtur politikisht.
Aktivisti Andi Tepelena renditi arsyet e protestës, duke përmendur shpopullimin dhe zgjedhjet e kontestuara. Ai foli edhe për mungesën e reformave ekonomike, korrupsionin dhe grabitjen e pasurisë publike.
“Askush nuk është mbi ligjin, përfshirë Ramën, Ballukun, Veliajn, Agaçin, Metën dhe Berishën,” deklaroi Tepelena, i cili theksoi se barazia para ligjit është test real për drejtësinë.
Në protestë morën pjesë edhe qytetarë të indinjuar nga kushtet sociale dhe ekonomike. Disa prej tyre jetojnë në emigrim dhe mbështesin familjet në Shqipëri.
“Prindërit e mi nuk jetojnë dot me pensionet që kanë. Sa herë vijmë, mbajmë familjet me paratë tona,” tha Brunilda Sota, e cila e konsideroi situatën si pasojë të keqqeverisjes afatgjatë.
Partia Demokratike kërkoi sot që mbledhja e Këshillit të Mandateve, e cila u thirr për të diskutuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit, të ishte e hapur. Por, kërkesa u refuzua nga shumica dhe nga vetë prokurorët e SPAK.
SPAK kërkon heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres për shkak të dyshimeve të arsyeshme se ajo mund të ndërhyjë dhe pengojë apo prishë hetimet.
Prokuroria pretendon se Balluku ka ndikuar në manipulimin e 12 procedurave tenderuese. Zv.kryeministrja nuk u paraqit në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i saj.
Më 31 tetor 2025, ajo deklaroi se beson në një proces transparent dhe të drejtë. Balluku dhe disa ish-drejtues të Autoritetit Rrugor akuzohen për manipulim tenderësh.
Disa nga çështjet kryesore lidhen me Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Jashtme të Tiranës, me vlerë 210 milionë euro. Për këtë arsye, GJKKO e pezulloi Ballukun nga detyra më 20 nëntor.
Rasti pritet të jetë një test i rëndësishëm për besueshmërinë e drejtësisë së re.
Lexoni gjithashtu:
- “Sekret hetimor” apo bllokim politik? Kuvendi mohon dosjen e SPAK për Ballukun
- Rikthimi i ministres Balluku në detyrë pritet me protestë nga Lëvizja Bashkë
- “Numrat dy” para drejtësisë: Lëkundje apo konsolidim i pushtetit të Ramës?

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.