Autorë: Besnik Boletini dhe Erisa Kryeziu | Kosovë, Shqipëri
Në fshatin Nashec të Prizrenit, lumit Drini i Bardhë i bashkohet një rrjedhë tjetër uji. Nga lart, nganjëherë duket si një degë e zakonshme lumi. Por mjafton t’i afrohesh për të kuptuar se diçka nuk shkon. Uji është më i errët, kundërmon dhe përhapet në lumin kryesor si njollë ndotjeje.
Ky nuk është një lumë. Është kanal i madh, që shkarkohet direkt në Drinin e Bardhë.
Gjatë verës, kur e vizituam këtë zonë, sasia e ujit ishte më e pakët. Banorët thonë se në këtë sezon ndotja duket më e kufizuar për shkak se ka më pak ujë. Në periudha të tjera, rrjedha është shumë më e madhe.
Megjithatë, edhe në këtë kohë, ndikimi në ndotjen e lumit ishte i dukshëm. Pamjet me dron tregojnë qartë dallimin mes ujit të Drinit dhe derdhjes së kanalizimit, si dy rrjedhje të ndryshme.
Kjo vendndodhje u identifikua përmes analizës së imazheve satelitore, ku derdhja e kanalizimit është e dukshme edhe në Google Maps.

Sipas banorëve të Nashecit, kjo gjendje vazhdon prej vitit 2005 dhe ka dëmtuar mjedisin përreth.
Shukri Quni, kryetar i fshatit, thotë se mbi 50% e ujërave të zeza të Prizrenit dhe disa fshatrave përreth përfundojnë në këtë pikë të Drinit të Bardhë.
“Ka qenë vend rekreativ për banorët, tani kundërmon kanalizim”, thotë Quni.
Ai tregon se më parë ishte planifikuar ndërtimi i një impianti trajtimi, por projekti nuk u realizua. Sipas tij, banorët ndihen të mashtruar, pasi nuk do të kishin pranuar vendosjen e tubacioneve nëse do të dinin se ato do të shkarkonin në lumë.
Nga Komuna e Prizrenit pranojnë se janë bërë studime fizibiliteti, por projekti mbetet i pazbatuar për shkak të kostos së lartë dhe mungesës së mbështetjes nga niveli qendror.
“Komuna nuk ka aktualisht ndonjë plan për këtë drejtim”, tha në përgjigje me shkrim komuna.
Në mungesë të impianteve funksionale të trajtimit, derdhja e ujërave të zeza në lumenj është bërë praktikë e zakonshme në Kosovë.
Egzona Shala-Kadiu, drejtuese e organizatës EcoZ thotë se vetëm 2% e ujërave të zeza trajtohen para shkarkimeve në lumenj.
“Pjesa tjetër 98 për qind, drejtpërdrejtë shkon në lumenj apo në gropa septike”, shpjegon ajo.
Përveç ndotjes nga ujërat e zeza, Drini i Bardhë mbushet me mbeturina të ndryshme urbane dhe përballet me ndërhyrje të paligjshme në shtratin e tij për nxjerrje të rërës dhe zhavorrit, që ka deformuar shtratin aq sa në disa vende të mos kuptohet qartë shtrati i vërtetë i lumit.
Këto ndërhyrje kanë rritur rrezikun e përmbytjeve në fshatrat dhe qytetet ku kalon Drini i Bardhë. Në janar të këtij viti, mbeturinat e grumbulluara bllokuan rrjedhën në disa ura, duke shkaktuar përmbytje në disa zona të banuara.
Ngjashëm përmbytje ndodhën edhe në vendet ku ka pasur gërmime në shtratin e lumit duke shkaktuar dëme në vlerë miliona euro.
Shiko videon për më tepër:
Përgjatë Drinit të ndotur: Ujëra të zeza, mbeturina, eksploatime
Drini i Bardhë, me gjatësi rreth 122 kilometra, përshkon Kosovën nga burimi në Radac të Pejës deri në Kukës, ku bashkohet fillimisht me lumin Luma e më tej me Drinin e Zi në liqenin e Fierzës.
Për këtë, ndotja nuk mbetet brenda kufijve të Kosovës. Ajo përcillet drejt Shqipërisë, sidomos gjatë janarit dhe periudhave ku ka reshje. Shtrati i lumit fryhet dhe merr me vete mbeturinat që grumbullohen anëve duke i sjellë në Kukës.
Ndotja në fakt fillon që në burim. Kanalizimet e restoranteve dhe shtëpive përreth derdhen direkt në lumë. Rreth 200-300 metra tutje gjendet një tub i madh kanalizimi dhe mbeturina – kryesisht plastike.
Problemi vijon në fshatrat e tjera të Pejës dhe Istogut. Një banor i fshatit Dubovë e Vogël (Istog), tha se shumica e shtëpive janë me gropa septike ose me kanale që shkarkojnë direkt në lumë. Ai cilësoi detergjentet si ndotësit më të rrezikshëm, pasi sipas tij japin efekt direkt negativ “te peshqit dhe gjallesat e tjera.”
Në fshatin pranë, Baicë, 15 vite më parë qe ndërtuar një impiant i trajtimit të ujërave të zeza. Por, i mbuluar nga bari dhe shkurret, ai duket se nuk funksionon.

