Premtimi për të udhëtuar me tren nga Tirana në Durrës brenda pak minutash mbetet i parealizuar pavarësisht afateve.
Projekti i propaganduar nga qeveria i rehabilitimit të hekurudhës, i shpallur fillimisht si një nga investimet kryesore të transportit publik në vend, ka ndryshuar disa herë afatet gjatë katër viteve të fundit.
Ndërsa punimet raportohen drejt përfundimit në fund të 2026-ës, testimet dhe nisja e operimit pritet të vonojnë më tej duke e kthyer linjën hekurudhore në një tjetër projekt infrastrukture që mbetet për vite me radhë në pritje.
Treni s’do të niset as në 2026-ën, por mundet në tremujorin e parë të 2027-ës
“Ne besojmë se do të mund ta përfundojmë të gjithë projektin në fillim të vitit 2024”, shprehej në vitin 2022 ministrja e atëhershme e Infrastrukturës, Belinda Balluku – aktualisht e pandehur për abuzim me tenderë – gjatë shoqërimit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, për nisjen e punimeve të hekurudhës Tiranë-Durrës.
Von Der Leyen reagoi me habi: “Uau, në fillim të vitit 2024. Pastaj do të uleni në një tren dhe do të shkoni në bregdet”. Habia ishte e qenësishme, pasi projekti i ka shkelur disa herë afatet e shpallura.
Kur nisën punimet, Balluku deklaroi se ato do të përfundonin brenda 30 muajsh, ose në verën e vitit 2023. Më pas afati u shty për shtatorin e po atij viti.
Në prill 2023, gjatë fushatës për zgjedhjet vendore, Balluku inspektoi sërish kantierin me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, aktualisht i pandehur për korrupsion, duke deklaruar se hekurudha do të përfundonte në mars 2024.
“[…] është shumë e rëndësishme pasi lidh Tiranën me Durrësin, por […] edhe me portin e ri në Porto Romano përmes nyjës së Sukthit”, shprehej Balluku.
Në janar 2024, Hekurudha Shqiptare (HSH) i tha Citizens.al se afati ishte shtyrë për në tremujorin e parë të vitit 2025. Sot, sipas Hekurudhës, janë realizuar rreth 90% e punimeve. Afati zyrtar për përfundimin e punimeve mbetet dhjetori 2026, por jo nisja e operimit.
“Linja pritet të nisë testimet dhe operimin gjatë tremujorit të parë të vitit 2027”, tha HSH për Citizens.al.
Sipas HSH-së, vonesat lidhen me procesin e shpronësimeve për ndërtimin e linjës së re drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Ajo citon shtimin e një kontrate për ndërtimin e stacioneve, sistemimin e shesheve dhe elektrifikimin.
Kostot e rikthimit të hekurudhës në jetë
Projekti parashikon rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës, një terminal dhe ndërtimin e një linje të re (Domje-Rinas) drejt TIA, me një distancë totale prej 39 kilometrash.
Ai daton që prej vitit 2016, kur u përzgjodh si një nga projektet prioritare në Samitin e Parisit dhe siguroi financim përmes Kuadrit të Investimeve të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Po atë vit u mor edhe deklarata mjedisore nga Ministria e Mjedisit. HSH thotë se fillimisht u financuan rreth 72.3 milionë euro nga një marrëveshje kredie me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe një granti nga WBIF/BE.
Më pas u miratua edhe një financim shtesë po përmes një kredie nga BERZH, në vlerën rreth 40.7 milionë eurove. HSH sqaroi se ky rifinancim mbulonte indeksimin e çmimeve (29 milionë euro), ndërtimin e stacioneve hekurudhore (10.5 milionë euro) dhe supervizionin e punimeve së bashku me asistencën teknike (1.2 milionë euro).
Sipas HSH-së, vlera e përgjithshme e investimit dhe asistencës teknike arrin në rreth 113 milionë euro, ndërsa deri tani janë shpenzuar 108.9 milionë.
Por, parashikohet edhe një shtesë tjetër prej rreth 25 milionë eurosh në formë granti dhe kredie për projektin e elektrifikimit të linjës hekurudhore, e cila sipas HSH-së “do të jetë një kontratë e re (kontratë e tretë)”.
Projektet e mbetura rrugës në 2024-ën
Gjatë vitit 2024, rezulton se 210 projekte investimi të parashikuara dhe të buxhetuara nuk nisën të zbatoheshin.
Një raport monitorimi i organizatës Qëndresa Qytetare tregon se mosrealizimi i tyre ka krijuar vonesa shumëvjeçare, duke i privuar qytetarët nga përfitimet infrastrukturore.
“Nga 210 projekt-investime të parashikuara për vitin 2024 dhe të parealizuara, 112 lidhen me ndërtimin, mirëmbajtjen apo supervizionin e ujësjellësve”, thuhet në raport.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë rezulton me numrin më të lartë të investimeve të parealizuara në Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026, ku përfshihet edhe rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Terminali i pasagjerëve në Tiranë.
“Projektet që bien më shumë në sy për mosrealizimin janë ndërtimi i segmenteve rrugore, linjat hekurudhore dhe ujësjellësit”, thekson raporti.
Vlera totale e këtyre projekteve të parealizuara arrin në 11,956,313,051 lekë (rreth 124 milionë euro).
Lexo gjithashtu:
- “Kur do vijë treni?”; Vonesat e projektit hekurudhor Tiranë – Durrës rëndojnë në xhepat e qytetarëve
- “Treni nuk vjen as këtë vit”
- Treni “Tiranë-Durrës” nuk niset as në 2025

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).