Citizens.al

“Kartoni i kuq për minatorët”, Kuvendi refuzon sërish statusin

Foto ilustrim nga protestat e ish-minatorëve për statusin

Pas më shumë se tre dekadash kërkesa, protesta dhe premtime të përsëritura, projektligji për “Statusin e Minatorit” u rrëzua edhe një herë sot në komisionet parlamentare, me votat e mazhorancës socialiste.

Komisioni Parlamentar për Burimet natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm ishte komisioni i tretë ku votat e socialistëve i dhanë kartonin e kuq propozimit të deputetes Jorida Tabaku.

Argumenti i përdorur nga Partia Socialiste për të rrëzuar nismën ishte mbivendosja dhe konflikti me kuadrin ekzistues.

“Pjesa më e madhe e të drejtave që parashikon ky projektligj janë tashmë të rregulluara nga ligji për sigurimet shoqërore, ligji për nxitjen e punësimit, ligji për shëndetin dhe sigurinë në punë si dhe nga VKM për mbrojtjen nga aksidentet në punë apo për sigurimin shëndetësor”, argumentoi në Komision deputeti socialist Klevis Jahaj, njëkohësisht relator i çështjes.

Ai u shpreh më tej se nuk ka një analizë të efekteve ekonomike, duke shprehur se qeveria nuk mund t’i mbulojë kostot prej rreth 1.2 miliardë lekë në vit për 13,300 përfitues.

Për deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku votimi i statusit të minatorit mbetet një vullnet politik, që Partia Socialiste nuk e ka.

“Kur shikon që ke hequr TVSH-në për jahte dhe ke përjashtuar hotelet me pesë yje, tani thuhet se do prishet qëndrueshmëria fiskale nga statusi i minatorit? Qëndrueshmërinë fiskale e prishin sot favoret e Portit të Durrësit dhe kontratat koncesionare që janë vjedhje. Nuk e prish statusi i minatorit,” u shpreh deputetja Tabaku.

Sipas saj, nuk e bën deputeti propozues analizën financiare dhe komisioni është përgjegjës për t’ia nisur qeverisë.

“Fatkeqësisht qeverisë i ka shkuar ditën e hënë në darkë. Kjo është arsyeja pse nuk ka një analizë të plotë financiare”, u shpreh Tabaku.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi u shpreh se profesioni i minatorit ka vështirësi dhe rreziqe të veçanta.

“Këtë e tregojnë shifrat e vdekshmërisë në vendin e punës, prandaj propozimi i projektligjit është i domosdoshëm. Statusi i minatorit që kërkohet nuk është lëmoshë, por një e drejtë që duhet venë në vend që për 35 vjet është injoruar”, deklaroi Muçi.

Ai shtoi më tej se profesioni më i vështirë në vend nuk ka një status, ndërsa kemi një status të veçantë për deputetët.

“Ka deputetë që do të dalin me 2 mijë euro pension dhe këtu relatori foli edhe për ndikimin që miratimi i statusit të minatorit do të ketë në buxhet. Statusi i minatorit përcakton edhe një sërë përfitimesh, mbrojtjesh për këtë kategori që janë specifike qoftë për dëmtimet në punë, qoftë për trajtimin mjekësor e shumëçka tjetër”, argumentoi deputeti Muçi.

Deputeti Vullnet Sinaj u shpreh se në vitin 2019, me ligjin 29/2029 janë zgjidhur kërkesat që pretendohen të zgjidhen tanimë me statusin.

“Është një ligj që ne atëherë e menduam për të hequr dorë nga statuset e veçanta, i grupuam të gjitha sektorët e vështirë të ekonomisë shqiptare në një ligj të përbashkët dhe e bëmë siç e ka gjithë komuniteti evropian që mos të kemi statuse të veçanta për secilin sektor, se mund të ngrihen nesër edhe këta të baletit të kërkojnë edhe këta status për punën e tyre se edhe ata vështirësi kanë atje, lodhen edhe ata”, u shpreh deputeti Sinaj.

Një zëri mazhoranca në Komision u shpreh se nuk e venë në dyshim se puna në minierë dhe nëntokë është e vështirë, por këto shqetësime janë zgjidhur me ligjin e 2019-ës.