I gjendur rreth 20 metra afër lumit, ujërat e zeza që vijnë aty, vijojnë dhe derdhen direkt në lumë duke treguar qartë se impiantet e tilla nuk mirëmbahen.
Fatlije Buza, udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, e konfirmon një problematikë të tillë.
“Askush nuk e merr në përgjegjësi [mirëmbajtjen], duhet ta marrë për shembull ose ndonjë kompani rajonale, ose ministria e Zhvillimit Ekonomi,” thotë ajo.
Monitorimi ynë vijoi përgjatë lumit në Rakovinë (Gjakovë), Çifllak (Rahovec) dhe Kramovik (Rahovec), ku krahas mbeturinave të ndryshme, ndotja shoqërohej edhe me shkarkime të paligjshme dhe degradim të thellë të shtratit të lumit nga aktivitetet nxjerrëse.
Ismet Kelmendi, kryetar i fshatit Rakovinë, tha se Drini i Bardhë është tejet i ndotur në këtë zonë. Sipas tij shkarkimet janë bërë nga banorët për të shmangur daljen e lumit nga shtrati.
“Janë bërë vetëm për të mbrojtur tokën bujqësore, sepse nuk vjen askush të ndërhyjë,” tregoi ai me vetëdijen se duke u munduar të mbronin tokat, banorët kanë ndotur lumin.
“Çifllaku kampion“
Fshati Çifllak i Rahovecit ishte zona ku konstatuam nivelin më të lartë të mbeturinave, por edhe degradim nga gërmimet.
Pamjet me dron treguan për dëmtime të rënda të shtratit të lumit nga marrja e paligjshme e rërës dhe zhavorrit. Si pasojë e gërmimeve, rrjedha e lumit është devijuar në disa anë.
Përveç kësaj, zona është kthyer në pikë grumbullimi mbeturinash të llojeve të ndryshme: plastikë, qelq, kanaçe, mbetje druri, shtylla betoni dhe inerte. Në këtë vend ishin hedhur edhe qindra goma, disa në breg dhe disa brenda në lumë. Mes tyre, qëndronte edhe një divan i hedhur mbi mbeturina.

Hedhja e gomave në lumë përbën rrezik serioz mjedisor. Me kalimin e kohës, ato çlirojnë substanca toksike dhe mikroplastikë, duke ndotur ujin dhe dëmtuar organizmat ujorë.
Gjithashtu, bllokojnë rrjedhën natyrore, ndryshojnë shtratin dhe krijojnë zona uji të ndenjur, duke rritur rrezikun për përhapjen e insekteve dhe sëmundjeve.
Edhe në Kramovik, fshatin fqinj të Çifllakut, degradimi i shtratit të Drinit të Bardhë ishte i dukshëm. Kjo ishte një nga zonat ku është nxjerrë më së shumti rërë dhe zhavorr, duke shkaktuar dëmtime masive.
Pamjet me dron treguan se në një hapësirë të kufizuar, pranë lumit, punonin të paktën tre impiante ndarëse (lavatriçe) për përpunimin e rërës dhe zhavorrit.
Sipas një raporti të Ministrisë së Mjedisit, publikuar në vitin 2022 dhe i bazuar në të dhëna deri në vitin 2018, përgjatë Drinit të Bardhë janë evidentuar 1,393 hektarë të degraduar. Në vitin 2008 kjo sipërfaqe ishte 861 hektarë, çka dëshmon për rritje të vazhdueshme të dëmtimeve.
Në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, dëmet përreth lumit ishin gjithashtu të dukshme. Në këtë zonë operojnë katër impiante për nxjerrjen dhe përpunimin e rërës dhe zhavorrit.

