Citizens.al

Rama në RIBA: Çmim për vizionin apo për betonin?

Kryeministri Rama dhe vlerësimi RIBA/Citizens.al

Kur një institucion prestigjioz arkitekture vlerëson dikë, zakonisht nënkupton konfirmimin e një vizioni të suksesshëm, apo një arritje të rëndësishme për të cilin ai ka kontribuar. Ky duket të jetë edhe rasti i Kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi është përfshirë në listën e nderit (Honorary Fellows) të Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanik (Royal Institute of British Architects, RIBA).

Por, a është modeli i zhvillimit urban të Tiranës dhe Shqipërisë një arritje që meriton të studiohet dhe të përkrahet ndërkombëtarisht? Apo kemi të bëjmë me çmim që vjen nga një keqkuptim “lost in translation”, ose nëse e çojmë më tej, një vlerësim i ndikuar nga influenca politike e Kryeministrit dhe sektorit të ndërtimit që e mbështet? 

Kontrasti mes imazhit ndërkombëtar dhe përvojës së përditshme urbane në vend më bën të them se është më shumë kjo e dyta.

Çfarë është lista e RIBA dhe paradoksi me Ramën

Instituti britanik, RIBA, njoftoi të enjten, datë 12 mars, se kishte përfshirë Ramën – dhe 26 të tjerë – në listën e anëtarëve të nderit.

RIBA, themeluar në vitin 1834, është një organizatë e vjetër me ndikim të gjerë ndërkombëtar në fushën e arkitekturës. Ky institut cilëson shpesh si anëtarë nderi individë që mund të mos jenë arkitektë, por që me punën e tyre kanë ndikuar në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e arkitekturës apo edukimit arkitektonik.

Në teori, një vlerësim i tillë nënkupton se personi ka ndikuar pozitivisht në mënyrën se si projektohen dhe zhvillohen qytetet. 

Por pikërisht këtu nis dhe paradoksi me rastin e Kryeministrit Rama. Çfarë është pozitive në zhvillimin që ai ka shtyrë përpara? Vertikaliteti? Xhentrifikimi? Zhdukja e hapësirave publike dhe identitetit historik?

Në diskursin ndërkombëtar, Rama e ka paraqitur veten si figurë e pazakontë politike: artisti që u bë ministër Kulture, pastaj kryetar i Bashkisë Tiranë, udhëheqës i Partisë Socialiste e më tej Kryeministër i vendit.

Rama u (ri)shfaq në politikën shqiptare në fundvitet ’90 si artisti dhe intelektuali i pavarur që kthehej nga mërgimi për të kontribuuar në vend. Projekti i parë publik i tij ishte ai për “të kthyer në identitet” vlerat arkitektonike të ndërtesave të ministrive në qendër të Tiranës, trashëgimi e arkitekturës fashiste.

Në fillim të viteve 2000, ndërhyrjet e tij urbane si kryebashkiak u bënë të njohura ndërkombëtarisht. Projekti i ngjyrosjes së fasadave të pallateve komuniste, hapja e shtratit të lumit Lana nga ndërtimet pa leje dhe krijimi i disa hapësirave të reja publike – “Parku Rinia”; “7 Xhuxhat” etj. – u interpretuan si përpjekje kreative për të ngjallur kryeqytetin nga tranzicioni i vështirë.

Kjo histori u përhap gjerësisht në mediat ndërkombëtare dhe në qarqet e arkitekturës si një shembull i një qasjeje të re urbane të një kryeqyteti post-komunist.

Por ndërsa ky imazh u konsolidua ndjeshëm jashtë vendit, prirja e zhvillimit urban në Tiranë, dhe më gjerë në Shqipëri, mori drejtim tjetër.

“Kumbari i kullave”

Në vitet që pasuan mandatin e parë si kryebashkiak të Ramës, zhvillimi urban në Tiranë u karakterizua nga një valë ndërtimesh. Pas pamjes prej çlirimtari vizionar dhe të rijetëzimit të hapësirave publike, Rama konformoi vrullshëm një bum të madh ndërtimi, të cilin e ushqeu me leje edhe për dy mandate si kryebashkiak i kryeqytetit.

Kryeministri Rama në festivalin B&H/Citizens.al

Ai e amplifikoi këtë prirje pasi kapërceu pushtetin, drejt qeverisë. Kjo kuptohet nga fakti se në një dekadë si Kryeministër, Rama ka shqyrtuar ose miratuar rreth 140 projekte kullash në Tiranë, shumë prej tyre në zona me rëndësi historike dhe në shkelje me planet urbanistike.

