Njëzet e gjashtë organizata mjedisore kanë kërkuar, përmes një letre të hapur, marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e mjedisit nga ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin.
Letra është shtyrë nga organizatat “AlbNatyra”, EcoAlbania, Qendra LUMI, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) etj.
Organizatat shprehin shqetësim për ndërhyrjet e kryera në lum në kuadër të punimeve për ndërtimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
“[…] gjatë zbatimit të punimeve janë evidentuar raste ku subjektet kontraktore shfrytëzojnë materiale inerte nga shtrati dhe/ose brigjet e lumit Shkumbin, duke shkaktuar ndryshime të drejtpërdrejta në morfologjinë e tij, si dhe depozitojnë dhera, gurë dhe materiale të përftuara nga gërmimet në shtratin e lumit”, thuhet në letrën drejtuar qeverisë shqiptare, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Autoritetit të Basenit Ujëmbledhës të Shkumbinit.
Organizatat i bazojnë pretendimet në vëzhgime në terren, raportime nga komunitetet lokale dhe dokumentime me foto dhe video.
Sipas tyre, këto ndërhyrje sjellin përkeqësim të cilësisë së ujit, dëmtim të biodiversitetit dhe të habitateve natyrore për shkak të rritjes së turbullirës dhe sedimenteve.
“Duket qartë që lumi ka pësuar një ulje të shtratit më shumë se 1m dhe si rezultat është bërë më i rrëmbyeshëm,” thuhet në letrën e hapur, teksa theksohet se shumë toka kanë pësuar rrëshqitje masive, deri në rrezik potencial për fshatrat përreth.
Grupi i organizatave e konsideron situatën një katastrofë mjedisore me ndikim të drejtpërdrejtë në biodiversitet dhe ekosistemin natyror.
Rrëshqitja e tokës në segmentin e rrugës kombëtare Librazhd-Prrenjas, në zonën e Dragostunjës, sipas tyre, përforcon shqetësimin për ndërhyrjet në brigjet e lumit Shkumbin.
Ndërhyrjet thuhet se kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të lumit, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur dinamikën e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth.
Organizatat rendisin një sërë shkeljesh të mundshme të legjislacionit shqiptar, duke përfshirë Kushtetutën, ligjin për burimet ujore, mbrojtjen e mjedisit, biodiversitetin, lejet mjedisore, menaxhimin e mbetjeve inerte si dhe parimet e transparencës dhe pjesëmarrjes publike.
Ato kërkojnë që autoritetet të monitorojnë dhe dokumentojnë mospërputhjet e ndërhyrjeve në terren sa i takon vendndodhjes, koordinatave, volumeve dhe periudhës së lejeve, si dhe të verifikojnë moszbatimin e detyrimeve për rehabilitim dhe nënkontraktimet e paautorizuara.
Mes të tjerash, organizatat kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve të paligjshme, monitorim të cilësisë së ujit dhe publikimin e rezultateve, rehabilitimin e segmenteve të dëmtuara, si dhe transparencë dhe akses në dokumente.
“Mbrojtja e lumit Shkumbin është një përgjegjësi institucionale dhe shoqërore”, përfundon letra publike.
Lexo gjithashtu:
- Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë me “kosto të padukshme” për lumin Shkumbin
- Tre ditë bllokuar: Rrëshqitja e dherave paralizon juglindjen

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).