Përveç kësaj, banorët e fshatit, në mungesë të një zgjidhjeje tjetër, kishin vendosur tubacionin e kanalizimit drejtpërdrejt në Drinin e Bardhë, rreth një kilometër larg shtëpive.
Edhe pse vendi u vizitua në fund të gushtit 2025, në kushte thatësire, tubacioni vazhdonte të shkarkonte një sasi të konsiderueshme ujërash të ndotura në lumë.
Selami Hoti, kryetar i fshatit, tha se kjo situatë daton prej rreth 20 vitesh.
“E keqja është se jemi ndër fshatrat e vetme në Kosovë, që kemi paguar nga 60 euro për banor për ta çuar kanalizimin deri te lumi”, thotë ai.
Sipas tij, kërkesat për zgjidhje alternative nuk janë marrë parasysh nga institucionet. Ai thekson se lumi sot nuk mund të përdoret më si dikur, kur shërbente për rekreacion dhe vaditje.
“Sot ky ujë është i ndotur dhe askush nuk mund ta përdorë për asgjë,” thotë Hoti.
Përparim Krasniqi, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, pranoi se ata janë në dijeni të situatës, por theksoi mungesën e kapaciteteve financiare për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza duke shtuar se çdo vit kanë kërkuar mbështetje nga qeveria dhe donatorët.

Bazuar në projektet ekzistuese në Kosovë, ndërtimi i një impianti për qytetet kushton nga 20 deri në 40 milionë euro, në varësi të kapacitetit dhe teknologjisë.
Një tjetër burim ndotjeje
Duke ndjekur rrjedhën e Drinit të Bardhë, ndalesa tjetër ishte fshati Gjonaj i Prizrenit. Në këtë zonë, një tub i madh kanalizimi shkarkonte ujëra të zeza drejtpërdrejt në lumë.
Banorët na paralajmëruan për kundërmim të fortë për shkak të përmbajtjeve fekale. Uji i ndotur dallohej menjëherë nga ngjyra, sapo dilte nga tubi dhe bashkohej me rrjedhën e lumit.
Herolind Osmanollaj, kryetar i këshillit lokal, tha se bëhej fjalë për kanalizimin e rreth 5,000 banorëve. Sipas tij në kohë me shi kanali duket si ujëvarë.
Ai tha se lumi dikur ishte i pastër dhe përdorej për rekreacion dhe vaditje, por sot, situata është përkeqësuar ndjeshëm.
Rreth 20 metra nga lumi ndodhej një shtëpi me një pishinë të vogël plastike, një kontrast simbolik me gjendjen e lumit.
“Kërkojmë ndërtimin e një impianti për t’u zgjidhur ky problem”, theksoi Osmanollaj.

Peshkatari Granit Berisha shtoi se mbeturinat hidhen në pika të ndryshme përgjatë lumit dhe degëve të tij dhe kur niveli i ujit rritet, i merr të gjitha dhe i çon deri në Shqipëri.
“Kam parë mbeturina në Kukës që janë të paimagjinueshme”, u shpreh Berisha.
Në zonën mes fshatrave Lukinë dhe Romajë, një përrua ishte bllokuar nga mbeturinat, përfshirë edhe ato inerte para se të mbërrinte në Drin të Bardhë. Në këtë pikë, mbetjet digjeshin herë pas here. Pranë tij ndodhej edhe një tjetër tub kanalizimi, që përhapte erë të rëndë dhe shqetësonte banorët.
Në hyrje të Lukinës, buzë lumit, ndodheshin pirgje të paligjshme me mbetje inerte. Sezair Shehu, kryetar i fshatit, fajësoi individë të papërgjegjshëm dhe bëri apel për ndërhyrje urgjente.
“Dikur këtu laheshim dhe pushonim gjatë verës. Sot askush nuk hyn në lumë për shkak të ndotjes”, tha ai.
Si në shumë zona të këtij rajoni, edhe këtu ndërhyrjet me makineri të rënda si kamionë apo ekskavatorë kishin ndryshuar rrjedhën e lumit, duke krijuar gropa dhe rrugë në vend të shtratit natyror.
Peshkatari Hasan Qollaku tha se ndotja ka ndikuar drejtpërdrejt në zhdukjen e disa llojeve të peshqve dhe uljen e cilësisë së tyre.

