Citizens.al

Ndryshimet në Kod: Qeveria drejt një imuniteti të ri

Foto - Ilustrim nga Herti Maloku

Kryeministri Edi Rama mblodhi të hënën, më 16 shkurt, grupin parlamentar të Partia Socialiste, në një takim ku prezantoi një paketë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale.

Propozimet që priten të miratohen së shpejti, synojnë kufizimin e kompetencës së gjykatave për pezullimin nga detyra të funksionarëve të lartë kushtetues, duke hapur një debat të ri mbi raportin mes drejtësisë dhe pushtetit ekzekutiv.

Nisma e cila është depozituar tashmë në Kuvend, parashikon të prek Nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas këtij neni deri më tani, masa e pezullimit nga detyra nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, në kuptimin këtu deputetë, apo kryetarë të bashkive.

Ndërsa me formulimin e ri përjashtimi do të zgjerohet duke përfshirë shprehimisht edhe Presidentin, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrat, Avokatin e Popullit, Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.

“Nuk ekziston asnjë rast i vetëm në Evropë, në historinë e demokracisë, një i vetëm, ku të jetë pezulluar një anëtarë i qeverisë nga një prokuror….” tha Rama gjatë mbledhjes.

Sipas tij, Parlamenti do të shprehet fillimisht për kërkesën e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, për heqjen e imunitetit dhe më pas për ndryshimet ligjore të propozuara nga shumica socialiste. Çka do të thotë se edhe nëse këto ndryshime miratohen, nuk do të zbatohen për rastin e Ballukut.

Ndërkohë që seanca e tretë, pavarësisht zvarritjeve pa arsye të Këshillit të Mandateve, pritet të ndodh më 23 Shkurt. Ky takim u caktua edhe si rezultat i presionit të vazhdueshëm të aktorëve të shoqërisë civile, për të mos tejkaluar afatet e parashikuara mbi çështjen.

Ndërhyja e propozuar, tipar i vendeve jo demokratike

Citizens.al e ka analizuar më herët me ekspertë juridikë dhe ekonomikë, lëvizjen e fundit të kryeministrit, e cila është cilësuar si dilentatizëm.

Kujtojmë se para një viti ishte kryeministri Edi Rama që shantazhonte SPAK-un se mos të guxonte të mblidhte apo të konfiskonte telefonin e tij apo parlamentarëve të tjerë, ndërkohë që këtij vit presioni i ekzekutivit ka kaluar në një tjetër nivel.

Tashmë kryeministri po kërkon imunitet të shtuar për vete, ministrat dhe një sërë figurash politike, të përmendura si më sipër.

Imuniteti politik mbron zyrtarët e lartë nga presioni politik gjatë ushtrimit të detyrës, por nuk i bën të paprekshëm ndaj drejtësisë. Deputetët kanë mbrojtje të kufizuar (nevojitet miratim nga Kuvendi për masa sigurie apo arrestimi), ndërsa ministrat dhe kryeministri mund të hetohen kur ka dyshime serioze penale.

Sipas një vëzhgimi të kryer për statusin e imunitetit në vendet e Evropës, Citizens konstatoi se në Perëndim, në vende si Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, pushteti nuk të jep “imunitet” përballë ligjit.

Kryeministri dhe ministrat nuk kanë imunitet personal: nëse abuzon, hetohesh, gjykohesh dhe, nëse fajësohesh, dënohesh si çdo qytetar tjetër. Ideja është e thjeshtë: posti të jep përgjegjësi, jo mbrojtje speciale.

Në disa vende me demokraci më të brishtë, si Ukraina, ligji nuk i shpall të paprekshëm, por u vendos “filtra” përpara drejtësisë: gjykata speciale, vota parlamenti, procedura të gjata.

Ndërsa në sisteme politike si Turqia dhe Rusia, imuniteti i ekzekutivit është shumë më i fortë. Presidenti dhe ministrat e lartë mund të jenë praktikisht të paprekshëm ndaj hetimeve penale gjatë mandatit, gjë që i lejon ata të mbajnë pushtetin pa kontroll efektiv nga drejtësia.

Nëse një qeveri ndërmerr nisma për të zgjeruar imunitetin e ministrave dhe të kryeministrit në atë masë sa t’i mbrojë nga masat procedurale të gjykatës, kjo nuk përbën afrimin me standardet evropiane, por përkundrazi një largim prej tyre.

Praktika evropiane e shtetit të së drejtës bazohet në idenë se pushteti politik duhet të jetë i kontrollueshëm nga drejtësia, jo i mbrojtur prej saj.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW