Javën e shkuar, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) u përplas me një grup udhërrëfyesish turistikë të varkave rafting, kur u kërkoi kufizimin e aktivitetin përgjatë rrjedhës së Vjosës. Debati u zhvillua në Ministrinë e Mjedisit në një takim të mbyllur dhe më pas, palët, secila në mënyrë të njëanshme, deklaruan se ishte arritur një marrëveshje.
Marrëveshja nuk është ende e qartë, por duket se më kryesorja: zgjatja e sezonit të rafting, është pranuar nga autoritetet. Sipas planit të menaxhimit të Lumit Vjosa, sezoni i rafting lejohet prej majit deri në mes të tetorit. Por, si rezultat i takimit u arrit zgjerimi i sezonit edhe me dy muaj, tashmë prej fillimit të prillit deri në fund të nëntorit. Në fund, palët pozuan të kënaqura përpara kamerës për një fotografi familjare, të cilën e shpërndanë në rrjetet sociale.
Vjosa është parku më i ri kombëtar, i cili përshkon të gjithë gjatësinë e lumit, përfshirë degët, i shpallur në 2023. Ende pa u shuar entuziazmi i shpalljes, nisi puna për përgatitjen e planit të menaxhimit, i cili përfundoi në 2024. Në korrik të 2025 filloi operimin zyra për administrimin e parkut.
Deri tani Parku është promovuar si histori suksesi, propaganda e të cilit i ka kaluar kufinjtë. I prezantuar si lumë i egër, me rrjedhë të paprekur nga hidrocentralet përgjatë gjithë rrjedhës qëndrore – i vetmi në Evropë -, Vjosa është shfrytëzuar nga qeveria për të gjelbëruar politikat e kritikuara ndaj mjedisit. Përplasja me grupet e rafting është e para qysh prej shpalljes. Por edhe më e veçanta në dinamikën e konflikteve mjedisore.
Deri tani, përballë njëra-tjetrës kanë qenë kompanitë (koncensionare) me organizatat jofitimprurëse (mjedisore) dhe më pak grupet e prekura. Është e vërtetë që edhe rafting është fitimprurës, por ai mbetet, sidoqoftë, një aktivitet miqësor me natyrën, që promovon dhe financon mbarëvajtjen e saj. Për më tepër, gjatë negocimit për shpalljen e Vjosës park kombëtar, rafting u promovua si alternativë zhvillimi, kundrejt ndërtimit të digave.
Kjo do të thotë se barra për administrimin e qëndrueshëm të rafting përbën një shqetësim të mjaftueshëm, qoftë edhe vetëm për zyrën e re të parkut, duke vendosur në mëdyshje vendimmarrjen në administrimin e parkut. Sepse nga njëra anë kufizimi i aktiviteti ul të ardhurat dhe nga ana tjetër, shtimi i tij rrit presionet, duke rrezikuar kësisoj burimet dhe biodiversitetin e Vjosës.
Është e natyrshme që të mos pritet asnjë rregullim i qëndrueshëm nga kompanitë private, pasi secila do të tërheqë nga vetja, sado i lartë të jetë edukimi mjedisor. Por ndërkohë edhe Parku ka nevojë për të ardhura të qëndrueshme që mund të sigurohen prej aktiviteteve sportive të aventurës mbi Vjosë. Të ardhurat ndihmojnë përmbushjen e objektivave të Parkut. Këto janë objektiva konservuese, jo zhvilluese. Është kjo dikotomi e cila prodhon një konflik strukturor shqetësues.
Parimisht, dilemën e ka zgjidhur plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa (PKLEV). Por nuk mjafton. Nuk ka në të një studim mbi ndikimin e aktivitetit të rafting në Park. Së pari, duhet qartësuar se çfarë mbrohet në Vjosë, nga dhe si mbrohet. Kufizimet për kohën e lundrimit, numrin, llojin dhe pikat nga ku varkat lëshohen mbeten hamendësime dashamirëse dhe në rastin më të mirë, të motivuara nga empirizmi i pionierëve të sportit të aventurës.
Hartuesit e planit të menaxhimit, të financuar nga kompania amerikane “Patagonia Inc”, anonin nga ekspertiza e menaxhimit turistik. Gjatë hartimit të planit, rafting ishte ende në fillim, ndërkohë që zhvillimi i vrullshëm muajt e fundit përbën një surprizë.
“Përmes rafting, në Përmet ushqehen dyqind familje”, pohon Zamo Spathara, President i Federatës Shqiptare të Rafting. “Dhe të mendosh se kompanitë e anëtarësuara te ne përbëjnë vetëm 20% të tregut”, saktëson ai.
Ndonëse integritetit ekologjik i lumit rrezikohet nga aktivitete më shumë të dëmshme, rafting po shërben për të vënë në lëvizje zbatimin e planit të menaxhimit. Duket një barrë më e lehtë, por jo e parëndësishme, nëse kërkohet ngritja e një modeli.