Vërmica është pika e fundit në Kosovë, ku ndotja kalon në Shqipëri drejt Kukësit. Në periudha të caktuara, mbeturinat bëhen më të dukshme, sidomos gjatë pranverës.
Bujar Pulaj, kryetar i bashkësisë lokale Vermicë tha se ndotja e liqenit nuk fillon e as nuk mbaron aty, por vjen që nga burimi i Drinit të Bardhë.
“Zakonisht mbeturinat shihen më shumë në pranverë për shkak të reshurave që fillojnë në atë kohë. Në periudhën e dimrit Drini është më i pastër”, tha Pulaj.
Pulaj tha se e gjithë kjo ndotje po ndikon te zhvillimi i turizmit në Vermicë. Sipas tij, disa herë është tentuar të pastrohet liqeni, por ato kanë qenë pastrime simbolike dhe aksionet ditore bëhen vetëm në një pjesë.
Nga Vermica vijuam për në Morin. Edhe aty pamë ujë të ndotur e mbeturina që “notonin” sipër tij.
Në Morinë, ku edhe liqeni i Fierzës merr trajtë, ulja e nivelit të ujit gjatë verës të lejon ta përshkosh me makinë, gjë e cila gjatë muajve të dimrit dhe vjeshtës është e pamundur, pasi liqeni mbush shpatet e kodrave përreth.
Ajo çfarë mpakja e ujit gjatë verës lë pas është një mori mbetjesh, shumica prej tyre plastike të varura në shpatet e anësoreve të liqenit, tanimë të tkurrura nga rrezet e diellit.

Alban Xhaferri, guidë turistike në Kukës, tregoi se gjatë dimrit, Drini i Bardhë merr me vete mbetjet nga Kosova dhe i shpie në liqenin e Fierzës në Kukës.
Ky liqen u formua në vitin 1978, pasi u ndërtua diga e hidrocentralit të Fierzës, nga prurjet e lumenjve si Drini i Bardhë nga Kosova dhe Drini i Zi nga Maqedonia e Veriut.
Por, përtej shkëmbimeve ujore, prurjet e mbeturinave dhe derdhjet e ujërave të zeza kanë krijuar ndotje konstante, pa gjetur zgjidhje prej vitesh.
“Thuajse kudo, çdo vend i liqenit është i ndotur. Ndotjet vijnë nga Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, por edhe nga banorët thuajse nuk ka ndonjë ndërgjegjësim që të mbajnë pastër liqenin”, u shpreh më tej Xhaferri, sipas së cilit kjo ndotje po bëhet problem serioz.
Situata ka ndikuar edhe nismat turistike të Xhaferrit për të promovuar Kukësin dhe zonën përreth për sporte ujore apo guida turistike.
“Turistët nuk e shikojnë dot në këtë gjendje që është bërë në Kukës”, vijoi Xhaferri ndërsa shtoi se edhe pse u shpall fitues i një projekti “start-up” për blerjen e kajakëve për sporte ujore, për shkak të ndotjes masive që ka pasur liqeni, ka qenë e pamundur ushtrimi i këtij aktiviteti.

