Patronazhi politik është shndërruar në mekanizmin kryesor që po ushqen korrupsionin dhe po deformon qeverisjen në Ballkanin Perëndimor. Ky është përfundimi qendror i një raporti rajonal, i cili argumenton se skema e dikurshme “një votë për vend pune”, është shndërruar në një sistem kompleks varësie dhe kontrollesh politike që ka kapur shtetet.
Raporti, i titulluar “Patronazhi politik, një katalizator për korrupsionin dhe keqqeverisjen në Ballkanin Perëndimor,” vjen në një moment kur vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, janë angazhuar në reforma anti-korrupsion në kuadër të proceseve të integrimit europian, por që po kanë rezultate të kufizuara.
Analiza vjen nga “Southeast European Leadership for Development and Integrity” (SELDI) dhe sugjeron se arsyeja e këtij stanjacioni lidhet pikërisht me rolin e patronazhit politik, i cili vazhdon të funksionojë si një infrastrukturë paralele pushteti.
SELDI është një rrjet me mbi 30 organizata të shoqërisë civile në Evropën Juglindore, i cili prej më shumë se dy dekadash monitoron korrupsionin dhe politikat e qeverisjes në rajon.
Përmes instrumenteve të standardizuara, si “Corruption Monitoring System” dhe “State Capture Diagnostics,” ky rrjet ka ndërtuar një bazë të dhënash mbi mënyrën si funksionojnë institucionet dhe marrëdhëniet mes politikës dhe ekonomisë.
Raporti i fundit përfaqëson një vazhdimësi të këtyre analizave, por me fokus të drejtpërdrejtë te patronazhi politik si faktor kyç.
Në këtë kontekst, patronazhi nuk trajtohet si një fenomen periferik, i kufizuar në nepotizëm apo punësime partiake. Ai përkufizohet si një sistem marrëdhëniesh ku burimet publike – nga vendet e punës te shërbimet, lejet e ndërtimit, licencat, tenderët, koncesionet dhe kontratat – shpërndahen jo mbi bazën e garës dhe meritokracisë por “bindjes dhe besnikërisë politike.”
Kjo krijon një rrjet varësie, ku qytetarët dhe punonjësit e administratës lidhen me pushtetin jo përmes marrëdhënieve ligjore, por përmes marrëdhënieve informale. Raporti argumenton se pikërisht ky sistem po e kthen korrupsionin në një praktikë të organizuar dhe të qëndrueshme.
Kështu, në vend që të jetë një devijim nga rregullat, korrupsioni po bëhet pjesë e funksionimit të përditshëm të institucioneve. Në këtë kuptim, “patronazhi politik” po shfaqet si “katalizator” që lidh mes tyre abuzimin me burimet publike, kapjen e institucioneve dhe manipulimin e proceseve demokratike.
Në nivel rajonal, gjetjet e raportit tregojnë një model të përsëritur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Administrata publike rezulton e politizuar, me ndryshime të shpeshta në varësi të proceseve zgjedhore, ndërsa burimet shtetërore përdoren për të siguruar avantazh elektoral.

Institucionet e kontrollit, si auditimet, Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo drejtësia, thuhet se mbeten të ekspozuara ndaj ndikimit politik, duke kufizuar efektivitetin e tyre. Por, një element thelbësor që vë në pah raporti është normalizimi i këtyre praktikave në perceptimin publik, çka e bën sistemin më të qëndrueshëm dhe më të vështirë për t’u goditur.
Brenda kësaj panorame, Shqipëria paraqitet si një rast tipik i këtij modeli. Raporti evidenton se administrata publike në vend mbetet e lidhur ngushtë me partitë politike – partinë në pushtet, – ndërsa rotacionet shoqërohen me zëvendësime të gjera të stafit apo bordet drejtuese të kompanive shtetërore.
Kjo ka krijuar një strukturë ku karriera në sektorin publik varet më shumë nga lidhjet politike sesa nga meritokracia.
“[…] skenar praktik është manipulimi i proceseve të prokurimit: vendosja e kritereve të ngushta, përjashtimi i operatorëve konkurrues ose përdorimi i negociatave të drejtpërdrejta në favor të subjekteve të preferuara,” thuhet në raport.
“Këto praktika zbatohen përmes dokumentacionit teknik dhe procedurave që duken të ligjshme, por që në thelb synojnë të zvogëlojnë konkurrencën dhe të favorizojnë fituesit e lidhur politikisht,” vijon raporti.
Por, një nga aspektet më të ndjeshme lidhet me proceset zgjedhore. Përdorimi i burimeve shtetërore për mobilizim elektoral dhe presioni, shpesh indirekt, mbi punonjësit publikë për të mbështetur forca të caktuara politike, identifikohen si praktika që deformojnë edhe sistemin demokratik.
Në këtë mënyrë, patronazhi nuk shërben vetëm për shpërndarje përfitimesh, por edhe për mbajtjen dhe riprodhimin e pushtetit politik.
Po ashtu, raporti sugjeron se institucionet e pavarura në Shqipëri mbeten të brishta përballë ndikimit politik. Edhe pse në letër ekzistojnë mekanizma kontrolli, në praktikë autonomia e tyre kufizohet nga ndërhyrjet dhe presionet politike. Kjo situatë krijon një hendek të dukshëm mes kuadrit ligjor dhe zbatimit real.
Një nga gjetjet më të forta të raportit është dimensioni social i fenomenit. Në Shqipëri, si në pjesën tjetër të rajonit, patronazhi shpesh perceptohet si një mënyrë e zakonshme për të siguruar akses në shërbime apo mundësi punësimi. Kjo e bën sistemin vetë-riprodhues, pasi qytetarët, përballë mungesës së besimit te institucionet, i drejtohen rrjeteve informale si zgjidhje praktike.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, raporti sugjeron se Shqipëria ndan të njëjtat karakteristika strukturore, por me një theks të veçantë te lidhja e patronazhit me ciklet elektorale.
Kjo e bën sistemin më dinamik, por jo më pak të rrënjosur. Në vende si Serbia apo Mali i Zi, patronazhi paraqitet më i konsoliduar dhe i centralizuar, ndërsa në Shqipëri ai thuhet se “mbetet më fleksibël, por njësoj efektiv në ruajtjen e kontrollit politik”.
Në këtë kuadër, raporti ofron edhe një shpjegim për “dështimin relativ” të reformave anti-korrupsion.
Sipas analizës, shumica e reformave janë fokusuar te ndërtimi i institucioneve dhe përmirësimi i kuadrit ligjor, ndërsa kanë anashkaluar rrjetet informale të patronazhit që në fakt përcaktojnë mënyrën si funksionon pushteti.
Për këtë arsye, edhe ndërhyrjet e mbështetura nga Bashkimi Europian kanë prodhuar shpesh rezultate të kufizuara.
Në këtë kontekst raporti i SELDI-t sugjeron se korrupsioni në Ballkanin Perëndimor nuk është thjesht një problem i zbatimit të ligjit, por një model qeverisjeje i ndërtuar “mbi marrëdhënie patronazhi” dhe për Shqipërinë, kjo nënkupton se sfida nuk qëndron vetëm te forcimi i institucioneve formale, por te çmontimi i rrjeteve informale që vazhdojnë të përcaktojnë funksionimin real të shtetit.
Precedenti shqiptar me patronazhistët
Rasti më konkret që ilustron praktikën e patronazhit politik në Shqipëri doli në dritë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kur në media qarkulloi një databazë e madhe në format Microsoft Access me të dhëna të detajuara për qindra mijëra qytetarë.

