18 organizata të shoqërisë civile kërkojnë rishikim të kuadrit penal që lidhet me shpifjen, duke kërkuar dekriminalizim të plotë dhe mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes për të gjithë individët.
Në një deklaratë të përbashkët organizatat vlerësuan nismën parlamentare që synon shfuqizimin e plotë të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, një proces i shoqëruar edhe me konsultim publik, ku shoqëria civile u angazhua në mënyrë aktive. Por shprehën të keqardhur se teksti i miratuar më 21 janar në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike nuk arrin të realizojë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes.
“Kjo qasje devijon nga objektivi fillestar i procesit konsultativ dhe nuk është në përputhje me rekomandimet e kahershme të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve” – citohet në deklaratë.
Organizatat theksojnë se mbrojtja duhet të lidhet me natyrën e shprehjes dhe interesin publik që ajo i shërben, dhe jo me statusin profesional të folësit.
“Versioni i miratuar në Komision dhe që pritet të miratohet në Seancë Plenare së shpejti, përfshin megjithatë disa elemente që përbëjnë hapa përpara” – vijon deklarata.
Ndryshimet pranojnë se raportimi që bëhet për interesin publik dhe me mirëbesim nuk duhet të dënohet penalisht. Ato parashikojnë gjithashtu disa masa mbrojtëse, si përpjekja për të verifikuar informacionin, mundësia për ta sqaruar ose përgënjeshtruar atë dhe dallimi i qartë mes fakteve dhe opinioneve.
Sipas shoqërisë civile, dekriminalizimi i pjesshëm i shpifjes rrezikon të mbetet i pazbatueshëm në praktikë. Së pari, ndryshimi lidhet vetëm me shpifjen, ndërkohë që fyerja (Neni 119 i Kodit Penal) mbetet vepër penale, duke krijuar rrezikun që rastet e shpifjes të paraqiten dhe të trajtohen përmes nenit të fyerjes.
Së dyti, përjashtimi nga përgjegjësia penale kufizohet vetëm për gazetarët “e regjistruar dhe të njohur”, në një kontekst ku Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem regjistrimi të gazetarëve, pasi kjo do të binte ndesh me standardet evropiane të lirisë së shprehjes.
Për më tepër, organizatat joqeveritare, aktivistët, studiuesit, sinjalizuesit dhe qytetarët e zakonshëm nuk përfitojnë nga këto ndryshime, ndonëse ata shpesh përballen me padi dhe presione ligjore që kanë efekt kufizues mbi lirinë e shprehjes.
Për këto arsye, kërkesa e shoqërisë civile mbetet e qartë dhe e përsëritur: Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërmarrë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes për të gjithë individët, duke e lidhur mbrojtjen ligjore me shprehjen në interes publik dhe mirëbesimin, dhe jo me statusin profesional.
“Një reformë e tillë është e domosdoshme për përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Europës dhe për garantimin real të lirisë së shprehjes si e drejtë themelore në një shoqëri demokratike” –përmbyll deklarata.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.