Edhe pse nuk ka asnjë banesë pranë liqenit në kufirin e Morinit, panorama që na u shfaq ishte me mbetje plastike nga përdorimi i përditshëm, qofshin ato mbështjellëse të ushqimeve, detergjenteve për pastrim apo orendi shtëpiake.
Mbetje këto, që kur u larguam nga Morini pamë se e shoqëronin liqenin në të gjitha anët e tij, me pirgje që qëndrojnë në rrëpira apo të grumbulluara në bimësinë që ka lënë pas tkurrja e liqenit.
Peshkatarët, të parët që ndjejnë pasojat e ndotjes
Gëzim Doci gjuan peshk në liqenin e Fierzës prej 25 vitesh. Sipas tij, ndotja e liqenit ka bërë që aktivitete tradicionale sikurse peshkimi në këto kushte të jenë jo vetëm të vështira, por edhe të papërshtatshme në aspektin e shëndetit publik.
“Jemi peshkatarë dhe gjysma e rrethit të Kukësit merren me këtë punë, për bukën e gojës. Ndotje janë shishet plastike, bagëtitë e ngordhura dhe liqenit i vjen shumë erë e keqe”, tregoi Doci.
Për shkak të ndotjes, por edhe gjuetisë së paligjshme po dëmtohen flora dhe fauna në liqen, ndërsa pasojat janë të drejtpërdrejta për ekonomitë familjare të zonës.
“Ndotja e dëmton shumë peshkun”, përfundon Gëzimi.

Për Bukurosh Onuzin, aktivist mjedisor dhe drejtues i organizatës “Ekologët për Rajonin”, me veprimtari në Kukës dhe zonën përreth, liqeni është pasuri e madhe, veçanërisht për sportet ujore dhe turizmin. Mirëpo, ndotja e ka frenuar këtë zhvillim.
“Një sasi e madhe mbetjesh na vjen nga Kosova,” tregon ai duke veçuar zonën që lidhet me Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin.
Sipas Onuzit, kjo gjendje ka ndikuar në krijimin e një “hot-spot”-i shqetësues.
“Krijon një grumbull mbetjesh që ndikon jo mirë në zhvillimin e turizmit dhe në performancën që ka bashkia dhe rajoni i Kukësit [për t’i pastruar]”, argumentoi Onuzi, sipas së cilit ndikimi direkt po haset te gjallesat ujore ku peshqit janë ralluar ndjeshëm.
“Ndikimi është i dukshëm. Nuk kemi shtim të popullatave të peshqve”.

Një rreth vicioz ndotjeje
Shirat e dhjetorit rritën nivelin e lumenjve dhe liqeneve. Bashkë me ujërat, u shtuan edhe mbetjet që ato sollën.
Në brigjet e liqenit të Fierzës, përkrah varkave të peshkatarëve, qëndronte një mjet i pazakontë: një varkë me kabinë xhami dhe mekanizëm grumbullues. Gjatë verës, tërheqja e ujit e nxori në breg. Në dimër, prej tre vitesh, ajo mbledh mbetjet që sjellin lumenjtë në liqen.
“Vitin e parë nxorëm rreth 20 tonë mbetje. Vitin e dytë, rreth 18 tonë, për shkak të rënies së shpejtë të nivelit të ujit. Këtë vit, me rritjen më të shpejtë të nivelit, po shfrytëzojmë çdo mundësi për të nxjerrë sa më shumë mbetje,” tregoi Lulzim Baumann, aktivist mjedisor dhe ekspert i ekonomisë qarkulluese.
Varka, e sjellë nga Gjermania përmes start-up-it “Everwave” dhe e menaxhuar nga “RecycAl – Recycling Albania”, i është vënë në dispozicion Bashkisë Kukës si një mjet ndërhyrjeje.
Ndërsa varka punonte në ujë, liqeni mbulohej nga mjegulla e dendur e dimrit. Mbi sipërfaqe pluskonin mbetje plastike, që herë shtyheshin nga era e herë grumbulloheshin në brigje.

