Në Parkun Kombëtar të Shebenikut, një nga zonat më të pasura natyrore të Shqipërisë, një grup aktivistësh, përfaqësues të zonave të mbrojtura dhe të rinj u bënë bashkë për të mbjellë 50 fidanë pishe në një zonë të degraduar të parkut.
Aktiviteti, i zhvilluar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve ishte një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës, si dhe forcimin e lidhjes së komunitetit me natyrën.
Gëzim Shuli, nga organizata mjedisore lokale “AlbNatyra” tha për Citizens.al se u përzgjodh kjo zonë, pasi lidhet me nevojën për të rikuperuar zonat e eroduara të parkut.
“Me këtë synojmë që të kontribuojmë sado pak në shtimin e shumëllojshmërisë së këtij parku, por edhe pse jo të shtojmë sipërfaqen e gjelbër. Lloji që ne po mbjellim është pishë e zezë që është autoktone e këtij vendit këtu dhe po përpiqemi që në këto zonat e eroduara të shtojmë sado pak gjelbërimin”, u shpreh Shuli.
Sipas Gëzim Shulit, ky park është një nga parqet më të mëdha dhe më të mirë menaxhuara, ndaj është e rëndësishme të përçohet te komuniteti edhe përgjegjësia për ta ruajtur atë.
“Po përpiqemi që qoftë edhe me aktivitetet që ne po bëjmë të rrisim edhe sado pak ndërgjegjësimin e njerëzve, por edhe përfshirjen e komuniteteve dhe të rinjve në mënyrë që të lidhen më shumë me natyrën dhe ta mbrojnë atë për brezat që do të vijnë në të ardhmen”, u shpreh Shuli.
Pjesë e mbjelljes së fidanëve ishte edhe organizata LUMI. Besjana Guri, drejtuese e saj, vuri theksin te rëndësia konkrete e nismave të tilla.
“Janë zgjedhur patjetër pemë që i përshtaten terrenit dhe kanë shanse shumë të larta për të mbirë dhe për të mbijetuar dhe për të pasur për një periudhë rreth 10 vjeçare, një pyll në anë të rrugës, në fakt edhe një zonë që deri para pak kohësh ishte pre edhe e hedhjes së mbetjeve, pra ishte bërë një vendgrumbullim i paligjshëm”, u shpreh Guri për Citizens.al.
Sipas saj, ajo ç’ka synohet është që ky terren pas disa vitesh të ofrojë freskinë e parkut me pemët e rritura. Mes të tjerash, Besjana Guri, solli në vëmendje edhe përfshirjen e të rinjve në këtë proces.
“Është shumë e rëndësishme që brezat e rinj të jenë sa më shumë të angazhuar në punë konkrete. Ta njohin natyrën nga afër, ta duan atë, ta prekin, të dinë se si mund të mirëmbahen pyjet, se si ne mund të kontribuojmë konkretisht për mbrojtjen e parqeve tona kombëtare”, u shpreh Guri.
Pjesë e procesit të mbjelljeve në Parkun Kombëtar Shebenik ishin edhe përfaqësues të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Elbasanit.
Ardit Kullafi, drejtues i AZM-së Elbasan solli në vëmendje rëndësinë e parkut dhe shtrirjen e gjerë të tij. Ndërsa, nënvizoi rëndësinë për mirëmbajtje të parkut.
“Si çdo park edhe Parku Kombëtar Shebenik si pasojë e kushteve atmosferike dhe një pjesë përfshi edhe zonat e renduara dhe ka nevojë për mbjellje, për rigjenerim të natyrës. Dhe ky aktivitet i sotëm është një orientim i mirë, është një dëshirë e mirë e rinisë për këtë aktivitetet për shtimin e sipërfaqeve pyjore të parkut Shebenik”, u shpreh Ardit Kullafi për Citizens.al.
Për Xhek Nezhën, inxhinier mjedisi dhe pjesë e AZM-së Elbasan, qëllimi kryesor i parkut është konservimi i natyrës.
“Janë mbi 12 shtigje që janë markuar me sinjalistikë, ku përdoren për hiking (ecje). Kryesisht janë në drejtimet rreth liqeneve akullnajore, majat e Shebenikut, është shpella e akullit, shpella Eremitë e Kosharishtit”, u shpreh Xhek Nezha për Citizens.al.
Sipas Nezhës, parku ka një larmishëmri të madhe të biodiversitetit.
“Rreth 35% e florës së gjithë Shqipërisë ndodhet në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Kjo falë edhe disnivelit që ka, nga 270 metra mbi nivelin e detit deri në 2264 metra që është maja e Shebenikut”, nënvizoi Nezha.
Karakteristikë e veçantë e parkut është edhe përfshirja e pjesës jugore të tij në UNESCO.
“Në 2017 janë shpallur rreth 2200 hektarë trashëgimi natyrore botërore, pyjet e vjetra të ahut në zonën e Rrajcës. Kemi rreth 80% të bimëve medicinale që ndodhen në parkun Kombëtar të Shebenikut. Ka edhe pyje të tjera, pyje me halorë, pyje të pishës së zezë”, solli në vëmendje inxhinieri Nezha.
Të rinjtë që morën pjesë në mbjelljen e pishave, përshkuan më pas një pjesë të parkut, për të vizituar shpellën e akullit, një vendndodhje e shënjuar me sinjalistikë dalluese.
Parku Kombëtar i Shebenikut është shpallur i tillë në vitin 2008. Mban në vetvete dy lumenj kryesorë sikurse Bushtrica dhe Rrapuni si dhe 14 liqene akullnajore të vegjël, por me biodiversitet të larmishëm.
Lexo gjithashtu:

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).