Eduina Guga, një pedagoge nga Universiteti “Eqerem Çabej” i Gjirokastrës, me një përvojë akademike në fushën e menaxhimit financiar, drejton, prej afro një viti, zyrën për administrimin e 270 km vijë e plotë lumore e Vjosës, ku 90% e territorit gëzon mbrojtje strikte. Zyra favorizohet përmes një statusi të veçantë, krahasuar me pjesën tjetër të administratës së zonave të mbrojtura.
Por sado premtuese kjo situatë, drejtoreshës së re do t’i duhet të përballet me këtë “presion të gjelbër”, i cili, ndonëse jo aq agresiv sikurse hidrocentralet, apo të tjera koncensione të prodhimit të energjisë së rinovueshme, mbetet sidoqoftë një test për menaxhimin e parkut të vetëm lumor në Evropë, në një kohë kur nxitja totale e konsumit demotivon çdo përpjekje për mbrojtjen dhe konservimin e burimeve globale natyrore.
“Jo gjithçka varet prej nesh”, sqaron Guga. “Po hartojmë një rregullore të re, por janë edhe ministritë e tjera me të cilat duhet të konsultohemi”, tregon ajo.
Pothuajse në të njëjtën kohë (2024) me hartimin e planit të menaxhimit të Vjosës, ndryshoi edhe ligji për zonat e mbrojtura, i cili zgjeroi aktivitetet fitimprurëse, në tërësi, brenda parqeve dhe peizazheve të mbrojtura. Ushtrimi i aktiviteteve ekonomike private brenda zonave të mbrojtura përbën një risk të lartë ndaj burimeve natyrore, pa përmendur shpërpjesëtimin mes fitimeve të kompanive koncensionare dhe administratës së zonave të mbrojtura.
Sikur kjo të mos mjaftojë, jo rrallë kompanitë që shfrytëzojnë burimet, refuzojnë shlyerjen e detyrimeve ndaj administratës së zonave të mbrojtura, duke i adresuar pretendimet e tyre nëpër itineraret e lodhshme të gjykatave.
Financimi i parqeve në Shqipëri kërkon një diskutim të thellë, por praktika e deritanishme reflekton një trashëgimi të imponuar nga autoriteti, por kurrsesi një praktikë emancipuese të filantropisë qytetare. Financimet sigurohen, kryesisht, prej buxhetit të shtetit dhe shumë pak prej projekteve të jofitimprureseve, një model që u shkon për shtat burokratëve të cilët shpesh u mbivendosin objektivave të konservimit ato elektorale.
Përpos buxheteve të kufizuara, financimet e varfëra të parqeve vuajnë edhe prej harmonisë së biznesit dhe qeverisë. Në një raport të ngjashëm klientelist rrezikon të përfundojë edhe zbatimi i planit të menaxhimit të Vjosës dhe rregullorja e re.
Po nuk mbaron këtu. Kriza mes të ardhurave dhe konservimit të parqeve kombëtare mbulohet shpesh nga një patronazhim i rreme. Shumë prej përgjegjësive të menaxhimit u dorëzohen organizatave të tjera (joqeveritare) në emër të gjithpërfshirjes në politikat e gjelbëra, por që në praktikë, shmang përgjegjësinë dhe shuan kritikën publike.
Aktualisht, Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Tiranë po financon draftimin e tre planeve të menaxhimit për qarkun e Gjirokastrës: një park kombëtar dhe dy të tjera natyrore. Por koha është e shkurtër. Draftet duhet të dorëzohen në më pak se një vit; e pamjaftueshmë për shkencën. Por afatet kushtëzohen nga donatorët dhe zgjatja nuk mund të negociohet.
Shpesh herë edhe financimi është i pamjaftueshëm. Kjo përvojë ushqen edhe një zakon të keq. Autoritetet, të mësuara me këtë shërbim, shmangin një tjetër përgjegjësi: financimin që nevojitet për zbatimin e planeve të menaxhimit. Madje fondet për zbatimin e planeve janë edhe më kritike, sesa fondet për hartimin e tyre.
Çfarë do të thotë të administrosh parqet kombëtare? Si na shërbëjnë dhe si mund t’i sigurojmë ato?
E para, nuk është një vizion i ngushtë shkencor konservimi, por një aspiratë sociale; jo vetëm një qëndrim ndaj së shkuarës, por edhe një vlerësim për të; jo veç ide romantike për të gjelbrën, por në radhë të parë, një përpjekje racionale për të mbrojtur dhe për të begatuar komunitetet, jo thjesht për hir të së ardhmes, e cila shpesh propagandohet artificialisht, por si lidhje mes komuniteteve që kanë ekzistuar, që ekzistojnë dhe që do të ekzistojnë.
Në këtë kuptim administrimi i parqeve ruan të njëjtin vizion si dyqind vite të shkuara, kur u prezantuan për herë të parë nga pionierët e konservimit: ruajtjen e qëndrueshmërisë sociale. Sepse mbrojtja e natyrës dhe e burimeve, në radhë të parë, na siguron veten dhe qytetërimin në të cilin jetojmë.
Lexoni gjithashtu:
- Integrimi pa përfshirje në “Kapitullin 27”
- Aeroporti, një betejë që duhet vazhduar
- Çelja “e koncensionuar” e gjuetisë
Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.