“Plastikën e mbledh kompania ‘Everwave’ me stafin e saj. Ne e nxjerrim në breg. Bashkia merret me transportin dhe depozitimin për ndarje. Pjesa e riciklueshme merret nga kompania, ndërsa mbetjet e pamenaxhueshme përfundojnë në vend-depozitim”, shpjegoi Valdet Cenaj, përgjegjës nga sektori i pastrimit në Bashkinë Kukës.
Bujar Pulaj nga Vërmica tregoi se kishte kërkuar që kjo varkë të përdorej edhe në Kosovë, përmes një marrëveshjeje sezonale me Bashkinë Kukës. Kjo pasi, sipas tij, nëse mbetjet ndalohen në burim, ose përpara se të kalojnë kufirin, rezultati i pastrimit në liqen do të ishte më i lartë.
Në anën tjetër Baumann thekson se është e vështirë të thuhet për një zgjidhje konkrete e aq më tepër të përcaktohet sasia totale e mbetjeve, pasi ato vijnë nga tre shtete të ndryshme.
“Kontributi kryesor negativ vjen nga Kosova. Një pjesë nga Maqedonia e Veriut përmes Drinit të Zi, ndërsa një pjesë, edhe pse më e vogël, gjenerohet nga vetë Kukësi”, tregoi ai.
Problemi me ndotjen në Drin, sipas Baumannit, është i vazhdueshëm, por që ai pajtohet se qasja fillestare për të frenuar prirjen është ajo e ndalimit në burim.
Sipas tij, problemi mbetet se çdo ditë ka prurje të reja mbetjesh.

“Duhet të pranojmë që kjo situatë mund të vazhdojë edhe për 20-30 vite në momentin që nuk ndalohen mbeturinat në burim dhe ky është qëllim ynë kryesor”, tha Baumann.
Pjesa dërrmuese e mbetjeve është plastikë. Rreth 80-90% e volumit janë nga ky material flluskues që noton mbi sipërfaqen e liqenit. Kryesisht janë shishe uji, teksa Baumann tregon se plastikat më të rënda fundosen.
Për këtë ai thotë se ka pritshmëri të larta se fundi i liqenit të ketë sasi të shumta plastikash të rënda.
Sipas Baumannit, ndikimi është i drejtpërdrejtë dhe afatgjatë.
“Plastika degradohet nga dielli dhe përplasjet me njëratjetrën, duke kaluar në mikroplastikë, kështu ajo hyn në zinxhirin ushqimor, te peshqit dhe më pas te njeriu. Impakti në shëndet është i pashmangshëm”, shpjegoi ai duke theksuar se pse plastika nuk e ka vendin në liqen.
Baumann paralajmëroi edhe për ndotjen biologjike dhe kimike që kanë këto mbeturina. Sipas tij, shumë nga mbetjet në lumin e Drinit dhe liqen janë të kontaminuara me detergjentë dhe metale të rënda. Ai theksoi se pavarësisht se ato shpëlahen, ndotësit e tyre mbeten në ujë duke mbetur faktorë rreziku.
Cenaj tregoi se Bashkia Kukës disponon dy vend-depozitime mbeturinash: një për mbetjet urbane dhe një tjetër që synohet të përdoret për mbetjet e gjelbra dhe kompostim.

Megjithatë, vendgrumbullimi ekzistues, i vendosur në pjesën kodrinore mbi liqen, krijon një tjetër burim ndotjeje. Nga larg, ai dukej si një vijë që derdhej në ujë, për shkak të rrjedhjeve nga mbetjet.

Liqeni i Kukësit, depozitë e ndotjes
Në luginën e Drinit, pranë fshatit Bushat (Bicaj), dy djem të vegjël ndiqnin bagëtitë në kullotë.
Por në vend të barit, toka ishte mbuluar nga një shtresë e dendur mbetjesh plastike. Lopët lëviznin mbi plastikë, në përpjekje për të gjetur bar. Për djemtë dukej se kjo pamje ishte e zakonshme. Edhe për bagëtinë.
Pak më tej, lumi i Shejës, i dobësuar gjatë verës, përballej me një pritë mbetjesh tashmë jashtë funksioni. Struktura, e ndërtuar për të ndaluar ndotjen, ishte zhvendosur dhe nuk kryente më rolin e saj.
Në anën tjetër të luginës, pranë urës së vjetër të Kolcit, ku kalon lumi i Lishnicës, shikoheshin pirgje inertesh nga kromi.