Rezultati është një tjetërsim i katërciptë i siluetës urbane të Tiranës, ku kullat shumëkatëshe janë tashmë elementi dominues i peizazhit të saj. 

Si për ironi, vetë tjetërsimi politik që ka ndërmarrë Rama mund të tregohet përmes gjymtimit që ai i ka bërë pikërisht projektit të parë që mori përsipër: ruajtjen e identitetit arkitektonik të Tiranës së vjetër.

Rama përçmoi dhe shembi me gjithë fuqinë e pushtetit të tij si Kryeministër godinën e Teatrit Kombëtar (2020) – trashëgimi e arkitekturës fashiste – vetëm e vetëm që t’i hapte rrugë projektit 34 katësh “Pixel Tower” (Bjarke Ingels/Fusha shpk) mbi një pjesë të pronës së teatrit.

Ngjashëm, për pallate e kulla, u rrafshuan shtëpi të vjetra tiranase rreth zonës historike të kryeqytetit, disa edhe pse kishin status monument kulture.

Ky transformim vertikal, vijoi duke bërë kurban edhe hapësirat publike. Nisi me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa,” që u bë i pari stadium me kullë në Evropë (Archea Associati/Albstar shpk) përmes një skeme partneriteti me privatin ku në fund, publike mbeti vetëm fusha e futbollit.

Ndryshimi në qasjen urbane të Ramës vihet re te transformimi e hapësirave që dikur përfaqësonin filozofinë e hershme të tij, si për shembull parku “7 Xhuxhat”, që dikur mbante me krenari një pllakë me mbishkrimin: “U çel […] me nismën dhe mbështetjen e […], Edi Ramës”.

Sot ai park është betonizuar nga projekti i një parkingu nëntokësor dhe kullës 40-katëshe Downtown One (MVRDV/Kastrati shpk), të cilës Rama ia dha lejen “symbullur” përballë shkeljeve që u bënë aty apo edhe te ish-Sheratoni, gjatë ndërtimit.

“Starkitektët” që legjitimojnë qasjen urbane

Nëse do të kërkonim një element karakteristik të modelit të zhvillimit që ka prodhuar Rama, ai është roli i studiove ndërkombëtare të arkitekturës. 

Shumica e kullave të reja në Tiranë mbajnë firmën e arkitektëve të njohur botëror (“starkitektë”), ndërsa arkitektët vendas kanë mbetur dytësor në këtë zhvillim – me përjashtim të dy-tre studiove të afërta me qeverinë.

Sigurisht, është gjë e mirë t’i hapesh një ekspertize ndërkombëtare. Por në këtë rast duket se modeli është kthyer në një skemë abuzive ku “starkitektët” sugjerohen nga Rama dhe lejet kushtëzohen vetëm nëse përfshihen ata që ai do.

“Starkitektët,” që në vendet e tyre të origjinës do ta kishin thuajse të pamundur të ndërtonin përbindsha betoni pa u vënë seriozisht nën trysni, përfitojnë dorë të lirë përimagjinatën e tyre dhe dëshirën e investitorëve për të kapur qiellin.

Duket si marrëdhënie “win-win,” Rama përfiton një “ushtri yjesh,” që i shërbejnë për diplomaci publike (askush prej starkitektëve nuk e ka kritikuar ndonjëherë Ramën për qasjen e tij të zhvillimit!), investitorët përfitojnë lirshëm projektet e tyre, pavarësisht se të gjitha shkelin planet urbanistike.

Në spektaklin politik që drejton Kryeministri, kjo marrëdhënie paraqitet si një lloj integrimi i Shqipërisë në arkitekturën botërore. 

“Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se Evropa,” tha Rama vjet në festivalin e parë të arkitekturës, “Bukë dhe zemër,” (Bread & Heart), që qeveria organizoi me rreth 150 arkitektë nga e gjithë bota. 

Ndërkohë, në shkurt, në themelimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes,” në Washington, ai tha se Shqipëria mund të ofrojë, “përveç parave, edhe arkitektë” me qëllimin e përbashkët, zhvillimin e një “oazi shprese ku e ardhmja të ngrihet dhe të formohet për brezat e ardhshëm të Palestinës”.

Nuk është e qartë çfarë ka nënkuptuar Rama me ofrimin e arkitektëve. Mbase e ka pasur fjalën për grupin e “starkitektëve” të festivalit “Bread & Heart”, që pas tetorit 2025, janë organizuar në fondacion dhe në janar të këtij viti “iu ofruan” në një takim konsultues Ivanka Trump-it kur ajo ishte për vizitë në Vlorë, si pjesë e takimeve për të diskutuar zhvillimin e Sazanit në një ishull turistik privat.

Kryeministri Rama duke diskutuar me arkitektë në festivalin B&H/Citizens.al

Kështu prirja për të përdorur “starkitektët,” mund të themi se krijon një formë legjitimiteti për projekte që në planin lokal janë shumë më të diskutueshme se zakonisht.

Emrat prestigjiozë të arkitekturës botërore krijojnë atë narrativën estetike të pakontestueshme, që shpesh e zhvendos debatin nga pyetjet më thelbësore: Kush përfiton nga këto ndërtime, sa të nevojshme janë, sa i shërbejnë ato qytetit, kush i merr përsipër risqet dhe sa transparente janë burimet e financimit të tyre?

Në një vend ku sektori i ndërtimit mbetet nën ujërat e turbullta të ekonomisë informale dhe rrjedhës së parave të krimit, këto pyetje do të duhet të bëheshin permanente.

Rama dhe qeveria e tij mund t’i shmangen sa të duan, madje dhe me vlerësime “alla-RIBA,” por trashëgimia që po lë pas në këtë drejtim, do ta përndjekë gjithmonë.

Një çmim edhe për betonizimin e bregdetit

Nëse Tirana ka qenë laboratori i modelit arkitektonik Rama, bregdeti shqiptar rrezikon të bëhet kapitulli i tij më i pakthyeshëm.

Në vitet e fundit, lejet për resorte turistike dhe komplekse të mëdha janë shtuar në mënyrë të ndjeshme. Në festivalin “Bread & Heart” kishte një kat plot me kësi projektesh vetëm për resortet.

Shpesh projektet po jepen edhe në territore me vlera të larta mjedisore, ose pranë zonave të mbrojtura. Organizatat e mjedisit kanë paralajmëruar prej kohësh shqetësimin se ky zhvillim pa kriter rrezikon të shkatërrojë asetet kryesore të natyrës shqiptare, ku ndër më të mëdhatë mbetet peizazhi bregdetar.

Çështjet më të nxehta aktualisht janë zonat portuale të kthyera në projekte madhore imobiliare: Marina e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Porto Palermo etj.

Ato që nuk janë përtypur ende, janë resortet masive në zonën e Rivierës, nga Karaburuni në Himarë, të cilat po hasin vështirësi të kenë furnizim me ujë të pijshëm dhe për këtë qeveria Rama po ushqen idenë që këtë ujë t’ia marrë fshatrave si Tragjasi, Dukati, Kuçi etj.

Paralelisht, projekti madhor “Blue Borgo” (Stefano Boeri/Gener 2 shpk), që parashikon gjysmë milioni metra katrorë ndërtim pranë zonës ligatinore të Vilunit në Velipojë, është hapi i radhës që rrezikon ta kthejë edhe bregdetin e veriut me të njëjtën masivitet ndërtimi.

Lehtësirat fiskale që ka ofruar qeveria për “investitorët strategjikë” që janë pas këtyre ndërtimeve, i ka zhveshur ata nga taksa mbi ingrastrukturën duke rritur kështu kostot dhe barrën publike për t’i shërbyer këtyre projekteve.

Sigurisht, vlerësimi nga RIBA nuk është i parëndësishëm. Ai konfirmon se Shqipëria është bërë pjesë e një diskutimi ndërkombëtar për arkitekturën dhe transformimin urban.

Por pikërisht për këtë arsye, ai e bën edhe më të dukshëm kontrastin mes dy realiteteve: narrativës së jashtme për një lider që ka sjellë arkitekturën në politikë dhe përvojës së ne vendasve, që e jetojmë realitetin jo si turistë përballë një vendi që po ndryshon me ritme të shpejta por rrallë me transparencë dhe konsensus publik.

Në këtë kuptim, përfshirja e Ramës në listën e RIBA mund të interpretohet në dy mënyra: si një medalje për një vizion personal urban, por edhe si një pasqyrë që reflekton kontradiktat e thella të transformimit që ai ka udhëhequr në Shqipëri.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW