Ilaria është një nga 14 gratë që humbën jetën gjatë vitit që lamë pas si pasojë e femicidit. Për të përkujtuar viktimat, Kolektivi Feminist, një grupim vullnetar aktivist, ndërmori një ndërhyrje urbane në qytet duke vendosur në mënyrë simbolike emrat e tyre në disa rrugë.
Ky aksion , zëvendësimi simbolik i emrave të rrugëve me emrat e grave të vrara, ka nxitur debat të gjerë në rrjetet sociale. Disa e konsiderojnë të paligjshëm, ndërsa për aktivistët ai është më shumë se një gjest simbolik: një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të ngritur një alarm për shoqërinë.
Patris Pustina, aktiviste e nismës “Counting Dead Women Albania”, tregon se puna për të dokumentuar këto raste është shpesh emocionalisht e rëndë. Shpesh ajo kërkon në rrjetet sociale të viktimave për të gjetur fotografi dhe për të kuptuar më shumë për jetën që ato kanë bërë.
“ Është shumë e rëndë. T’i memorializosh dhe t’i përkujtosh, siç bëmë dje me njerëz të tjerë në komunitet, është disi shëruese. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të mendosh që ato vazhdojnë të kujtohen, jo vetëm nga familjarët e tyre, por edhe nga njerëz që nuk i kanë njohur – gra si puna jonë, që e dinë se një fat i tillë mund t’i ndodhë secilës prej nesh.”
Ky aksion është një nga aktivitetet që i paraprin 8 Marsit. Përgatitjet për marshimin e kësaj dite nisin shumë më herët. Aktivistët mblidhen për të diskutuar moton, denoncimet dhe kërkesat e vitit, duke u bazuar në problematikat dhe nevojat që prekin vajzat dhe gratë në vend.
Gjatë viteve të fundit, grupimi është zgjeruar, duke përfshirë edhe aktivistë të nënshtetësive të tjera, të cilët kontribuojnë me ide dhe energji në organizim.
Një prej pjesëmarrëseve, Safira Boeder, e përshkruan përvojën në grup si shumë të fuqishme.
“Është shumë e fuqishme. Ndonjëherë është e vështirë të bësh këtë lloj angazhimi, sepse disa njerëz mund ta humbasin shpresën. Por në këtë grup ka aq shumë energji dhe forcë, sa të jep edhe ty shumë motivim.”
Edhe pankartat që përgatiten për marshimin bartin mesazhe të forta. Blini shpjegon simbolikën e pankartës së tij.
“Pankarta ime paraqet një grusht të mbledhur me çelësa mes gishtave. Është një simbol i frikës që shumë gra përjetojnë çdo natë kur duhet të kthehen në shtëpi. Ato duhet gjithmonë të vlerësojnë situatat dhe njerëzit përreth. Nuk mund thjesht të jetojnë të lira.”
Feminizmi i keqkuptuar
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, organizime të ndryshme komunitare dhe politike bashkohen në qytete për të ngritur zërin kundër padrejtësive që gratë përballen në shtëpi, në punë, në rrugë dhe në çdo hapësirë të jetës së përditshme.
Sipas aktivistes Albina Ruko nga Lëvizja Bashkë, përparimi drejt barazisë gjinore në Shqipëri shpesh ka mbetur më shumë në nivel deklaratash sesa në realitet.
“Kemi bërë regres, disa hapa pas. Ende flasim për kuota dhe për një propagandë të rreme për emancipimin e grave dhe mundësitë e barabarta. Edhe në politikë, shpesh gratë përdoren si numra dhe statistika për qëllime të tjera.”
Aktivistët theksojnë se angazhimi i tyre buron nga dëshira për të kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Në marshimin e 8 Marsit u bashkuan edhe shumë djem dhe burra, duke treguar se kjo është një çështje që prek të gjithë.
Bledi, një nga pjesëmarrësit, shprehet se nuk ndjen frikë gjatë aktivizmit, por është i vetëdijshëm për privilegjin që i jep fakti se është burrë.
“Ndoshta nuk më gjykojnë njësoj si gratë, sepse jam djalë dhe vij nga i njëjti komunitet. Por në fund të fundit nuk jam thjesht djalë; jam pjesë e një shoqërie më të madhe.”
Edhe aktivisti Erion Gjatolli thekson se përfshirja e burrave në këtë debat kërkon reflektim dhe gatishmëri për ndryshim.
“Shpesh burrat ndihen të sulmuar. Mendojnë se mjafton të thonë ‘jam për të drejtat e grave’ dhe e kanë bërë detyrën e tyre. Në fakt është më e vështirë, sepse duhet të jenë gati të heqin dorë nga disa privilegje që u duket sikur u takojnë.”
Së fundmi, feminizmi shpesh është keqkuptuar si një lëvizje që kërkon dominimin e grave apo që ushqen urrejtje ndaj burrave. Në thelb, ai synon drejtësi shoqërore dhe sfidon strukturat që prodhojnë pabarazi dhe dhunë.
Aktivistët theksojnë se qëllimi nuk është përçarja mes grave dhe burrave, por ndërtimi i një shoqërie ku të gjithë gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta.
Sidita Zaja thekson se dialogu mes dy gjinive është thelbësor.
“Shpesh krijohet përshtypja se feminizmi është urrejtje ndaj burrave. Por qëllimi është të bashkojmë dy botë – feminzimin që kërkon barazi dhe burrat që duhet të jenë pjesë e këtij dialogu. Sidomos të rinjtë duhet të përfshihen në këtë bashkëbisedim, për të kuptuar se të gjithë synojmë të njëjtën gjë: të drejta të barabarta për të gjithë.”

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.