Situata përkeqësohet më tej në pjesë të tjera të luginës së Drinit. Inertet e ish-uzinës së shkrirjes së bakrit gërryhen çdo vit nga ujërat që rriten në dimër.
Këto materiale përziheshin me mbetje plastike, mbetje ndërtimi dhe grumbuj gomash makinash.
Në afërsi, disa shtëpi qëndronin pranë zonës së ndotur, ndërsa bagëti të tjera kullosnin pa u shqetësuar nga ndotja.
Studimi: Ndotës kimikë dhe medikamente në ujë
Një raport i viteve 2023-2024, i realizuar nga studiues suedezë të Bordit Administrativ të Qarkut Dalarna, ka nxjerrë në pah ndotje të shumta në Drinin e Bardhë dhe pellgun e tij.

Studimi konsiderohet ndër më të plotët për këtë zonë. Mostrat e ujit u analizuan në laboratorë në Suedi, përfshirë analiza kimike dhe metoda të bazuara në efekte biologjik.
Nga 26 grupe kimike të analizuara, 9 u identifikuan në ujërat sipërfaqësore.
“Në shumicën e mostrave u gjetën ndotës që dëmtojnë qelizat dhe mund të ndikojnë në sistemin hormonal”, thuhet në raport.
Analizat zbuluan prani të metaleve të rënda, pesticideve, substancave nga plastika (ftalate), produkteve farmaceutike dhe komponimeve PFAS, të njohura si “kimikate të përjetshme”. Këto kimikate nuk shpërbëhen lehtë në natyrë.
“Problemi masiv me mbeturinat në lumenj dhe përrenj duket se rezulton në ndotës në ujërat sipërfaqësore, për shembull organofosfatet, të lidhura posaçërisht me produktet plastike (shishet), u matën në të gjithë trupat ujorë”, thuhet në raport.
Një ndër segmentet e veçanta të këtij monitorimi ka qenë edhe analizimi i lëndëve farmaceutike në pellgun e Drinit të Bardhë.

Nga 109 substanca të testuara, u identifikuan 34. Mes tyre dominonin antibiotikët, psikofarmaceutikët, ilaçet antiepileptike dhe antiinflamatore.
Përqendrimi më i lartë u regjistrua në Skenderaj në vitin 2024, për ilaçin e diabetit Metformin.
Ndërkohë, edhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) në Shqipëri ka evidentuar prani të kadmiumit dhe plumbit (metale të rënda helmuese) në disa zona të monitoruara.
Sipas raportit, ujërat klasifikohen në kategorinë e parë sipas standardeve shqiptare, por paraqesin cilësi më të dobët sipas Direktivës Kuadër të Ujit të BE-së.
Aktiviteti minerar dyshohet si një nga burimet kryesore të metaleve të rënda, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut.
Bashkëpunimi ndërkufitar i domosdoshëm
Ligji për Ujërat në Kosovë parashikon detyrime të qarta në rast ndotjeje ndërkufitare. Institucionet duhet të identifikojnë shkaqet, të ndërmarrin masa dhe të koordinojnë veprime me shtetet fqinje.
Në praktikë, këto mekanizma funksionojnë dobët teksa ekspertët dhe aktivistët kritikojnë mungesën e zbatimit të marrëveshjeve me Shqipërinë.

Një nga idetë më konkrete që është propozuar për parandalimin e ndotjes ka qenë vendosja e barrierave në Drinin e Bardhë për të ndaluar mbetjet përpara kufirit.
“Iniciativa u prit mirë fillimisht nga të dy qeveritë”, tregoi Baumann. Por ajo nuk u realizua.
Sipas tij, Shqipëria nuk e pa të arsyeshme të menaxhonte mbetjet që vijnë nga Kosova.
“Do të ishte një zgjidhje funksionale nëse do të zbatohej siç duhet. Por afatgjatë, çdo shtet duhet të mbajë përgjegjësi për mbetjet e veta”, shtoi ai.
Edhe eksperti Bukurosh Onuzi mbështet idenë e barrierave si zgjidhje praktike dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare. Megjithatë, zgjidhja thelbësore mbetet ndalimi i mbetjeve në burim.
“Do të ishte një zgjidhje e mirë, në mënyrë që jo vetëm të respektoheshin konventat ndërkombëtare për ujërat ndërkombëtare, por edhe të respektoheshin marrëveshjet dypalëshe mes dy shteteve”, u shpreh Onuzi.
Ndërsa Baumann shtoi se hap më konkret ishte ndalimi i mbeturinave në burim, por që për këtë kërkohej bashkëpunim i fortë mes dy qeverive, dhe bashkive të dy vendeve.

