Fill pas përmbytjeve dhe narrativës publike të krijuar së fundmi për menaxhimin e krizave, Kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë linçuese ndaj gazetarëve që kanë mbajtur qëndrime apo kanë ngritur pyetje ndaj qeverisë.
Një javë më parë, Kryeministri në një komunikim në rrjetet sociale, përmes disa fotove me mbetje plastike nga Shkozeti, u shpreh se hedhja e plehrave dhe shisheve plastike nga qytetarët në anë të rrugëve sollën situatën e përmbytjeve pasi ato bllokuan kanalet e kullimit.
Ky postim u shpërnda nga gazetarja Klodiana Lala, e cila ironizoi duke e adresuar problemin real te mos-menaxhimi i mbetjeve pavarësisht investimeve madhore te impiantet si inceneratori i Tiranës.
Kryeministri bëri një reagim pasues me gjuhë përçmuese dhe nuk adresonte asnjë shqetësim të Lalës.
“Një zëdhënës i opinionit publik, me një injorancë të theksuar, u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës është fajtor për shishet dhe qeset plastike që hidhen rrugëve dhe që përfundojnë duke bllokuar kanalet […]” replikoi Rama në X.
Ky komunikim i Kryeministrit ndaj gazetarëve ka nisur prej situatës së përmbytjeve në javën e parë të janarit, ku debati publik mbi qeverisjen dhe menaxhimin e krizave ishte rritur.
Në emisionin Opinion në TVKlan, drejtuesi dhe gazetari Blendi Fevziu deklaroi se kishte informacione për ministra që ishin në udhëtime private jashtë vendit, ndërsa në media paraqiteshin sikur ishin në punë.
Kjo bëri që Kryeministri të niste një fushatë linçuese ndaj Fevziut, duke u marrë edhe me jetën e tij personale dhe duke gjeneruar materiale vizuale me inteligjencë artificiale.
Gazetari Fevziu replikoi duke u shprehur kritik për komunikimin publik të ministrave në kohë krizash, duke shmangur konferencat për shtyp.
“Ministrat dhe drejtorët sfilonin në zonat e përmbytura, duke folur me vete përpara kamerave,” shkroi Fevziu duke theksuar se pamje të tilla ishin “shëmti morale” dhe “papërgjegjshmëri”.
Sipas Fevziut kjo qasje e ministrave vjen “nga impotenca e ideve, mungesa e karizmës dhe personaliteti i gjymtuar”. Por Kryeministri vijoi replikat me gazetarin duke përshkallëzuar më tej gjuhën.
Për këtë, kanë reaguar organizatat e medias, të cilat kanë dënuar situatën duke e konsideruar si shembull se si pushteti ushtrohet mbi median, përmes ekspozimit dhe intimidimit dhe jo përmes transparencës.
“[…] kritika ndaj pushtetit trajtohet si defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik”, u shpreh Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri për rastin e gazetares Klodiana Lala.
Ndërsa për fushatën ndaj gazetarit Fevziu Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt deklaroi se “kur transparenca zëvendësohet me spektakël dhe kundërpërgjigjja me tallje, pushteti nuk ushtrohet për të informuar publikun, por për të disiplinuar ata që bëjnë pyetje”.
Sipas Rrjetit duke “disiplinuar” publikisht një gazetar që është përcaktues i rëndësishëm i axhendës publike në një treg mediatik të vogël, Kryeministri tregon se qasja dhe pozicioni institucional nuk ofron mbrojte nga presioni i pushtetit.
“Sinjali zbret poshtë: nëse një figurë qendrore e sistemit mediatik mund të ekspozohet ndaj talljes dhe delegjitimimit të vazhdueshëm, implikimet për gazetarët investigativë, mediat lokale, freelancerët dhe zërat më pak të mbrojtur janë të qarta”, u shpreh në deklaratë Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.
Sipas Rrjetit të Gazetarëve të sigurt ky lloj presioni mbështetet në ekspozim dhe poshtërim duke lejuar që angazhimet formale për lirinë e shprehjes të mbeten në letër, ndërsa kufizimet informale të forcohen.
Në të njëjtën kohë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH). Sipas Asociacionit debati ngre një problem serioz mbi gjuhën dhe standardin e komunikimit institucional.
“Gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin të ngrenë pikëpyetje mbi politikat publike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve, investimet publike dhe funksionimin real të projekteve të kushtueshme si inceneratorët. Në këtë kontekst, përgjigjja e Kryeministrit, e shoqëruar me gjuhë përçmuese, etiketime dhe ironizim personal, është e papranueshme për një funksionar të nivelit më të lartë shtetëror”, u shpreh Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
Ata i bënë thirrje zyrtarëve publikë të jenë transparentë me mediat në situata të vështira për vendin.
“…duke organizuar konferenca për shtyp në mënyrë që gazetarët të kenë mundësinë të bëjnë pyetje shteruese ndaj këtyre problematikave”, përfundoi Asociacioni deklaratën e tij.
Lexoni gjithashtu:
- Përmbytjet nxjerrin në pah krizën me emergjencat dhe zhvillimin urban
- As Veliera, as tenderët publikë, s’e shpëtuan Durrësin nga përmbytjet
- Shqipëria përballë krizave klimatike pa sistem të besueshëm monitorimi

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).