Dhuna vijon të jetë përditshmëri për gratë në Shqipëri, duke marrë forma ekstreme deri në humbje jete. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, të përpunuara në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, gjatë periudhës 2021-2024 janë vrarë 37 vajza dhe gra, ndërsa 27 prej këtyre rasteve janë klasifikuar si “femicid,” pra vrasje për shkak të gjinisë.
Gjetjet janë pjesë e analizës së “Observatorit për Femicidin,” një mekanizëm monitorimi i ngritur në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, i cili analizon rastet e dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave në vend.
Megjithatë, pavarësisht rritjes së vëmendjes institucionale, termi “femicid” ende nuk është i përkufizuar në Kodin Penal shqiptar, duke e bërë më të vështirë njohjen formale të motiveve gjinore në procedurat gjyqësore.
18 raste dhune ekstreme vetëm në vitin 2024
Gjatë vitit 2024, Observatori analizoi 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave. Këto raste përfshijnë jo vetëm vrasjet, por edhe forma të tjera të dhunës që mund të çojnë në pasoja fatale.
Nga këto raste, 5 ishin vrasje të grave, ndërsa vetëm 3 prej tyre u klasifikuan si femicid. Dy nga viktimat u vranë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa një rast përfshinte vrasjen e një gruaje nga fqinji i saj.
Sipas të dhënave të Observatorit për Femicidin, në 13 nga 18 rastet e marra në shqyrtim viktimat kishin përjetuar më parë dhunë nga autori.
“Duke konfirmuar se dhuna vdekjeprurëse shpesh është përshkallëzim i abuzimit të njohur më parë”, thuhet në të dhënat e përpunuara nga Observatori.
Nga këto 18 raste, në 5 raste viktimat kishin kërkuar ndihmë nga policia.
“Asnjë nga viktimat nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje në momentin e krimit”, theksojnë të dhënat.
Për këto raste janë identifikuar 19 autorë, prej të cilëve 17 ishin djem ose burra, ndërsa 7 prej tyre kishin rekorde kriminale të mëparshme.
Sipas të dhënave të Observatorit, viktimat ishin nëna të 33 fëmijëve, përfshirë 9 të mitur.
“Më shumë se gjysma e ngjarjeve (56%) ndodhën në zona rurale, duke nxjerrë në pah pasoja më të gjera sociale të dhunës ekstreme ndaj grave”, thuhet në të dhënat e mbledhura nga Observatori.
Sipas UN Women, në një tryezë të mbajtur për Ditën Ndërkombëtare të Grave, këto gjetje nxjerrin në pah boshllëqe të rëndësishme në identifikimin e hershëm të rrezikut, në parandalimin dhe në reagimin institucional ndaj dhunës ndaj grave.
“Këto të dhëna tregojnë se vetëm ligjet nuk mjaftojnë. Urdhrat e mbrojtjes duhet të zbatohen në mënyrë konsistente, rreziqet duhet të vlerësohen herët dhe institucionet duhet të punojnë së bashku për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës”, thekson UN Women në një deklaratë publike.
Mangësitë institucionale dhe mbrojtja ligjore
Raporti evidenton disa dobësi të vazhdueshme në reagimin institucional ndaj dhunës me bazë gjinore.
“Mungesa e njohjes së qartë ligjore të femicidit vazhdon të kufizojë njohjen formale të motiveve të lidhura me gjininë brenda procedurave gjyqësore. Në disa raste, dhuna paraprake ishte e njohur nga institucionet, megjithatë nuk ishin marrë masa aktive mbrojtjeje përpara ngjarjes”, thuhet në raport.
Sipas raportit, identifikimi i vonuar i rrezikut, zbatimi dhe monitorimi i dobët i masave mbrojtëse, si dhe koordinimi i pamjaftueshëm mes policisë, gjykatave, prokurorisë dhe shërbimeve sociale e shëndetësore janë disa nga faktorët kryesorë që çojnë në mosreagim institucional ndaj dhunës me bazë gjinore.
Në një tryezë të përbashkët të organizuar nga UN Women në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, me përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, u bë thirrje për të garantuar që gratë dhe vajzat të kenë akses të plotë në drejtësi.
“Me gjithë përparimin e bërë si rezultat i reformës në drejtësi, gratë vazhdojnë të hasin barriera kur kërkojnë drejtësi në rastet që kanë të bëjnë me dhunën me bazë gjinore, zgjidhjen e martesës, mbështetjen për fëmijët, pasurinë dhe aspekte të tjera”, thuhet në reagimin e UN Women.
Sipas organizatës, kostot e larta ligjore dhe të transportit, si dhe përgjegjësitë e përkujdesit për familjen, kufizojnë aftësinë e tyre për të kërkuar dhe për të marrë zgjidhje ligjore.
“Gjykatat dhe qendrat e ndihmës ligjore shpesh janë të përqendruara në zonat urbane, duke ua bërë grave në zonat rurale më të vështirë aksesin në to”, thuhet në deklaratën e UN Women në Shqipëri.
Sipas një raporti monitorimi të vitit 2025 të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, janë analizuar 479 raste të dhunës në familje të gjykuara gjatë tre viteve të fundit në shtatë gjykata në vend.
Sipas raportit, 108 viktima (22%) ishin të përfaqësuara nga një avokat, ndërsa 371 gra morën pjesë në procedura ligjore pa përfaqësim ligjor.
“Vetëm shtatë gra përfituan ndihmë juridike të financuar nga shteti”, thekson raporti.
Në rastet kur gratë kishin përfaqësim ligjor, gjykatat miratuan urdhra mbrojtjeje në çdo rast.
Sipas UN Women, kjo tregon se qasja në ndihmë juridike rrit gjasat për mbrojtje dhe se procedurat aktuale për ndihmë juridike falas duhet t’i përgjigjen natyrës urgjente të rasteve të dhunës në familje.
Lexoni gjithashtu:
- Dhuna digjitale ndaj grave në rritje, ligji shqiptar nuk flet për të
- Pandemia, politikat konservatore dhe rezistenca feministe në Ballkan
- 8 Mars 2025: Vajzat dhe gratë marshojnë për liri!

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).