Në mungesë të një strategjie të qëndrueshme, pastrimi duket se do të mbetet sporadik.
Organizata si “Let’s do it Kosova” kanë zhvilluar aksione në zonat përgjatë Drinit të Bardhë, në bashkëpunim me komunitetet lokale.
“Më së shumti gjejmë plastikë, mbetje shtëpiake, goma dhe inerte ndërtimi”, thotë Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”.
Në çdo aksion Hasanaj thotë se largohen disa tonë mbetje, por problemi mbetet i përsëritur.
Nga Ministria e Mjedisit në Kosovë pranohet se bashkëpunimi me Shqipërinë ekziston, por mbetet në nivel komunikimi dhe projektesh të pjesshme.
“Po përpiqemi të mos dëmtojmë njëri-tjetrin, sidomos për mbetjet plastike”, tha Fatlije Buza nga Ministria kosovare e Mjedisit teksa shtoi se janë ndërmarrë projekte për pastrimin e lumenjve dhe se ato do të vijojnë.
“Nëse grumbullohen sërish mbeturina [në liqen], që shpresojmë që mos të ndodhë masivisht, do ta kemi parasysh dhe me marrëveshje do t’i largojmë,” vijoi Buza duke shprehur gatishmërinë e autoriteteve kosovare për të bërë më shumë në parandalimin e depërtimit të mbeturinave në sasi të mëdha nga Drini i Bardhë në Shqipëri.

Buza tregoi se në prioritetin kryesor të autoriteteve në Kosovë ka qenë ndalimi i marrjes së paligjshme të rërës dhe zhavorrit në lumenj si pjesë më e rrezikshme për degradim.
Megjithatë, kapacitetet duket se janë të kufizuara. Aktualisht, vetëm dy inspektorë mbulojnë sektorin e ujërave në Kosovë. Kjo reflekton një mungesë serioze të pranisë shtetërore në terren.
Nga pala shqiptare, përpos kërkesave të vijueshme për intervistë me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, nuk pati vullnet për të folur për këtë çështje.
Si zakonisht aspektet ligjore janë të rregulluara mirë, por sfidë mbetet zbatimi siç duhet i ligjeve.
Në Kosovë, ndotja e mjedisit dënohet me gjobë ose burgim deri në tetë vjet. Ligji për Ujërat parashikon gjoba deri në 100 mijë euro.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga Komisioni për Miniera dhe Minerale të Kosovës (KPMM) tregojnë një tjetër realitet. Nga viti 2019 deri në 2025, janë evidentuar 38 kompani dhe dy persona fizik që oeronin ilegalisht në shtratin e Drinit të Bardhë.
Sipas të dhënave të KGjK-së, nga gjykatat e lartcekura, nga viti 2002 deri në qershor 2025 janë dhënë vetëm dy dënime me burgim, 112 dënime me gjobë, 32 me kusht dhe tri vërejtje gjyqësore. Kjo tregon për dënime të buta për degraduesit e mjedisit.

Ndërkohë, Prokuroria e Prizrenit pranoi se politika ndëshkuese është e butë dhe nuk ka efekt parandalues.
“Kjo qasje […] ka ndikuar në përsëritjen e veprave penale”, thuhet në përgjigje.
Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se dëmi mjedisor nuk vlerësohet siç duhet.
Egzona Shala-Kadiu thotë se gjykatat duhet të kenë më shumë vetëdije që nuk është vetëm vlera ekonomike ajo që duhet të konsiderohet në një aktgjykim, por janë edhe faktorë të tjerë, sepse nuk merret kurrë parasysh se kush ka jetuar aty, cilat bimësi apo gjallesa tjera.
Gjithashtu, bazuar në hulumtimet që janë bërë ndër vite nga Preportr, ka rezultuar se lëndët e mjedisit janë ndër më të parashkruarat nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Kjo do të thotë se ata që kanë ndotur dhe degraduar mjedisin, shpëtojnë pa dhënë asnjë përgjegjësi para ligjit.
*Në pjesën e hulumtimit në terren kontribuuan: Donjeta Murselaj dhe Bashkim Shala.
**Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Journalismfund Europe.


One Response