Nga brigjet e Vjosës, në protestat për Valbonën, në kundërshtimin ndaj projektit të Skavicës apo devijimit të Shushicës, lumenjtë e Kaçinarit e Thirrës në Mirditë dhe Kurdarisë e Zall Gjoçajt në Klos e Mat, gratë kanë qenë aty.
Kanë organizuar, janë mobilizuar dhe kanë mbajtur gjallë barrën emocionale të konfliktit me komunitetin dhe institucionet. Por kur vjen momenti i “megafonit” shpesh zëri që dëgjohet është ai i burrave.
Mbrojtja e burimeve natyrore në Shqipëri nuk është vetëm betejë mjedisore. Për shumë vajza dhe gra është një përballje me strukturat e padukshme të një rendi patriarkal, që përcakton se kush ka të drejtë të flasë në emër të komuniteti.
Aktivizmi si akt i dyfishtë rezistence
Mëngjesi i një të shtune të janarit e gjeti Besjana Gurin në timon. Në Vlorë një grup vajzash dhe grash të angazhuara në komunitet e prisnin për të folur për aktivizmin. Aktivizmi këtë herë i dedikohej lumit, ashtu sikurse emri i qendrës që Besjana ka krijuar së fundmi.
Besjana e prezantoi aktivizimin mjedisor për mbrojtjen e lumenjve përmes fotove artistike dhe narrativës motivuese. Ishte e kollajtë t’i gjeje shembujt në tryezë, të moshave të ndryshme, por bashkë për një kauzë: për lumenjtë dhe mjedisin.
Për Besjanën aktivizmi për mbrojtjen e lumenjve nisi 12 vite më parë, kur u angazhua për mbrojtjen e Vjosës nga hidrocentrali i Kalivaçit.
“Më pas kam qenë në vijën e parë të betejës për t’a mbrojtur si Park Kombëtar.” tregon Besjana, e cila e vijoi aktivizimin edhe në grupet organizatore të protestave për Valbonën, Gurin e Bardhë dhe Zall-Gjoçajn.

Për Kerol Saçajn, aktualisht pedagoge në departamentin e biologjisë pranë universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, angazhimi në aktivizmin mjedisor ka nisur kur punonte pranë Basenit të Vjosës në sektorin e monitorim-kontrollit dhe dhënies së lejeve për subjekte që operojnë përgjatë lumit.
“Aty pata mundësinë të shoh nga afër veprimtaritë e ndryshme të subjekteve dhe ndikimin që ato kishin në ekosistemin e Vjosës. Kontakti i drejtpërdrejtë me problematikat mjedisore dhe pasojat e ndërhyrjeve njerëzore më bëri të ndërgjegjësohem dhe të angazhohem aktivisht”, tha Kerol për Citizens.al.
Sikurse në shumë reagime mjedisore të krijuara së fundmi në Shqipëri, ato vijnë pas ndërhyrjeve të befta në mjedis, pa procese konsultuese apo vënie në dijeni të banorëve.
Reagimi i Majlinda Hoxhës nga Dibra erdhi pikërisht si e tillë.
“Lindi si një nevojë për të folur kundër projektit Skavica si një ndër projektet më shkatërruese për Dibrën. Ndërkohë që çdo ditë e më shumë përballemi me sfida të reja ose të vazhdueshme mjedisore, të cilat duhen adresuar me urgjencë”, u shpreh Majlinda për Citizens.al.
Nisma e saj vullnetare tanimë mban emrin e organizatës “GARD” që lobon për mbrojtjen e mjedisit.
Hapësira publike si “territor mashkullor”
Ndarja mes privates dhe publikes ka qenë një nga mekanizmat themelorë të organizimit patriarkal. Gruaja, shpeshherë e lidhur me shtëpinë, kujdesin, riprodhimin e burri me pronën, tokën, përfaqësimin publik.
Ndaj edhe lumenjtë, toka, burimet natyrore perceptohen si pjesë e sferës së vendimmarrjes mashkullore.
Kur një grua del në krye të protestës, ajo nuk sfidon vetëm një projekt zhvillimor, por një rend simbolik.
“Të jesh grua aktiviste në Shqipëri në përgjithësi dhe në zonat rurale apo qytetet e vogla në veçanti nuk është aspak e lehte,” thotë Besjana.
“Si fillim nuk merresh seriozisht, sepse zakonisht janë komunitete që dominohen nga burrat. Të duhet shumë kohë që fjala jote të ketë peshë”, vijon Besjana.
Për Majlinda Hoxhën, aktivizmi në komunitete rurale e përforcon edhe më tej këtë qasje.
“Është tepër e vështirë duke pasur parasysh mentalitetin përqark dhe limitet që të imponohen duke të rikujtuar që je grua dhe vendi yt duhet të jetë diku duke gatuar gjellë apo larë rrobat, jo në krye të debatit për çeshtje që prekin të gjithë komunitetin”, tha Majlinda.
Sipas saj, paragjykimet kanë qenë të pashmangshme, mirëpo e ka ndjerë se duhet të ishte një zë më shumë në atë grup që dominohej nga meshkujt. Njësoj shprehet edhe Besjana.
“Por për mua mburoja ka qenë te të qenurit pjesë e një ekipi më të madh [ku benin pjesë edhe burra], gjë e cila më ka ndihmuar të kapërcej paragjykimet gjinore”, shprehet ajo.
Për Kerol, përvoja është më e butë në territorin ku ajo ka punuar, edhe për shkak se i ka parë këto sfida si motivim për të qenë më këmbëngulëse në aktivizmin e saj.
“[…] mund të jetë deri diku sfiduese, pasi herë pas here kërkon më shumë këmbëngulje për të dëgjuar zërin tënd dhe për të fituar të njëjtin vlerësim profesional”, u shpreh Kerol.

Ajo thekson se profesionalizmi dhe vetëbesimi kanë qene mburoja e saj.
“Kur je e sigurt në atë që përfaqëson dhe e mbështetur në dije dhe argumente, krion një qëndirm që nuk le shumë hapësirë për nënvlerësim”.
Por edhe në përvojën e saj ka pasur raste kur prioriteti i është dhënë një kolegu mashkull, zakonisht për shkak të moshës apo eksperiencës. Kjo tregon se hierarkitë gjinore shpesh ndërthuren me hierarki të tjera, moshën, statusin, pozicionin institucional.
Për Besjanën, dominimin nga burrat e kemi në raste konkrete të aktivizmit mjedisor dhe jo vetëm. Ajo përmend rastin e protestave kundër devijimit të Shushicës.
“Edhe ato pak gra që kanë qenë në protestë nuk mund të themi që e kanë drejtuar kauzën”, sjell në vëmendje ajo.
Presioni, lodhja dhe kostoja emocionale
Në zonat rurale apo qytetet e vogla, pjesëmarrja e grave në protesta mbetet më e ulët.
“Në një shoqëri patriarkale gratë e kanë më të vështirë të jenë zë i fortë,” thotë Besjana.
“Për rrjedhojë pjesëmarrja e tyre në protesta apo takime publike është më e vogël” vijon ajo duke shtuar më tej se shpesh gratë ndjehen më të cënuara se meshkujt dhe mund të jenë lehtësisht të intimidueshme.
Majlinda shkon më tej duke ndarë se stresi i dy viteve të para e çoi në një gjendje shëndetësore të rënduar.
“U lëndova aq shumë sa gati u sëmura nga stresi”, tregoi ajo, ndërsa shtoi se vendosi të vijojë punën vetëm me ata që ishin bashkëpunëtorë dhe kishin një vizion më ndryshe nga komuniteti rural.

Aktivizmi për gratë shpesh është më i kushtueshëm emocionalisht, sepse përballen jo vetëm me presion institucional, por edhe me gjykim social.
Për Kerol, pjesëmarrja e grave në protesta apo takime publike shpesh mund të bëhet më e vështirë për shkak të disa faktorëve socialë dhe kulturorë, si përgjegjësitë familjare, mungesa e kohës, apo pritshmëritë tradicionale që vendosen mbi rolin e tyre në shoqëri.
“Në shumë raste, barra e angazhimeve shtëpiake dhe kujdesit për familjen bie më tepër mbi gratë, duke ua kufizuar mundësinë për të qenë aktive në hapësira publike,” analizon Kerol.
“Një tjetër element mund të jetë edhe ndjesia e pasigurisë apo mungesa e mbështetjes sociale, sidomos në zona ku angazhimi publik i grave nuk është ende plotësisht i normalizuar”, vijon ajo.
Mes të trejave, mbështetja familjare del si faktor kyç. Besjana e quan “bekim” që e ka pasur. Majlinda, ndonëse u këshillua “të ruante veten”, nuk u la vetëm.

Kerol gjithashtu thekson mbështetjen e familjes.
“Mbështetja e tyre ka qenë një faktor i rëndësishëm që më ka dhënë siguri për të vazhduar përpara dhe për t’u përfshirë pa hezitim në çështje që i kam konsideruar të rëndësishme”, ndan Kerol.
Media dhe zëri i grave
Të treja bien dakord se zëri i grave ka qenë i nën-përfaqësuar. Besjana thotë se mungon synimi për ta përfaqësuar këtë zë në media.
“Zeri i grave në mbrojtjen e lumenjve është pak i përfaqesuar, shpesh janë gratë që hezitojnë të dalin apo të prononcohen, ndërsa nga ana tjetër mungon synimi i përfaqesimit të këtij zëri nga mediat”, u shpreh Besjana.
Megjithatë, ajo shprehet se zëri i saj tashmë është i konsoliduar.
“… por disa vite më parë mendoj që jam parë si një zë dytësor në betejën për mbrojtjen e lumenjve”.
Majlinda shprehet skeptike dhe ka zgjedhur të qëndrojë larg televizioneve.
“Në shoqerinë shqiptare një grua etiketohet më shpejt se një mashkull, qoftë edhe për t’u bërë meme e ditës”, ndan Majlinda.
Sipas një studimi të titulluar “Sfidat e grave mbrotjëse të të drejtave të njeriut në internet”, kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim tregon se gratë aktiviste punojnë në një klimë jo miqësore. Kërcënimet, bullizmi janë disa nga fenomenet që i prekin ato në hapësirën online.
“83% e të intervistuarave kanë raportuar se janë prekur të paktën një herë nga sulmet online në punën që ato bëjnë,”, thuhet në raport.
Me zhvendosjen e mediave tanimë në hapësirën online, është zhvendosur edhe gjuha e urrejtjes apo ajo seksiste.
“92% e të intervistuarave mendojnë se shkeljet dhe abuzimet online nuk trajtohen njëlloj me ato ‘offline’, duke theksuar se abuzimet në internet raportohen më pak dhe gjithashtu trajtohen me më pak seriozitet”.
Kerol, nga ana tjetër mendon se për një kohë të gjatë zëri i grave nuk ka pasur gjithmonë hapësirën e merituar në media, sidomos në çështje publike dhe vendimmarrëse.
“Megjithatë, vitet e fundit vihet re një ndryshim i dukshëm pozitiv. Gratë dhe vajzat po marrin gjithnjë e më shumë përparësi në raportim dhe prania e tyre në media është bërë më e dukshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për angazhime sociale, mjedisore apo kauza lokale”, shprehet ajo.
Lexo gjithashtu:
- Uji, pyjet dhe mjedisi: Betejat lokale të vitit 2025
- HEC-et në Kaçinar, banorët kërkojnë pezullimin e punimeve
- “Shushica nuk dorëzohet”, banorët dëbojnë makineritë nga kantieri
- “E zhduk Dibrën”, banorët i rikthehen protestave kundër Skavicës

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).