“Kështu që më mirë nëse keni ndonjë gjë mund të ndërhyni për të bërë ndonjë ndryshim te ai ligji dhe mos ta ktheni në statuse, pra të fillojmë metoda të reja, në kohën që jemi duke kërkuar anëtarësimin tonë në BE se sa të bëjmë statuse të veçanta për secilin sektor”, përfundoi deputeti Sinaj.

Projektligji për statusin e minatorit propozonte pension minimal 130% te pagës minimale, dalje në pension pas 20-25 vitesh punë nëntokë, trajtim shëndetësor falas për sëmundjet profesionale dhe përfitime për familjarët në rast vdekjeje.

Ish-minatorët dhe minatorët kanë protestuar prej vitesh për njohjen e statusit, duke ndërmarrë edhe nismën e nënshkrimit të një peticionit.

Statusi i minatorit: premtim fushatash politike

Në vitin 2009, kur Kryeministri Edi Rama ishte në opozitë, iu premtoi ish-minatorëve të Gurit të Kuq në Pogradec se do të miratonte statusin e minatorëve në 100 ditët e para të qeverisjes së tij.

Në vitin 2013, Edi Rama erdhi në pushtet, dhe ende sot nuk minatorët janë pa status.

Në tetor të vitit 2017, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu, dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft për ligjin e statusit të minatorit.

“Për çdo person do të paguhet kontribut shtesë në masën 5% të pagës bruto për efekt kontributi. Kontributi shtesë do të paguhet në masën 2% nga punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi. Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji deri në plotësimin e moshës së përfituesve do të përballohen nga buxheti i shtetit”, u shpreh asokohe deputeti Spahiu.

Mirëpo, mazhoranca socialiste nuk e mbështeti këtë projektligj. Sipas qeverisë së asaj kohe, miratimi i këtij statusi do të sillte efekte negative në skemën e pensioneve dhe në buxhetin e shtetit.

Në prill 2028 në një takim me minatorët, Rama u shpreh se nëse në mandatin e parë qeverisës u premtua ulja e moshës së daljes në pension për minatorët, ”këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”.

Në turin e llogaridhënies në qershor të vitit 2018 në bashkinë e Klosit, ministrja Olta Xhaçka premtoi para banorëve se drafti për projektligjin e statusit të minatorëve ishte duke u shqyrtuar dhe shumë shpejt do ti jepet zgjidhje.

“Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj”, theksoi Xhaçka.

Në po të njëjtin muaj, minatorët në pension dhe sindikatat që ushtronin veprimtarinë në atë kohë u mblodhën në protestë para Kryeministrisë për të kërkuar statusin, në të kundërt do të nisnin grevën e urisë.

“Për sa i përket statusit ne po bëjmë një projektligj siç e ka Evropa, një draft-ligj për status për të gjitha këto statuse pune të vështira që do të hyjnë tek kategoritë me një status të veçantë”, u shpreh Kryeministri Rama para banorëve të Hasit në tetor 2018, gjatë një bashkëbisedimi për platformën e bashkëqeverisjes.

Në vitin 2019, çështja e statusit u soll sërish në vëmendje. Ndërkohë që një grup minatorësh protestonin para Kryeministrisë, Federata e Sindikatës së Punonjësve të Industrisë në një deklaratë për mediat u shpreh se së bashku me Qeverinë do të përgatisnin draftin për statusin e minatorit dhe shumë shpejt do të kalohet në kuvend.

Në vitin 2020, minatorët i dërguan Kuvendit një peticion prej 10,700 firmash. Ata kërkuan rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët, rritjen e pensioneve, garantimin e kujdesit shëndetësor si dhe sigurimin e jetës. Pas më shumë se tre vitesh nga Kuvendi nuk pati asnjë përgjigje.

Më 30 tetor 2024, Rama u shpreh se statusi është miratuar dhe është e kotë të vazhdohet kjo histori.

“Statusin e minatorit ne e kemi miratuar, ka kohë, nuk është e rastit që minatorët dalin në pension 10 vite para të tjerëve. Është në status, siç është dalja në pension para të tjerëve, janë edhe të gjitha përfitimet e tjera njësoj si kategoritë e tjera. Ne kemi vetëm me statuset e veçanta, me kompensimet, trajtimin e veçantë për drita etj., kemi 270 milionë euro. Tek këto 270 milionë euro përfshihen edhe minatorët”, deklaroi ai në një takim me pensionistët.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW