Citizens.al

Rindërtimi, Bashkia Tiranë humb një tjetër gjyq me familjet e ish-komunales

Foto ilustrim nga dy familjet që fituan gjyqin/Citizens.al

Dy familje që strehoheshin dikur te ish-Komunalja fituan sot në Gjykatën Administrative përballë Bashkisë Tiranë, e cila i kishte përjashtuar nga programi i rindërtimit.

Ndërtesa ku ata ishin vendosur u dëmtua nga tërmeti dhe gjatë vitit 2023 u vendos të shembej.

“Ne kemi çuar 15 raste në gjykatë, nga këto janë fituar 5 deri tani dhe 1 është rrëzuar, nuk është pranuar,” tha për Citizens.al Gentia Sejrani, avokat i banorëve dhe përfaqësues i organizatës “Drejtësi Sociale”.

Përmes vendimit të sotëm, këto familje do të mund të përfitojnë bonus qiraje dhe do të kenë të drejtë për të marrë banesë sipas programit të rindërtimit.

Deri në vitin 2019, në ish-konviktet e Komunales në rrugën “Myslym Keta” strehoheshin rreth 90 familje. Tërmeti i 26 nëntorit të atij viti i detyroi të shpërnguleshin, pasi një nga godinat rezultoi e dëmtuar rëndë, dhe për shkak të pasigurisë bashkia vendosi ta shembë.

Por, përpos premtimeve për përkrahje sociale, pjesa kryesore e ish-banorëve sot janë jashtë programit të rindërtimit dhe pa bonus qiraje.

“Banorët tani janë me qira, në zona të ndryshme. Nuk përfitojnë bonus qiraje, e paguajnë nga xhepi, me plot mundime. Disa po jetojnë edhe te shtëpitë e të afërmve të tyre”, tha Serjani.

Një vendim i qeverisë në vitin 2009, ngarkoi Entin Kombëtar të Banesave për të vijuar procesin e privatizimit të dy ish-konvikteve të Komunales me banorët që ishin strehuar aty.

Në VKM-në e asaj kohe listoheshin të paktën 106 banorë përfitues ndërsa dhjetëra të tjerë thuhet se u lanë jashtë.

Sidoqoftë, një pjesë nuk arriti ta përmbyllë procesin për shkak të mungesës së informacioneve, ndërsa disa të tjerë për shkak të kushteve financiare.

Pikërisht mungesa e titujve të qartë të pronësisë ishte një nga shkaqet që bashkia Tiranë i nxori nga programi i rindërtimit.

Prej janarit të vitit 2024 banorët e mbetur pastrehë dhe pa bonus qiraje kanë protestuar disa herë para bashkisë.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW