Citizens.al

Mes renderëve dhe realitetit, në kërkim të Parkut të Besimit në Petrelë

Ilustrim grafik/Citizens.al

Ditëve të javës, kodrat e Petrelës vijojnë një përgjumje të gjatë e të heshtur, kryesisht për shkak të mungesës së vizitorëve. Kjo heshtje nis nga ullishtat, vazhdon mbi muret e kalasë dhe humbet në kthesat e rrugicave që lidhin qendrën e fshatit me rrugën kryesore drejt Tiranës.

Në një ditë të kthjellët, kryeqyteti duket pranë. Zhurmat e makinave në rrugën për në Elbasan dëgjohen deri lart. Një horizont vilash, pallatesh dhe kullash gri të kujton se metropoli është vetëm 15 minuta larg. Por në shtigjet e këtyre kodrave, ndjesia e afërsisë humbet shpejt.

Petrela mbetet një vend që duket sikur është gjithmonë pranë diçkaje, një zhvillimi të madh që mbetet në pritje prej kohësh, por që nuk ka ardhur kurrë.

Në hyrje të fshatit, pak pasi kalon restorantet e para, një tabelë e gjelbër e rrëzuar përtokë bën me shenjë për te “Faith Park” (Parku i Besimit). Sipër saj, një tabelë tjetër drejton për te “Kengo Art Park”. Më tutje, dy tabela të tjera të bëjnë konfuz (foto; foto).

Tabelat e rrugës për në Petrelë/Citizens.al

Ato duket se ngatërrojnë edhe vetë banorët, të cilët nuk dinë të thonë me siguri se cila është e saktë, ku është “Parku i Besimit” dhe ku “Kengo Art Park”.

Në fakt, “Parku i Besimit” nuk ekziston, së paku për momentin. Ndërsa “Kengo Art Park” është duke u ndërtuar. Por ka qenë një ditë kur të dy këto emra parqesh ishin i njëjti vend.

Ngjan si lojë fjalësh, por kjo është zanafilla e këtij reportazhi, dy projekte parqesh që ekzistojnë njëkohësisht si ide arkitekturore dhe si paqartësi lokale. Projekte që në prezantime shfaqen futuristike, ndërsa në terren ndeshin rrugë me gropa, mbetje urbane, ndërtime të braktisura dhe një komunitet që nuk ka informacion.

Konkursi ndërkombëtar në një ish-repart ushtarak

Më 11 tetor 2025, një varg makinash me zyrtarë dhe arkitektë të huaj u ngjit në anën perëndimore të Petrelës. Destinacioni nuk ishte kalaja, as restorantet e njohura buzë kodrës.

Ishin kapanonet e një ish-reparti ushtarak, poshtë rrugës “Sheh Mehmet Kuqi”, të cilat prej gushtit 2024 ishin kthyer në kantier ndërtimi për atë që zyrtarisht njihet si “Parku Tematik Kulturor Tirana Art Garden”.

Aty u prezantuan projektet finaliste për thirrjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare për “Parkun e Besimit” (Faith Park), një koncept-ide që synon të materializohet në kodrat verilindore mes Petrelës dhe zonës së Përsqopit, një sit arkeologjik ilir.

Pamje nga kodrat e Petrelës/Citizens.al

Sipas konceptit fitues – nga studioja daneze e Bjarke Ingels – “Parku i Besimit” nuk është thjesht park rekreativ. Ai është menduar si hapësirë ndërfetare, një kompleks që përfaqëson bashkëjetesën mes besimeve, një ide që politika shqiptare e përdor shpesh për prezantim ndërkombëtar.

Ingels është një arkitekt i diskutueshëm për impaktin që projektet e tij kanë pasur mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, përfshirë debatin mbi Teatrin Kombëtar dhe kullën “Pixel”.

Lexo: Bjarke Ingels në Petrelë: “Parku i Besimit” mbi zonën antike të Përsqopit

Ai propozoi zhvillimin e kodrave me një sistem shtigjesh të gjarpëruara bimësie në formën e një “peme të jetës”, që përfshin besimet me vlerat, simbolet dhe konceptet e tyre. Zona, sipas tij, zhvillohet njëkohësisht si park, muze, vend pelegrinazhi, meditimi dhe rekreacioni.

“Një hartë e evolucionit të rrugëtimit shpirtëror të njerëzimit mbi topografinë e këtij shpati mali që përshkohet deri në qiell,” u shpreh Ingels gjatë prezantimit në tetor.

“Kremtojmë harmoninë e besimeve fetare,” vijoi ai teksa në renderë shfaqeshin pemë dhe shkurre tropikale si palma apo frangipani.

Krahas kësaj ideje disi utopike, parashikohen edhe një fshat ekologjik, hotel, bare dhe restorante për akomodim, pra zhvillim imobiliar me një total investimi që kërkon rreth 23.5 milionë euro.

“Kengo Art Park” në fazë ndërtimi, shkurt 2026/Citizens.al

Në renderët e prezantimit, Petrela dukej si një peizazh mesdhetar i kuruar: ndërtesa shumëngjyrëshe të shkrira në relievin e gjelbëruar kodrinor.

Por në terren, në të njëjtën ditë, pranë kapanonit ku zhvillohej konkursi, punëtorët e kompanisë “Salillari” vazhdonin punën për parkun artistik “Tirana Art Garden”, i cili pak javë më vonë kur atë e vizitoi sërish Kryeministri Rama, u prezantua zyrtarisht “Kengo Art Park”, pjesë e një investimi rreth 3.5 milionë euro për transformimin e ish-bazës ushtarake në destinacion kulturor.

Kështu, projekti i së ardhmes “Faith Park” u prezantua mbi një projekt të së tashmes “Kengo Art Park,” që ende nuk ishte realizuar dhe madje ndryshoi emrin pa u hapur – u quajt në nder të arkitektit japonez Kengo Kuma.

“Kengo Art Park” duhej të kishte përfunduar në shkurt, por punimet pritet të zgjasin deri në shtator 2026.

Një projekt që Petrela e mësoi nga televizioni

Në sheshin e vogël pranë kalasë, dy lokalet e vetme kanë punë kryesisht pasditeve, prej muajit të Ramazanit.

Teksa binte muzg, dy burra rreth të pesëdhjetave prisnin që e zonja e një prej lokaleve t’u sillte kafenë. Pasi u prezantuam, i pyeta nëse dinin gjë për “Parkun e Besimit” dhe nëse po, se ku do të zhvillohej.

“E morëm vesh vetëm nga televizori, që erdhi Rama andej poshtë,” tha njëri prej tyre. “Por se ku do bëhet dhe çfarë është fiks, nuk dimë.”

Pak më poshtë, një banor i zonës po krasiste pemët buzë rrugës. Edhe ai nuk e kishte të qartë për çfarë bëhej fjalë për “Parkun e Besimit”.

“Më kanë thënë [se do të bëhet] nga ana tjetër, poshtë, nga ullishtat, afër zip-line,” tregoi ai. “Por s’na ka pyetur njeri, s’dimë gjë.”

Sheshi “Mamica,” Petrelë/Citizens.al

Prej tetorit 2025, askush në qendrën e fshatit nuk kishte informacione të tjera për projektin veç faktit se zonën e kishte vizituar dy herë Rama dhe se vizitat e tij i kishin parë në televizor.

Ky është dhe paradoksi i zakonshëm i zhvillimeve të mëdha në vendin tonë ku komuniteti që preket nga projektet është shpesh i fundit që merr informacion.

Në dokumente, informimi nis pas studimeve të fizibilitetit dhe vijon me konsultimet publike. Në praktikë, ai nis vetëm pasi projekti bëhet lajm në media.

Turizmi që erdhi vetë

Ndryshe nga burrat e fshatit, Xhulio, një i ri në të tridhjetat, e sheh ndryshimin si mundësi. Ai është ndër të kthyerit nga emigracioni dhe prej një viti drejton një biznes turizmi aventuror me ture quadbike në kodrat përreth Petrelës.

“Zona është ideale, me terren të përshtatshëm dhe peizazh fantastik,” thotë ai. “Afër Tiranës, por duket si larg.”

Sipas Xhulios, vizitorët kërkojnë më shumë se një destinacion dhe Petrela mundet t’ua ofrojë atë, pra kalanë, shtigjet, restorantet, natyrën dhe ndjesinë e një përvoje të përzier në një vend të vetëm.

“Sa më shumë aktivitete të ketë, aq më mirë për të gjithë sepse rrit ofertën turistike dhe kohën e qëndrimit të vizitorëve,” thotë ai.

Edhe Xhulio tha se nuk kishte informacion të zgjeruar për projektin, por u shpreh optimist se nëse ndërhyrjet e zotuara bëhen pa dëmtuar mozaikun historik e kulturor të zonës, do të sjellin zhvillim ekonomik.

Sipërmarrja e Xhulios, e cila ndërthur edhe risitë e tekonologjisë me rezervimet online, është në kontrast me hotelet dhe restorantet e kodrave përtej, që kanë mbyllur aktivitetin prej vitesh dhe shfaqen si relike të një turizmi që nuk u konsolidua kurrë.

Rruga ku fillon projekti

Për të parë zonën ku parashikohet ndërtimi i “Parkut të Besimit” duhet të ndjekësh rrugën e Durishtit në verilindje të Petrelës.

Asfalt nuk ka. Segmenti është me çakull dhe në disa pjesë i dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut (foto; foto; foto). Anash shfaqen ndërtesa gjysmë të braktisura: dy hotele dhe një tjetër i papërfunduar në majë të kodrës (foto).

Një nga shtigjet e devijuara prej rrëshqitjet e tokës/Citizens.al

Më tej shihen pirgje mbeturinash dhe inerte, ndërsa në thellësi një pjesë e kodrës është zhveshur nga bimësia. Kjo të sjell ndërmend zotimin që Ingels bëri gjatë prezantimit:

“Të gjitha ndërtimet do të bëhen në zona ku ka pasur gërmime. Nuk do të gërmojmë thuajse fare dhe nuk do të heqim asnjë pemë.”

Por të gjitha janë gjurmët e një optimizmi të vjetër, të asaj vale investimesh të viteve 2000-2010 kur Petrela shihej si periferia turistike e ardhshme e Tiranës, por që u tradhtua nga infrastruktura që nuk erdhi kurrë deri këtu.

Sot ato ndërtesa janë monumente të një zhvillimi që nuk u mbështet dhe nuk u materializua.

Dhe pikërisht mbi këtë terren planifikohet një projekt që entuziazmon edhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar si Bjarke Ingels, i cili e quan gjendjen aktuale si “një plagë” që duhet shëruar.

Por projekti i parkut përfshin edhe të paktën tetë parcela pronash private, dhe këtu nisin pyetjet kryesore.

Zona e Përsqopit njihet edhe për gjurmë arkeologjike ilire dhe mbetet e paqartë nëse preket zona e mbrojtur apo dhe ajo buferike. Pyetjet për këto shqetësime drejtuar Ministrisë së Kulturës, Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Korporatës së Investimeve nuk morën përgjigje.

Heshtja institucionale shpesh është forma më konkrete e informimit në projekte të tilla.

“Parku i Besimit” është ende një ide. Por në Petrelë ideja duket se ka nisur të ndikojë realitetin përpara se të ekzistojë fizikisht: në biseda, pritshmëri, çmime toke dhe vilash që reklamohen për shitje, si dhe në mënyrën sesi banorët e imagjinojnë të ardhmen.

Mes këtyre dy kohësh, kohës së projektit dhe kohës fizike, do të vendoset nëse vërtetë “Parku i Besimit” do të bëhet zhvillim, apo thjesht një tjetër premtim në rrethinat e Tiranës.

Deri atëherë, tabela e rrugës në Petrelë do të vazhdojë të tregojë njëkohësisht edhe “Faith Park” edhe “Kengo Art Park”, por askush nuk do ta dijë se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW