Autore: Bardha Nergjoni | Elbasan | Citizens.al
Në javët e para të këtij viti, të cilat ishin me reshje të vazhdueshme, në Rrapishtë, pjesë e lagjes “5 Maji” të qytetit të Elbasanit, rrugët u mbushën me gropa uji dhe baltë.
Banorët u përpoqën të kalojnë pellgjet me çizme, me fëmijët në krahë ose me biçikleta që mezi lëviznin, të zhgënjyer edhe këtë vit nga premtimet e pambajtura ata theksojnë se kjo situatë përsëritet shpesh.
“Kështu është prej vitesh”, thotë Paqizja, një banore e vjetër e lagjes, duke treguar me dorë rrugën e pashtruar.
“Kemi kërkuar shumë herë, kam folur kudo. Na thonë do ta bëjmë, do ta bëjmë… dhe pastaj heshtje. Vetëm zona jonë është kështu. Pse? Se jemi romë.”
Në këtë zonë të “Rajonit 6,” që prej vitit 2005 banorët dëgjojnë se “rruga do të bëhet”. Kanë bërë kërkesa me shkrim, janë mbledhur gjatë procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje (një proces që përfshin qytetarët në përcaktimin e buxhetit) dhe kanë marrë pjesë në takime publike.
“E kemi bërë me qindra herë kërkesën. Duam që këtë rrugën tonë ta bëjnë. Lagjja jonë është katastrofë”, thotë një tjetër banore.
“Kemi 20 vjet që presim të na rregullohen rrugët, të pastrohet Manasderja dhe të kemi më shumë kosha. Që nga 2005 kjo situatë është këtu dhe rrugët shtrohen kudo, vetëm te ne jo”, thotë Kimete Ademi, e cila ka qenë e pranishme në shumë takime me bashkinë për të kërkuar ndërhyrje në sistemimin e rrugëve dhe pastrimit të lagjes.
Në tetor 2025, në shkollën “Qemal Haxhihasani” u zhvillua takimi për buxhetimin me pjesëmarrje për “Rajonin 6.”
Sipas procesverbalit zyrtar, ndër prioritetet e votuara nga banorët e lagjes “5 Maji, Rrapishtë” ishin asfaltimi i rrugëve “Hysen Alikopili” dhe “Kamber Xherija”. Emrat e rrugëve u hodhën në letër dhe kërkesat u renditën si prioritare.
Ndërkohë, Doris Madhi, këshilltare e opozitës në Këshillin Bashkiak, prezantoi peticionin e banorëve me firmat e tyre, i cili iu dërgua me e-mail të gjithë këshilltarëve, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar financimin e rrugëve të kërkuara nga komuniteti rom.

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, gjatë mbledhjes për miratimin e buxhetit prezantoi listën e investimeve në rrugë dhe infrastrukturë. Ai përmendi edhe rrugët “Xhaferr Belgu” dhe “Hysen Alikopili” si investime të ardhshme.
Megjithatë, sipas një përgjigjeje zyrtare që banorët kanë marrë nga bashkia, disa prej këtyre rrugëve nuk rezultojnë në planin aktual të investimeve.
“Procesi i konsultimit, nëse nuk merren parasysh prioritetet e banorëve, nuk ka vlerë”, thotë Ervis Çota, drejtues i Lëvizjes Rinore Egjiptiane Rome, i cili ka ndjekur të gjitha hapat institucionalë me banorët për të bërë realitet këto investime.
“Kërkesat tona pasqyrohen në listë, por kur vjen puna te fondet, na thuhet se nuk ka plan për investime ose se do të ketë financime nga fonde të tjera dhe jo nga buxheti i bashkisë.”
Ai ka shoqëruar banorët në disa procese vendimmarrjeje, por tashmë bashkë me ta shprehet i zhgënjyer për mungesën e finalizimit të investimit.
Në Rrapishtë, infrastruktura nuk është luks, por nevojë bazike: rrugë të shtruara që të mos përmbyten sa herë bie shi.
“Edhe ne njerëz jemi”, thotë Nazmi Kallku, një burrë i moshuar, duke parë fëmijët që luajnë pranë një pellgu balte. “Nuk duhet të vuajmë kështu.”
Ndërsa kërkojnë rrugë të shtruara dhe kanalizime funksionale, banorët e komunitetit rom në lagjen Rrapishtë ngrenë shqetësime edhe për shkollën e zonës.
Godina arsimore ndodhet në gjendje të degraduar, me infrastrukturë të amortizuar dhe kushte që, sipas tyre, nuk garantojnë një mjedis dinjitoz për fëmijët. Deri më tani nuk ka pasur investim konkret për rikonstruksionin.
Nga ana tjetër, bashkia deklaron se investimet për lagjen Rrapishtë pritet të mbulohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe se së shpejti do të ketë një përgjigje konkrete për ndërhyrjet e planifikuara. Banorët mbeten në pritje, me shpresën se premtimet do të përkthehen në investime reale që do të përmirësojnë jetesën dhe kushtet e arsimimit.
Dhe sa herë bie shi, Rrapishta rikujton se premtimet, pa asfalt dhe pa kanalizime, nuk thahen kurrë.
Lexo gjithashtu:
