Ministria e Mjedisit planifikon t’i kalojë Kuvendit propozimin për shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të ligjit “Për zonat e mbrojtura” vetëm në fund të 2027-ës, periudhë e cila shënon, njëkohësisht, mbylljen e negociatave; pra, në fund të periudhës. Shfuqizimi i dispozitave, së bashku me tetë çështje të tjera që lidhen me standardet dhe specifikat e politikave mjedisore, u kërkuan nga Komisioni Evropian në shtator të 2025. Të njohura si piketat mbyllëse (Closing Benchmarks), ato duhet të përmbushen përpara anëtarësimit të vendit në BE. Dhjetori i 2027-ës është afati i fundit, kur “Paketa e Gjelbër” do t’i bashkëngjitet Traktatit të Aderimit.
Ministria paraqiti planin për përmbushjen e piketave në 17 shkurt, duke i njehsuar me projektaktet mjedisore që do të shqyrtohen në Kuvend përgjatë 2026-ës. Gjatë paraqitjes përpara ekspertëve dhe grupeve të interesit, në të ashtuquajturën “Tryeza 27”, u vu re se shfuqizimi i dispozitave në fjalë ishte planifikuar në tremujorin e katërt të 2027-ës. Gjatë takimit nuk u dha asnjë mundësi për rishikimin e programit, radhës dhe afateve të përmbushjes, ndonëse ndryshimi i kuadrit ligjor i zonave të mbrojtura ka nxitur reagimin e organizatave dhe grupeve për mbrojtjen e natyrës, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo do të thotë se përgjatë dy viteve (2026-2027) lejet për ndërtimin e resorteve turistike dhe të parqeve energjitike do të vijojnë presionin ndaj zonave të mbrojtura.
Ligji “Për zonat e mbrojtura” u ndryshua nga qeveria në fillim të 2024 për të dobësuar mbrojtjen nga agresioni i papërballueshëm i projekteve zhvillimore. Ndryshimet mundësojnë ndërtimin e hoteleve dhe ngritjen e paneleve të energjisë së rinovueshme brenda territoreve me ndjeshmëri të lartë natyrore. Organizatat e shoqërisë civile alarmuan opinionin publik për rreziqet e ndryshimeve. Një grup iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin, por nuk ia doli. Një tjetër kërkoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët, këta të fundit, iu drejtuan zyrtarëve në drejtorinë e zgjerimit dhe atë të mjedisit në Komisionin Evropian me qëllim prapësimin e ndryshimeve.
Çështjet mjedisore mbërritën në tryezën e diskutimit të Kapitullit 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike dhe u shqyrtuan intensivisht gjatë përgatitjes së pozicionit negociues, mes Komisionit dhe Shqipërisë. Pozicioni, i cili synon përafrimin me “acquis” të Bashkimit Evropian, u rishikua disa herë deri në shtator të 2025-ës, kur u përgatit drafti i parë me nëntë piketa mbyllëse, ku Shqipëria merrte përsipër t’i realizonte deri në datën e anëtarësimit. Mes tyre spikati një rezultat: dy prej piketave ishin prapësuese. E para kërkonte shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme (më “acquis”) të ligjit “Për zonat e mbrojtura”, ndërsa e dyta, dhënien fund të ligjit “Për investimet strategjike”. Qeveria ishte tërhequr!
“Piketat nuk mund të diskutohen, por vetëm periudha e përmbushjes së tyre”, – konfirmoi ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj gjatë takimi të Tryezës 27. Por ndërkohë që barrën për investimet strategjike ia kaloi Ministrisë së Ekonomisë, shfuqizimit të dispozitave të papajtueshme të ligjit për zonat e mbrojtura ia mbylli derën e diskutimit lidhur me kohën e trajtimit të tyre. Vendimmarrja mbi planifikimin e trajtimit të piketave mbeti jashtë Tryezës 27, duke u akaparuar nga burokratët e ministrisë, për t’u lënë siç ishte parashikuar: në fund të 2027-ës. Nuk pati asnjë shpjegim për këtë vonesë.
Mendësia përjashtuese shtrihet përtej tryezës së integrimit. Në Ministrinë e Mjedisit, Drejtoresha e Biodiversitetit dhe Zonave të Mbrojtura, znj. Klodiana Marika, ndan të njëjtën mendësi, ndonëse çështjet e biodiversiteti, njëanshmërisht të provokuara, kanë reflektuar historikisht ndjeshmëri shoqërore.
“Po i shohim njëherë vetë”, – justifikohet Marika. “Po marrim në konsideratë të njëjtat kritika që kanë paraqitur organizatat mjedisore. Më duhet të lexoj, rreth 500 faqe dokumentacion, përpara se të prezantoj draftin final të ndryshimeve”, – argumenton ajo.
Qasja e autoritetit vijon të ushqejë një model. Pasi nxituan për ndryshimet pa dëgjuar askënd, tani vonojnë prapësimin, duke i përjashtuar të gjithë. Të njëjtët që nuk u përfillën atëherë, nuk përfillen as tani. A nuk ushqejnë rrethanat dhe përvoja një mentalitet krejt të ri? A nuk duhej të ishte përfshirja e ekspertëve të pavarur një mekanizëm shpëtimi përballë volumit të madh të punëve të hapura prej Integrimit? Përse vijojnë e biem pre e teknokracisë pa rrugëdalje? Në fund të fundit, a nuk janë ndryshimet ligjore të zonave të mbrojtura simbol i dështimit të autoriteti shtetëror për mbrojtjen e natyrës?
