“Revoltohu motër” ishte thirrja që mblodhi mesditën e “8 Marsit” vajza, gra dhe aktivistë në një protestë në sheshin “Nënë Tereza”.
Përmes një marshimi simbolik që përshkoi rrugët kryesore të Tiranës, protestuesit kërkuan barazi, mbrojtje nga dhuna, akses në drejtësi dhe përfaqësim real në vendimmarrje.
Ata theksuan se të jesh grua në Shqipëri shpesh do të thotë të jetosh me frikë, pasi diçka më shumë se gjysma e grave në vend (53%) kanë përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së tyre.
“Në vetëm tre vitet e fundit janë regjistruar mbi 15 mijë raste dhune në familje. Në këtë periudhë janë vrarë 32 gra dhe vajza”, u shpreh aktivistja Ermela Çelaku.
Marshimi u thirr nga Kolektivi Feminist në Shqipëri. Organizatorët theksuan se femicidi nuk është “krim pasioni,” por “rezultat i një shoqërie që ende nuk e vlerëson jetën e grave si të barabartë”.
Gjatë tubimit, vajzat dhe gratë ndanë edhe histori personale mbi presionin dhe kontrollin që përjetojnë në familje shoqëri dhe në hapësirën publike.
“Në moshën 18-vjeçare erdhi një valë emocionesh, zemërimi dhe nevoje për të eksploruar më shumë, për ta përmbysur botën e vogël në të cilën jetoja,” tregoi Entenela Ndrevataj, aktiviste feministe.
“Doja t’i shpëtoja emërtimit të ‘vajzës së mirë’, që më kufizonte edhe gjërat bazike: lëvizjen e lirë, oraret me kontroll, daljet natën, mënyrën se si vishem apo rolin tim në familje dhe mjedisin përreth,” vijoi ajo.
Për Ndrevatajn, rebelimi nisi me hapa të vegjël, pasi presioni dhe dhuna psikologjike ishin aq të forta “sa guxoja të ëndërroja për liri, por gjithmonë me hijen e frikës pas”.
Për aktivisten Deni Sanxhaku, në Shqipërinë e vitit 2026 të qenurit grua “nuk mjafton”.
“Duhet të jesh gruaja e dikujt, mamaja e dikujt, motra e dikujt. Duhet të jesh punëtore në fabrikë që të kujtojnë vetëm më 1 Maj. Duhet gjithmonë të jesh në raport me dikë tjetër që të njihen të drejtat e tua dhe të kesh mbrojtje apo solidaritet”, theksoi Sanxhaku.
Edhe puna e papaguar dhe barra e përditshme që mbajnë gratë në familje dhe në shoqëri ishte pjesë e mesazheve të marshimit, i cili përfshiu edhe përfaqësues grupimesh politike.
Aktivistja Albina Ruko, nga Lëvizja Bashkë, theksoi se gratë janë mësuar të luftojnë në heshtje.
“Të jemi të zonjat në punë, të jemi shtylla e familjes, të rrisim fëmijët me ëndrra dhe vlera. Unë besoj se vajzat tona duhet të jetojnë në një botë më të drejtë se ajo që kemi gjetur ne”, u shpreh ajo.
Në marshim pati edhe mesazhe solidariteti për gratë që përballen me forma të ndryshme diskriminimi, përfshirë gratë lesbike, biseksuale, transgjinore, rome, egjiptiane dhe gratë me aftësi të kufizuara.
Sipas aktivistes së komunitetit LGBT, Livia Zotrija, diskutimet publike të vitit të fundit rreth ligjit për barazinë gjinore kanë nxitur një klimë më armiqësore ndaj komunitetit.
“Përballë sulmeve fizike, dhunës verbale, linçimit publik dhe dehumanizimit që është ushqyer ndaj grave dhe vajzave lesbike, biseksuale dhe transgjinore. Jemi bërë shënjestër vetëm sepse ekzistojmë dhe sepse guxojmë të flasim”, u shpreh Zotrija.
Marshimi u mbyll përpara Kryeministrisë. Aktivistet nuk kursyen kritikat edhe ndaj gjuhës seksiste në politikë ndaj strukturave patriarkale në pushtet.
“Kur themi patriarkat kemi në mendje fytyrën dhe fjalorin e Taulant Ballës, shpërthimet e Edi Ramës; dhunën shtetërore në duart e oligarkëve nga Ulaj te Mane dhe gjithçka në mes,” u shpreh Diana Malaj, aktiviste e Grupit ATA nga Kamza.
“Aarrogancën e kryebashkiakëve të lirë apo në burg; dhe simbolikën e ‘Vilës 31’ si një art në shërbim të pushtetit”, vijoi ajo.
Përveç kërkesave për barazi dhe drejtësi për gratë në Shqipëri, protestuesit shprehën solidaritet edhe me gratë në vendet e luftës, si Palestina, Irani dhe Ukraina, të cilat sipas tyre përballen njëkohësisht me shtypje patriarkale dhe konflikte të armatosura.
Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, të përpunuara në vitin 2024 me mbështetjen e UN Women, gjatë periudhës 2021-2024 janë vrarë 37 vajza dhe gra në Shqipëri, ndërsa 27 prej këtyre rasteve janë klasifikuar si femicid, pra vrasje për shkak të gjinisë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Kolektivit Feminist në Shqipëri, të mbledhura përmes platformës “Counting Dead Women”, në tre vitet e fundit janë vrarë 32 vajza dhe gra nga bashkëshortët, partnerët, ish-partnerët apo familjarët. Në këto shifra përfshihen edhe gratë shqiptare të vrara jashtë vendit.
Lexo gjithashtu:
- 8 Mars 2025: Vajzat dhe gratë marshojnë për liri
- 8 Mars 2024: Vajzat dhe gratë marshojnë për siguri
- “PPP për Gratë”, aktivistet shpjegojnë tetë aksionet e këtij 8-Marsi

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).