Me 74 vota kundër, 17 “pro” dhe 1 abstenim, projektligji “Për statusin e minatorit” u rrëzua në seancën plenare të së enjtes në Kuvend.
Orët e vona të seancës bënë që në sallë të mungonin 48 deputetë, të cilët nuk morën pjesë në votim.
Projektligji u propozua nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila u shpreh në Kuvend se statusi i minatorit është një premtim i përsëritur ndër vite edhe nga qeveria aktuale.
“Janë 13 mijë minatorë që preken nga statusi. Puna në miniera është nga më të vështirat. Sipas statistikave të qeverisë dhe INSTAT, 20% e aksidenteve në punë janë fatale. Shqipëria është kaq e pasur me burime, por edhe kaq e vjedhur,” tha Tabaku.
Ajo solli në vëmendje protestën e minatorëve, të zhvilluar çdo të enjte para Kuvendit prej pesë vitesh, për miratimin e statusit.
Për deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, në një vend mineralmbajtës si Shqipëria, statusi i minatorit nuk duhet të ishte më objekt debati.
“Të ardhurat nga minierat duhet t’u shkonin komuniteteve lokale jo në masën 5% si sot, por në 30%. Do të ishte zhvilluar industria përpunuese e mineraleve dhe do të ishte hapur një fond sovran për menaxhimin e të ardhurave nga nëntoka, edhe për brezat që do të vijnë”, u shpreh Muçi.
Ai theksoi se “në një vend normal statusi i minatorit do të ishte e drejtë themelore e panegociueshme”.
Partia që ai përfaqëson ka kërkuar prej vitesh miratimin e statusit dhe ka mbështetur protestat e minatorëve.
Ndërsa deputeti socialist Erion Braçe tha se PS mund të mos ketë bërë gjithçka, por “punëtorët e profesioneve të vështira kanë qenë në fokusin e saj.”
“Statusin e ushtarakut e kemi bërë ne. Statusin e pilotit dhe të nënujorëve e kemi bërë ne. Statusin për naftëtarin dhe metalurgun e kemi bërë ne. Kur kemi folur për këto statuse, ju keni votuar kundër,” u shpreh ai në Kuvend.
Sipas Braçes, minatorët nuk kanë një status të veçantë, por përfitojnë mbështetje përmes ligjit nr. 29/2019, i cili, sipas tij, adreson një pjesë të kërkesave që sot kërkohet të zgjidhen me statusin.
Ai shtoi se minatorët marrin pension suplementar, ndërsa pranoi se trajtimi i atyre që kanë punuar para viteve ’90 nuk është i njëjtë me ata pas viteve ’90.
“Për të parët kemi detyrim moral dhe diskutim të hapur, sepse kanë qenë të keqpaguar dhe ndryshimi i sistemeve uli vlerën reale të pensioneve të tyre,” tha Braçe.
Më herët, projektligji ishte rrëzuar në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut.
Projektligji parashikonte pension minimal në nivelin 130% të pagës minimale, dalje në pension pas 20-25 vitesh punë nëntokë, trajtim shëndetësor falas për sëmundjet profesionale dhe përfitime për familjarët në rast vdekjeje.
Minatorët dhe ish-minatorët kanë protestuar prej vitesh për njohjen e statusit dhe kanë ndërmarrë edhe nismën e një peticioni me nënshkrime.
Statusi i minatorit: një premtim i përsëritur politik
Në vitin 2009, kur Edi Rama ishte në opozitë, ai u premtoi ish-minatorëve të Gurit të Kuq në Pogradec miratimin e statusit brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Në vitin 2013, Rama erdhi në pushtet, por minatorët ende nuk kanë një status të veçantë ligjor.
Në tetor 2017, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, depozitoi në Kuvend një projektligj për statusin e minatorit, që parashikonte kontribut shtesë 5% të pagës bruto (2% nga punëmarrësi dhe 3% nga punëdhënësi), ndërsa diferenca financiare do të mbulohej nga buxheti i shtetit.
Mazhoranca e asaj kohe nuk e mbështeti projektligjin, duke argumentuar se do të sillte kosto të lartë për skemën e pensioneve.
Në prill 2018, gjatë një takimi me minatorët, Rama deklaroi se “këtë mandat kemi premtuar statusin dhe do ta mbajmë”.
Në qershor të atij viti, ministrja Olta Xhaçka deklaroi në Klos se drafti po shqyrtohej dhe do t’i nënshtrohej konsultimit publik.
“Po diskutohet, po shqyrtohet dhe shumë shpejt do të dalim me një draft që sërish do t’i hyjë një konsultimi publik për të marrë edhe dakordësinë tuaj,” theksoi Xhaçka.
Në të njëjtin vit, minatorët protestuan para Kryeministrisë duke paralajmëruar edhe grevë urie.
Në vitin 2020, ata i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10,700 firma, ku kërkonin rritje pagash, pensionesh, kujdes shëndetësor dhe sigurim jete. Kuvendi nuk dha përgjigje.
Më 30 tetor 2024, Kryeministri Rama deklaroi se statusi tashmë ekziston.
“Minatorët dalin në pension 10 vite më herët dhe përfitojnë njësoj si kategoritë e tjera të veçanta. Nga 270 milionë euro trajtime të veçanta përfshihen edhe minatorët,” tha ai.
Lexo gjithashtu:
- “30 vite në kërkim të statusit” – Minatorët nisin peticionin
- Minatorët e Kukësit i bashkohen peticionit për statusin
- Ish-minatorët në protestë, 3 dekada në kërkim të statusit

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).