“Konstruktive” e cilësoi kryeministri Rama bisedën e sotme me 35 përfaqësues të familjeve nga zona historike e Kalasë në Durrës. Ndërkohë banorët qëndrojnë ende me frikën se shembja e shtëpive të tyre mund të nis pas 10 ditëve.
“Nuk kam ardhur të diskutoj projektin, kam ardhur të diskutoj që vlera e dhënë është e padrejtë” – tha kryeministri Rama, gjatë takimit.
Sipas tij vlera e shpronësimeve për disa objekte që priten të shemben nuk është në përputhje me çmimet e referencës dhe priten që këto shuma të përcaktuara paraprakisht të rishikohen.
Gjithashtu disa prej banorëve u janë premtuar shtëpia në periferi nga Fondi i Banesave, por banorët thanë se u hodh në tavolinë edhe ideja e ndërtimit të një pallati “ku Bashkia t’i strehojë të gjithë”.
Arkitektja Entela Spahivogli, njëkohësisht edhe banore e zonës, tha për Citizens se e vetmja anë pozitive e këtij takimi është rifitimi i kohës që IKMT-ja mos të ekzekutojë vendimin e shembjeve, duke qenë se projekti po ridiskutohet.
Rikujtojmë se data 15 – 16 Shkurt është dhënë si afat për lirimin e banesave dhe pritet që shembjet e godinave të nisin 10 ditë më pas. Banorët nuk e fituan dot sigurimin e padisë pasi kërkesa për pezullimin e punimeve u hodh poshtë nga Gjykata Administrative më 12 Shkurt.
“Ishte presioni dhe protestat tona që e ulën kryeministrin në tavolinë” – theksoi Spahivogli.
Ndërkohë ajo shton se premtimi për rishikimin e disa godinave për nga vlera historike dhe arkitekturore, kërkesë që kryeministri e artikuloi sot, duhet të kishte ndodhur që para shkrimit të projektit.
“Do ketë prishje, projekti nuk do ndalet, por do bëjmë verifikime për disa shtëpi që janë trashëgimi kulturore të pretenduara, dhe një grip shtëpish që nuk kanë marrë regjistrim në hipotekë pavarësisht se janë aty prej shumë vitesh” – citoi Rama gjatë fjalës së tij pas takimit.
Pasi doli nga Bashkia e Durrësit, kryeministri u prit nga protestues të cilët e cilësuan “hajdut”. Rama u kundërpërgjigj për mediat se nuk ishin ata që kanë hallin, por ishin përfaqësues të opozitës.
Forcat politike të reja si Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet e kanë mbështetur kauzën e banorëve dhe kanë qenë prezent edhe në protestën e fundit të tyre, të mbajtur përpara Parlamentit.
“Vetëm dy ditë përpara se fadroma të “trokiste” për të shembur shtëpitë, Edi Rama shkoi për të “biseduar” termat e kapitullimit. Për të qetësuar gjakrat, kur banorët në të drejtën e tyre i kapën nga mënga e xhaketës të gjithë ata këshilltarë bashkiakë të padenjë e të pafytyrë për të ecur rrugëve të qytetit antik” – komentoi deputeti Redi Muçi takimin e së shtunës së një status në Faebook.
Projekti “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID” po financohet nga qeveria dhe bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Plani për zonën TID është miratuar që në shkurt 2021. Ai lidhet me nismën e qeverisë, pas tërmetit të vitit 2019, me planet e detyruara vendore për rindërtimin dhe zhvillimin urban.
Protestat e banorëve për të kundërshtuar projektin kanë nisur që në Shtator të 2025 dhe janë raportuar në vazhdimësi nga Citizens.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.