Lufta ndaj korrupsionit ishte ndër zotimet kryesore të qeverisë ndaj partnerëve ndërkombëtar gjatë marrjes së mandatit të katërt, por situata duket se ka përshkallëzuar në një drejtim tjetër.
Shqipëria mbetet në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe prirja po shkon gjithmonë e më për keq. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2025 i “Transparency International” e vlerëson Shqipërinë me 39 pikë nga 100, nën mesataren globale prej 42 pikësh dhe larg standardeve të Bashkimit Europian.
Rënia është me 3 pikë dhe 11 vende në klasifikim krahasuar me vlerësimin e vitit 2024 (42, vendi 80), i cili ishte vlerësimi më i lartë i fiksuar ndonjëherë nga raportimet e “Transparency International” (më i ulëti 31, 2013).
Publikimi i raportit vjen në një moment të tensionuar politik: Qeveria socialiste e Kryeministrit Edi Rama ndodhet nën hetime të vazhdueshme nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), ndërsa përplasja mes ekzekutivit dhe drejtësisë u thellua në fund të vitit 2025 pas çështjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Balluku u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme dhe masa nuk ndryshoi as pasi qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se po cenohej ndarja e pushteteve dhe e drejta e mandatuar nga vullneti i qytetarëve për të udhëhequr vendin.
Në këtë kontekst, raporti nuk duket më një statistikë teknike, apo thjesht perceptim, pasi përputhet me një realitet institucional që tashmë është bërë konflikt i hapur politik dhe i përditshëm.
Çfarë tregon raporti?
Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) rendit 182 shtete sipas korrupsionit në sektorin publik në një shkallë 0-100. Sa më i ulët rezultati, aq më i dobët konsiderohet integriteti institucional.
CPI nuk është sondazh qytetarësh, por bazohet në vlerësimet e ekspertëve ekonomikë, investitorëve dhe institucioneve ndërkombëtare. Ai mat besimin tek institucionet shtetërore.

Në rastin e Shqipërisë, besimi te institucionet mbetet i ulët, një prirje e cila duket se po haset në gjithë rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.
Sipas Transparency International korrupsioni lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e institucioneve demokratike dhe kontrollit mbi pushtetin.
Ballkani Perëndimor ka performancë të dobët me mesataren 39 pikë dhe me problemet kryesore si: Ndërhyrjet politike në drejtësi, vendimmarrja jo transparente dhe përqendrimi i pushtetit.
Vendet renditen si në vijim: Mali i Zi (46); Kosova (43); Maqedonia e Veriut (40); Shqipëria (39); Bosnje Hercegovina (34); Serbia (33);
Raporti përmend edhe rastet kur projekte të mëdha zhvillimore miratohen pa transparencë, duke rritur rrezikun e korrupsionit dhe dëmeve mjedisore. Kjo përfshin pikërisht fusha ku Shqipëria është kritikuar shpesh: investimet strategjike, koncesionet dhe projektet urbane duke u përmendur specifikisht rasti i projektit zhvillimor të Sazanit.
Publikimi i Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 rikthen një realitet që politika shqiptare e diskuton rrallë faktin që korrupsioni nuk matet vetëm me arrestime, por me besimin që institucionet krijojnë te shoqëria.
Raporti flet për një lidhje të zhdrejtë mes korrupsionit dhe llogaridhënies. Sa më e ulët llogaridhënia, aq më i lartë korrupsioni. Ngjashëm kjo reflektohet edhe nga perceptimi nën trysni i institucioneve të drejtësisë, që sipas indeksit kur drejtësia perceptohet nën presion politik institucionet dobësohen dhe besimi publik bie.
Kjo shpjegon edhe paradoksin shqiptar. Në dekadën e fundit janë miratuar shumë ligje anti-korrupsion, është reformuar drejtësia dhe janë kryer hetime të nivelit të lartë. Megjithatë perceptimi nuk përmirësohet, sepse indeksi nuk mat vetëm arrestimet, por mat stabilitetin dhe qasjen institucionale.
Lexoni gjithashtu:
- Puna e SPAK-ut reflekton në indeksin e perceptimit të korrupsionit
- “Korrupsioni i lartë, por nuk e denoncojmë dot”, si shihen universitetet nga studentët
- “Antikorrupsioni si dekor”, asnjë ankesë për shëndetësinë

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.