Paraditen e së martës, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave “Drejtësi Sociale” dhe “Qëndresa Qytetare” dorëzuan një padi në Gjykatën Administrative të Apelit. Ata kërkojnë shfuqizimin e një udhëzimi të Ministrisë së Arsimit që detyron një kategori mësuesish të japin provimin e licencës.
Udhëzimi prek mësuesit që kanë përfunduar studimet sipas sistemit 4-vjeçar, para vitit 2011, pra jashtë sistemit të Bolonjës – që parashikon tre vite Bachelor dhe dy vite Master. Shumë prej tyre kanë mbi 15 vite përvojë në arsim.
“Ne kemi diploma të katërvjeçarit, që na njohin si mësues. Titullin e kemi në diplomë ku thuhet ‘mësues i anglishtes,’ ose ‘italishtes.’ Për vite me radhë na është thënë se kjo diplomë është më e vlefshme [se të tjerat] dhe nuk kemi nevojë për licencim”, u shpreh një mësuese që kërkoi të mbetej anonime.
Sipas saj, problematika është shfaqur gjatë procesit të dytë të kualifikimit 10-vjeçar.
“Kaluam fazën e parë dhe çdo gjë mirë, u regjistruam, morëm pikët, 30 në dosje. Të nesërmen na u tha se jemi s’kualifikuar, sepse duhet licensimi. Kam 13 vite pune dhe më kërkohet të provoj sërish profesionin”, tregoi ajo për Citizens.al.
Avokati Gentian Sejrani, përfaqësues i “Drejtësi Sociale”, e konsideron udhëzimin të paligjshëm dhe diskriminues. Sipas tij ligji për arsimin parauniversitar nuk i jep ministrisë të drejtë të vendosë kritere për përjashtimin nga kualifikimi.
“Krijon trajtim të pabarabartë mes mësuesve që kanë përfunduar në të njëjtën periudhë, por trajtohen ndryshe”, argumentoi ai, “kolegëve të tyre nuk u kërkohet licenca apo provimi i shtetit për të dhënë provimin e kualifikimit, ndërsa këtyre po.”
Sipas Sejranit, një numër i madh mësuesish njihen në sistem si të tillë, por përjashtohen nga kualifikimi për shkak të këtij udhëzimi që organizatat e dërguan sot në Gjykatë Administrative.
“Disa prej tyre kanë kaluar edhe faza të mëparshme të kualifikimit. Tani u kërkohet provimi i shtetit për të marrë një titull që e kanë fituar më herët”, shtoi ai.
“Nuk e kuptoj çfarë lloj logjike ka nga ana e Ministrisë së Arsimit, për sa i përket titullit, sepse ata e kanë marrë titullin nëpërmjet kualifikimit që ka bërë ministria e arsimit.”
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” theksoi se vendimi vjen në një moment kur sistemi arsimor përballet me mungesë mësuesish. Ai kujtoi se në qarqe si Dibra dhe Kukësi mungojnë mësues të matematikës dhe fizikës. Ndërkohë, 94% e mësuesve kanë mangësi në aftësitë digjitale.
Sipas Xhemollarit, udhëzimi vë në pikëpyetje edhe rolin e universiteteve.
“Ministria i thotë universitetit që kjo diplomë që ti u jep [mësuesve dhe], që i quan mësues, unë nuk e njoh, unë duhet t’i bëj edhe testin tim dhe pastaj t’i kualifikoj si mësues,” tha Xhemollari, sipas së cilit ministria ka marrë kompetencat e universitetit në kundërshtim me ligjin.
Aktualisht, sistemi i kualifikimit të mësuesve parashikon tre nivele: pas 5 vitesh titulli “mësues i kualifikuar”, pas 10 vitesh “mësues specialist” dhe pas 20 vitesh “mësues mjeshtër”.
Këto nivele shoqërohen me rritje page: 5%, 10% dhe 20%.
Në praktikë, për shkak të udhëzimit të vitit 2025, mësuesit që nuk kanë marrë provimin e licencimit mbeten jashtë procesit të kualifikimit. Kjo krijon pabarazi të drejtpërdrejtë në paga dhe trajtim profesional, krahasuar me kolegët e tyre.
Lexo gjithashtu:
- “Diferencimi në rroga dhe mungesa e pagës së 13-të po cenojnë dinjitetin”
- Shkolla nisi, ku janë nxënësit?

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).