Në orët e para të së mërkurës, Kuvendi miratoi një paketë të gjerë ndryshimesh në Kodin Penal, të cilat qeveria i prezantoi si harmonizim me standardet evropiane.
Mes rreth 50 neneve të ndryshuara ishte edhe neni 120, që lidhet me shpifjen. Për këtë nen, organizatat e medias dhe gazetarët kishin kërkuar dekriminalizim të plotë.
Sipas tyre, dekriminalizimi i plotë do të shmangte ndjekjet penale dhe paditë SLAPP ndaj gazetarëve, mediave, aktivistëve apo qytetarëve që kritikojnë pushtetin në interes publik. Por çfarë ndodhi dhe cili ishte rezultati përfundimtar i kësaj çështjeje?
Nga dekriminalizimi i shpifjes te “rregullimi” i profesionit të gazetarit
Në Komisionin Parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, prezantoi një nismë personale për dekriminalizimin e shpifjes, të konsultuar me grupet e interesit. Por, propozimi i saj u rrëzua.
Në të njëjtin komision, deputetë të Partisë Socialiste sollën në diskutim një tjetër element: rregullimin e profesionit përmes “statusit” të gazetarit.
Deputeti Balla theksoi se “në asnjë vend të Evropës nuk je gazetar vetëm se vetëshpallesh apo vë një bexh”. Përmes këtij qëndrimi ai kërkoi hartimin e një ligji për të rregulluar dhe regjistruar profesionin e gazetarit.
Deputetja Klodiana Spahiu e mbështeti këtë qasje, duke e krahasuar me rregullimin e profesioneve të tjera sikurse shëndetësia.
Organizatat e medias dhe vetë gazetarët reaguan njëzëri kundër kësaj qasjeje.
Ata kërkuan dekriminalizim të plotë të shpifjes, sikurse qe kërkuar vazhdimisht edhe nga BE-ja, si dhe heqje dorë nga çdo ide për regjistrimin e gazetarëve apo krijimin e një statusi formal.
Sipas tyre, lidhja e përgjegjësisë penale të shpifjes vetëm me gazetarët “e regjistruar dhe të njohur” krijon përjashtim dhe cenon lirinë e shprehjes, veçanërisht në një vend që “nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem ligjor për regjistrimin e gazetarëve”.
Blerjana Bino, studiuese dhe përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt për Shqipërinë (SafeJournalists), theksoi se gazetaria nuk është e drejtë më vete për një kategorie profesionale, por një funksion i garantuar dhe i mbrojtur nga liria e shprehjes.
“Gazetaria […] mbrohet për shkak të asaj që bën: informon publikun, kontrollon pushtetin dhe kontribuon në debatin mbi çështje me interes publik,” u shpreh Bino.
Sipas saj, standardet evropiane e mbrojnë gazetarinë si veprimtari, jo si profesion që kërkon njohje shtetërore. Një sistem që kushtëzon mbrojtjen ligjore me regjistrim formal rrezikon ta shndërrojë një të drejtë universale në privilegj të kushtëzuar.
Isa Myzyraj nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi këtë qasje si një ndërhyrje të rrezikshme shtetërore.
“Kjo qasje […] kur lidhet me përfitimin e një garancie penale, nuk është reformë, por kontroll,” tha Myzyraj për Citizens.al.
Ai vuri në dukje se Kodi Penal nuk përcakton se cili institucion do të regjistrojë gazetarët, duke hapur rrugën për një ligj të ardhshëm mbi statusin e tyre.
Sipas Myzyrajt, përdorimi i ligjit penal për të parapërgatitur këtë terren përbën mjet presioni ndaj medias. Ai e quajti “kornizë të rrezikshme konceptuale” e cila “është futur qëllimisht në Kodin Penal për t’i hapur rrugë regjistrimit të gazetarëve”.
Pedagogu dhe studiuesi i medias, Elvin Luku, vlerëson se pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal pozicioni i gazetarit është rënduar.
“Gazetari dënohet si kur gënjen me qëllim, ashtu edhe kur vepron në mirëbesim,” u shpreh ai duke përmendur termin ligjor “informacion në mirëbesim”.
Sipas ndryshimeve, në rast refuzimi për të hequr një publikim, gazetari duhet të provojë para gjykatës përpjekjet për verifikim, duke rrezikuar ekspozimin e burimeve.
Luku thotë se me ndryshimet e fundit shpifja lidhet nominalisht me gazetarin.
“Për ta përjashtuar nga përgjegjësia, e cenon rëndë pavarësinë e tij,” thekson ai.
Pedagogu Luku shton se KiE dhe Gjykata Evropiane inkurajojnë dekriminalizimin e shpifjes, por ndërkohë vetëm 4 prej 27 vendeve të BE-së e kanë kaluar shpifjen në proceset civile. Nga ana tjetër ai propozoi që rolin e regjistrimit të gazetarëve ta luajnë unionet aktuale ose ato të reja “me kushtet që të jenë jo më pak se tre, ose mbi tre”.
“Regjistrimi të jetë një akt formal, një lloj vetëdeklarimi, jo diplomë apo një licencë,” argumentoi Luku, sipas të cilit vetërregullimi i sektorit kërkon emancipim.
Regres ligjor dhe pasiguri
Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, e cilëson paketën e miratuar së fundmi si regres krahasuar me ndryshimet e para 14 viteve.
“Me ndryshimet […] ne mendojmë se është rënduar penalizimi i shpifjes dhe kjo ndoshta si reagim ligjbërësish nga kërkesa populiste dhe prej disa OJQ-sh”, tha Çipa për Citizens.al
Sipas tij, amendimet aktuale rrisin rrezikun penal, sidomos për gazetarët investigativë dhe “freelancer”-ët, duke i ekspozuar ndaj kërkesave për verifikim burimesh nga organet e drejtësisë – gjithmonë nëse përballen me padi për shpifje.
Çipa ngre pyetje thelbësore mbi konceptin e statusit të gazetarit, i cili me formulimin e ri lë hapësira ambigue si për shembull për regjistrimin: kush e certifikon, kush e përcakton, mbi çfarë baze dhe në cilin dokument zyrtar ekziston?
Ai thekson se në ligje nuk kanë vlera nënkuptimet dhe për këtë kujtoi se në Shqipëri janë debatuar shpesh dy modele: ai i Urdhrit të Gazetarëve dhe modeli evropian i vetërregullimit, por asnjëri nuk është ndërtuar realisht.
Sipas tij, vetërregullimi i strukturuar dhe gjithëpërfshirës mbetet alternativa e vetme dhe e duhur, por jo përmes presionit të Kodit Penal.
Për këtë propozon mbajtjen e një “Kongresi Kombëtar të vetërregullimit mediatik,” i cili të zgjedhë më pas një këshill me mekanizma ekzekutivë.
“Kjo arkitekturë mund të përfshijë çdo organizatë, çdo entitet dhe grup interesi, përfshi edhe ente apo struktura monitoruese që ka skena e shoqërisë sonë,” u shpreh Çipa.
Lexo gjithashtu:
- Propozimi i qeverisë: “Gazetarë me regjistër dhe dekriminalizim i pjesshëm i shpifjes”
- Dekriminalizimi i shpifjes, si fund i dialogut media-qeveri
- 18 organizata kërkojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).