Edhe këtë radhë palët e kanë të pamundur ndërtimin e një ure të sinqertë komunikimi. Le të imagjinojmë për një moment të kundërtën: bashkëpunimin! Ç’përfitim mund të arrihej…
Vitrina 27
Së fundi diçka po lëviz. Ose për të mos qenë përkrahës naivë – po ngjan e tillë. Në janar u nxor një njoftim i përsëritur nga Ministria e Mjedisit e cila kërkonte rekrutime të reja për pjesëmarrje në “Tryezën 27”. Fjala është për tryezat e integrimit dhe të këshillimit, të ngritura për tridhjetetre kapituj, çdonjëri nga të cilët përfaqëson fushat e legjislacionit evropian. 27-a ka të bëjë më politikat dhe legjislacionin mjedisor. Tryeza është një mekanizëm për të demokratizuar vendimmarrjen e gjelbër: një togfjalësh në modë. Për herë të fundit tryeza ishte mbledhur fillim të 2025-ës, por ndonëse një vit i ngarkuar me negociatat për integrimin, nuk u mblodh deri në fund të vitit.
Pothuajse në të njëjtën kohë me tryezat e integrimit (2019), Këshilli i Ministrave miratoi ngritjen e tryezave ndërinstitucionale të punës, sipas së njëjtës ndarje: nga një për secilin kapitull; kryesisht, me pjesëmarrjen të nëpunësve të administratës. Të tilla struktura burokratike kanë realizuar një portofol të pasur takimesh gjatë dy viteve të fundit: rreth një takim për çdo muaj.
Vihet re se tryezat e integrimit nuk kanë të njëjtën ngarkesë, pasi shumëçka është përgatitur nga grupet ndërinstitucionale, të mbështetura edhe nga një rreth i ngushtë jofitimprurësesh. Por ky nuk është tipari i vetëm i strukturës integruese të Kapitullit 27. Koha e pamjaftueshme dhe volumi i lartë i punës rrezikon shtimin e tensionit gjatë miratimit të paketave të shumta ligjore, çka mund t’i reduktojë diskutimet dhe konsultimet në seanca formale.
“Koha është e shkurtër, por jo e pamundur”, – konstatoi Jaupaj në takimin e 17 shkurtit në tryezën e integrimit. “Përfshirja e Komisionit Evropian dhe e ekspertëve vendas nuk do të krijojë diskutime mbi legjitimitetin e akteve të planifikuara për t’u miratuar, – konkludoi ai.
Tryeza e 17 shkurtit ishte e para në 2026, ndërkohë që për vendin ka filluar numërimi mbrapsht drejt Bashkimit Evropian. Tryeza ishte masive në pjesëmarrje, por e varfër në ekspertizë. Më shumë sesa ekspertë, të pranishmit ishin menaxherë fondesh, kryesisht mjedisore. Media nuk ishte e pranishme, por ministria ishte kujdesur të kontraktonte operatorë dhe fotografë, editimet e të cilëve i kontrollon. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të medias në tryezë ishte e parëndësishme, çka nënkupton se raportimet e pavarura nuk mund të përcillen lehtë.
Prodhimtaria e tryezës duket e zymtë. 27-a nuk është vetëm kapitulli më i vështirë e më i kushtueshëm për Shqipërinë, por dhe një model i qëndrueshëm e demokratik për menaxhimin e burimeve natyrore. Në fund të fundit, rendja drejt Evropës nuk është vetëm aksion politik, por, në thelbin e saj, aspiratë.
Më shumë takime, më pak përfaqësues
Javën e shkuar, siç ministri Jaupaj kishte premtuar, u zhvillua tryeza për prezantimin e strategjisë kombëtare të ajrit, së bashku me planin e veprimit. Takimi ishte i hapur për përfaqësuesit e biznesit, por prania e tyre regjistroi jo më shumë se dy-tre persona, përfaqësues kompanish nafte. Askush nuk u shqetësua. “Checkbox”-et u plotësuan, së bashku me listë-prezencën prej dyzetekatër pjesëmarrësish, pothuajse të gjithë punonjës në administratën publike.
Cilësia e ajrit, krahas kuadrit ligjor, përbën një prej periudhave kalimtare (transition period) të negociuara për t’u përafruar me “acquis” edhe më vonë se pranimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe natyrisht, nga më të kushtueshmet. Një pjesë e kostos bie mbi kompanitë e naftës, pikave të furnizimit me karburant, të përpunimit të metaleve etj. Përveç ajrit, Shqipëria ka kërkuar periudha kalimtare edhe për cilësinë e ujërave, menaxhimin e mbetjeve dhe shkarkimet industriale. Fusha e mjedisi ka numrin më të lartë të periudhave kalimtare të kërkuara pranë Komisionit Evropian..
“Janë trembëdhjetë të tilla”, – informon Artenida Duraku, Drejtore e Integrimit dhe Projekteve të Huaja në Ministrinë e Mjedisit. “Dhe kemi planifikuar realizimin e tyre, në përputhje me kërkesat e BE”, – siguron ajo.
Të krijohet përshtypja se Integrimi po ecën dhe se mbizotëron optimizmi. Zbatimi i direktivave ështëçështje kohe; periudhat kalimtare njësoj, si vetë fjala. Por megjithëse në fushën e biodversitetit nuk kemi asnjë periudhë të tillë, pra, asnjë pengesë, sërish shfuqizimi i dispozitave ligjore për zonat e mbrojtura u la për në fund. Ç’tregon kjo?! Nëse nuk kemi ende një përgjigje të qartë, të paktën kemi ngritur një pyetje të drejtë.
Lexoni gjithashtu:
- E ku ka më mirë se propaganda!
- Deputetë të rastësishëm në tryezat e komisioneve!
- Çelja “e koncensionuar” e gjuetisë
- Aeroporti, një betejë që duhet vazhduar
Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.