Prej më shumë se katër muajsh, mbi dy mijë monopatina janë konfiskuar nga Policia e Shtetit, sipas vendimit të 13 tetorit 2024 të Ministrisë së Brendshme. Të mërkurën, “Qëndresa Qytetare” mbajti protestën e dytë kundër kësaj vendimmarrjeje, e cila vijon të penalizojë qytetarët në transportin e përditshëm.
Edhe pse autoritetet kishin premtuar masa konkrete për rregullimin e këtij sektori, përfshirë hartimin e një kuadri ligjor, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim i dukshëm nga institucionet përgjegjëse.
Kjo mungesë reagimi ka lënë qytetarët në pasiguri dhe konfuzion, ndërsa situata në terren mbetet e pandryshuar, me konfiskime të vazhdueshme dhe pa alternativa reale për transportin e përditshëm.
Një qytetare në protestë i tha Citizens se familja e saj ka pësuar rreth një milion lekë të vjetra dëm, për shkak të “rrëmbimit,” siç e cilësoi ajo, të dy monopatinave nga ana e policisë: një herë nipit dhe së fundmi vajzës së saj.
“Ministria gënjeu”
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” përgënjeshtroi ministren Albana Koçiu, e cila kishte deklaruar se monopatinat do të mbaheshin të konfiskuara vetëm për 30 ditë dhe më pas do të ktheheshin.
“Na tha se do të nxirrte rregulla që të mbani skafandër, që të ulni shpejtësinë. Mashtrim!” pohoi Xhemollari.
Ai shpjegoi gjithashtu se çështja e shumëdebatuar e faturave është e pavërtetë. Sipas ministrisë, qytetari duhet të jetë i pajisur me faturën e mjetit për ta rimarrë, por Xhemollari theksoi se, sipas ligjit, fatura kërkohet vetëm në një distancë prej 30 metrash nga dyqani.
Protesta qytetare u mbështet edhe nga përfaqësues të partive politike. Erald Kapri nga Partia Mundësia pohoi se ai personalisht ka depozituar një projektligj në Parlament, sipas praktikave të vendeve evropiane.
Ndërsa avokati i “Drejtësisë Sociale”, Gentian Sejrani, theksoi se i gjithë procesi është ndërmarrë dhe ka vijuar në paligjshmëri. Sipas tij, bllokimi i patinave ka nisur më datë 9, ndërsa udhëzimi i ministres është publikuar në Fletoren Zyrtare më 13 tetor.
“Të na sqarojë qartë Ministria se cila është arsyeja e bllokimit të monopatinave: është motiv ligjor apo infrastrukturor?” pyeti Sejrani.
Në protestë u ironizua edhe situata e bllokimit të rrugëve dhe lëvizja e kryeministrit me helikopter, ndërsa qytetarëve u kërkohet të ecin në këmbë.
“Përfaqësoj një biznes të vogël për riparimin e skuterave elektrikë dhe, logjikisht, duhet të marrim kredi, sepse një ditë të bukur, pa asnjë lajmërim paraprak, ministria pezulloi aktivitetin tonë,” tha një vajzë gjatë protestës.
Monopatinat problem, vetëm kur përdoren pa rregulla
Sipas të dhënave të një ankete të zhvilluar nga Citizens.al me 40 qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga aksioni policor, 90% e tyre e përdornin monopatinën për lëvizje të përditshme drejt punës, ndërsa 10% për shërbime delivery.
Kjo tregon se këto mjete janë kthyer në një alternativë reale transporti urban.
Shumica e të anketuarve (59%) raportuan se gjatë bllokimit nuk iu dha asnjë dokument zyrtar, ndërsa 65% u ndaluan në orët e mëngjesit, rrugës për në punë, duke e bërë ndërhyrjen një goditje direkte në rutinën e tyre të përditshme.
Pothuajse të gjithë (90%) e konsideruan aksionin të tepruar dhe të padrejtë, ndërsa asnjë nuk e vlerësoi si të drejtë apo të nevojshëm, çka nxjerr në pah hendekun mes perceptimit qytetar dhe justifikimeve institucionale.
Mungesa e monopatinës ka sjellë kosto të shtuara në kohë dhe para për 93% të të anketuarve, të cilët janë detyruar të përdorin transportin urban, ecjen apo taksitë.
Ndërkohë, 62% besojnë se monopatinat bëhen problem vetëm kur përdoren pa rregulla, ndërsa vetëm 20% i shohin si rrezik serioz. Në të njëjtën linjë, shumica mbështesin përdorimin e tyre në korsitë e biçikletave, por me kufizime dhe rregullore të qarta.
Lexoni gjithashtu:
Qytetarët në protestë për monopatinat, policia: Do të mbahen 30 ditë bllokuar
“U zgjuam ilegalë”, konfiskimi i monopatinave pa procedura të qarta

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.