Publikimet raportuan se databaza përmbante rreth 910 mijë votues në Tiranë dhe zona të tjera, një shifër që përfshinte praktikisht pjesën dërrmuese të elektoratit aktiv në kryeqytet.
Dokumenti përmbante jo vetëm të dhëna bazë identifikimi – si emri, numri personal, adresa, vendi i punës dhe kontaktet – por edhe informacione politike të strukturuara si preferenca partiake, kategorizimin si votues “i sigurt”, apo “jo”, si dhe shënime të tjera që në disa raste përfshinin problematika personale apo në marrëdhënie me institucionet shtetërore.
Një element kyç i databazës ishte kolona që identifikonte për secilin qytetar një person përgjegjës – të ashtuquajturin “patronazhist”. Ky individ, zakonisht i lidhur me strukturat partiake në terren, kishte për detyrë të ndiqte, përditësonte dhe ndikonte sjelljen elektorale të votuesve të caktuar.
Kjo e bënte databazën jo thjesht një listë, por një instrument operativ për mobilizim politik.
Rasti u bë publikisht i njohur si “lista e patronazhistëve” dhe ngriti shqetësime të forta për përdorimin e të dhënave personale, përfshirë dyshimet se një pjesë e tyre mund të ishin marrë nga sisteme shtetërore, si tatimet, regjistrat e gjendjes civile apo dhe vetë kompanitë.
Institucionet e mbrojtjes së të dhënave dhe organet e drejtësisë nisën hetime, ndërsa çështja u shoqërua me debat të gjerë publik dhe politik, pasi fillimisht u ndoqën gazetarët dhe media që e botoi e para si skandal: Lapsi.al
Nga ana tjetër, reagimi i Kryeministrit Edi Rama ishte si “patronazhist” ndaj praktikës. Ai e relativizoi fenomenin duke e paraqitur si një metodë organizimi politik të përdorur edhe nga partitë dhe vendet e tjera, duke mohuar shkeljet sistemike. Sipas tij të dhënat ishin gjeneruar nga vetë anëtarët e partisë.
Megjithatë, përtej debatit politik, rasti i vitit 2021 mbetet ilustrimi më konkret i funksionimit të patronazhit politik në Shqipëri në formë të strukturuar dhe të dokumentuar.
Ai dëshmoi se marrëdhënia mes partive dhe votuesve nuk ndërtohet vetëm mbi programe apo bindje ideologjike, por edhe mbi një sistem monitorimi dhe ndikimi të drejtpërdrejtë, i cili ndërthuret me aksesin në burime dhe informacione.
Në këtë kuptim, “skandali i patronazhistëve” përbën një precedent kyç për të kuptuar se si koncepti i patronazhit, i trajtuar në raportin e SELDI-t në nivel teorik dhe rajonal, ka marrë në Shqipëri një formë konkrete, të integruar në praktikën elektorale, por jo vetëm.
Rrjeti SELDI beson se kapërcimi i sfidave të paraqitura nga patronazhistët kërkon një qasje komplekse dhe shumëdimensionale.
“Kjo qasje duhet të përqendrohet kryesisht në profesionalizimin e mëtejshëm të sektorit publik, masa më të forta për të luftuar kapjen e shtetit dhe transparencë të përmirësuar në qeverisje,” thuhet në raport,
Objektivi është që, krahas krijimit dhe promovimit të një shërbimi publik të bazuar në meritokraci dhe llogaridhënie në prokurimet publike të garantohet gara, transparenca duke rritur kështu besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Lexoni gjithashtu:
- Rrëzohet vendimi i SPAK për sekuestrimin e Lapsi.al, për “patronazhistët”
- “Një fermë klikimesh”, aplikacioni që shpërblen me pikë postimet e PS-së
- Amnesty International dënon “patronazhistët” dhe shkeljet e të drejtave të njeriut

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.