Tre organizata ndërkombëtare dhe vendase të mjedisit kanë apeluar që hetimi për kontrabandën e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria drejt Tajlandës të mos mbetet një rast i izoluar, por të shndërrohet në pikë kthese për politikën shqiptare ndaj mjedisit dhe specifikisht tregtisë së mbetjeve.
Në një deklaratë të përbashkët, “Basel Action Network” (BAN), “Ecological Alert and Recovery, Thailand” (EARTH) dhe Milieukontakt Shqipëri përshëndetën veprimet e fundit të Prokurorisë së Durrësit, por theksuan se çështja kërkon transparencë të plotë dhe reforma ligjore të menjëhershme për të ndaluar kontrabandimin e mbetjeve të tjera të rrezikshme.
Sipas organizatave, Shqipëria rrezikon të kthehet në burim ose pikë tranziti për tregtinë dhe kontrabandën ndërkombëtare të mbetjeve industriale nëse rasti nuk ndiqet deri në fund.
“I nxisim autoritetet ta trajtojnë këtë rast si një pikë kthese, jo vetëm për të ndëshkuar shkeljet e së kaluarës, por për ta vendosur Shqipërinë dhe Tajlandën si vende që nuk do të tolerojnë më të bëhen burim apo pikë tranziti për tregtinë e paligjshme të mbetjeve të rrezikshme,” citohet në deklaratë Jim Puckett, drejtuesi i BAN.
Organizatat e cilësojnë çështjen jo thjesht si eksport të paligjshëm, por si një aktivitet të strukturuar kriminal ndërkombëtar, që përfshin trafikim mbetjesh të rrezikshme, shpërdorim detyre dhe mashtrime në deklaratat doganore.
Sipas tyre, hetimi i autoriteteve shqiptare duhet të zbulojë të gjithë zinxhirin institucional që e ka mundësuar aktivitetin, përfshirë përgjegjësitë administrative dhe shtetërore.
Reagimi i organizatave vjen pas veprimeve të Prokurorisë së Durrësit, e cila lëshoi 33 urdhër-arreste – prej të cilave u ekzekutuan 20 – lidhur me dërgesën e rreth 2,800 tonë mbetjesh të nisura nga Porti i Durrësit rreth dy vite më parë dhe të refuzuara nga autoritetet tajlandeze.
Mes të arrestuarve dhe emrave të dyshuar si të përfshirë janë drejtues të kompanisë së çelikut Kurum, drejtues aktualë dhe të mëparshëm të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, si dhe punonjës të sektorit të lejeve mjedisore, doganave dhe inspektorateve të kontrollit.
Organizatat vlerësuan gjithashtu rolin e sinjalizuesit anonim që ngriti alarmin fillestar dhe vendimin e linjave detare MSC dhe Maersk për të mos transportuar më ngarkesa të dyshuara.
“Tajlanda veproi drejt duke refuzuar këto dërgesa, dhe ky rast thekson pse vendet në zhvillim nuk duhet të përdoren si vende hedhjeje për mbetjet industriale të rrezikshme,” tha Penchom Saetang, drejtuese ekzekutive e EARTH.
Lexo: Dëshmia e plotë e Jim Puckett për mbetjet toksike
Organizatat kërkojnë zbardhjen e plotë të rolit të autoriteteve shtetërore në këtë proces, duke theksuar se publiku duhet të informohet se cilët aktorë institucionalë e kanë mundësuar ose toleruar aktivitetin.
Një nga kërkesat kryesore është hetimi nëse Porti i Durrësit është përdorur si qendër eksporti ose tranziti për mbetje të rrezikshme edhe nga burime të tjera, çka do ta shndërronte rastin nga një incident industrial në një problem sistemik.
Ato kërkojnë gjithashtu informacion të detajuar mbi analizat laboratorike të mbetjeve, krahasimin për përputhjen me aktivitetin industrial të kompanisë Kurum dhe sasinë e eksporteve të mundshme drejt vendeve të tjera, përfshirë këtu Kinën.
Çështja e kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme nuk është e re. Në mars 2025 Citizens.al publikoi dëshminë e Jim Puckett dhe sinjalizuesit anonim, të cilët paralajmëruan se Shqipëria mund të ishte pjesë e një skeme më të gjerë trafiku mbetjesh dhe se dërgesa drejt Tajlandës mund të mos ishte rast i izoluar.
Në atë kohë Puckett kritikoi autoritetet shqiptare për zvarritje të hetimeve dhe për mos-ndjekje të zinxhirit të plotë të përgjegjësisë, përfshirë aktorë institucionalë.
Lexo: “Shqipëria po zvarrit hetimet për kontrabandën e mbetjeve toksike”
Po ashtu, Citizens.al raportoi më herët se Prokuroria e Durrësit pati mbajtur një vit heshtje lidhur me çështjen, ndërsa ngarkesa prej 102 kontejnerësh qe kthyer në Shqipëri pas refuzimit nga Tajlanda.
Për organizatat mjedisore, çështja e Durrësit nuk është vetëm një hetim penal, por një test për mënyrën se si Shqipëria do të trajtojë ekonominë e mbetjeve dhe përgjegjësinë mjedisore në raport me tregtinë globale.
Lexoni gjithashtu:
- 33 urdhër-arreste për kontrabandën e mbetjeve “Durrës-Tajlandë”
- Një vit heshtje nga Prokuroria e Durrësit për kontrabandën me mbetje të rrezikshme
- Tajlanda i kthen mbetjet Shqipërisë, BAN apel për hetime transparente

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.