Citizens.al

Mes fitimit dhe natyrës: Dilema e aktiviteteve ujore në Vjosë

Ilustrim grafik/Citizens.al

Autor: Prof. Aleko Miho | Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

Këto ditë bëri bujë në rrjete dhe media ndërhyrja e policisë për ndalimin e lundrimit në Vjosë, tentuar jashtë afatit të paravendosur nga ekspertët në Planin e Menaxhimit (PM) të Parkut (1 maj-15 tetor). Edhe mua nuk më pëlqeu një gjë e tillë. 

Reagimit të operatorëve të rafting, Ministria e Mjedisit, në një takim urgjent me palët, vendosi ta shtrijë këtë aktivitet për një periudhë më të gjerë vjetore, 1 prill deri 30 nëntor.

Pak javë më parë, si ekspertë vendas dhe të huaj, u ftuam të njiheshim me kërkesat e federatës dhe subjekteve të këtij aktiviteti ujor dhe të jepnim mendime për mundësinë e rishikimit të kufizimeve në Planin e Menaxhimit, nën ftesën e IUCN dhe të Administratës së Parkut.

Uroj që këshillimet tona të jenë pasur parasysh në vendimmarrjen nga ana e Ministrisë së Mjedisit, edhe pse nuk vura re të ishte i pranishëm ndonjë nga ekspertët e hidromorfologjisë dhe ekologjisë lumore.

Le të theksoj që në fillim se ekspertët dhe përvoja në mbarë botën nuk janë kundër aktiviteteve ujore, por sa më të kufizuara dhe të kontrolluara të jenë ato, aq më mirë është për ekologjinë lumore; aq më tepër kur bëhet fjalë për një Park Kombëtar tepër të veçantë për vlerat hidromorfologjike dhe të biodiversitetit, por tepër të brishtë, për ruajtjen e tyre në vazhdimësi, pra për qëndrueshmërinë e tyre.

Të gjitha ndërhyrjet nga aktivitetet ujore së bashku ndikojnë në habitatet lumore, në biodiversitet, por ato ndikojnë edhe në cilësinë e jetës dhe mirëqenien e banorëve të zonës. Për rrjedhojë, zhvillimi pa kufizim i aktiviteteve çlodhëse ujore nuk përbën asnjëherë një risi pozitive dhe histori suksesi për zhvillimin e turizmit dhe prosperitetin e zonës.

Megjithatë, duke shpresuar të vij në ndihmë të palëve dhe të gjej mirëkuptimin e tyre, por jo vetëm, po sjell më poshtë përmbledhtas cili është mendimi dhe përvoja mbarëbotërore mbi qasjen mjedisore ndaj aktiviteteve ujore, veçanërisht në një park lumor, dhe pse ekspertët e Planit të Menaxhimit (Kovarovics & Michael, 2024), e kanë trajtuar këtë me shumë kujdes nga fillimi në fund.

Kërkesat e subjekteve dhe qëndrueshmëria mjedisore

Në shkresën e tyre nga Federata e Rafting dhe subjektet e interesuara nga zona drejtuar Administratës së Parkut kërkoheshin 4 lëshime të qenësishme:

  1. Heqja e orareve fikse të hyrjes për aktivitetet ujore;
  2. Rritja e numrit të lejuar të gomoneve në vit; 
  3. Lundrimi përgjatë gjithë gjatësisë së lumit; 
  4. Heqja e lundrimit stinor dhe lejimi gjatë gjithë vitit. 

E gjitha nën argumentimin për të rritur ‘potencialin ekonomik për komunitetet lokale dhe bizneset turistike të zonës’. Po qasja mjedisore? 

Kjo do të thotë që kërkohet të lejohet të lundrohet kudo përgjatë lumit; pa kufizime në kohë vjetore, stinore, ditore; pa kufizime në sasi dhe shpeshtësi varkash, të cilat lëvizin në ujë pikërisht në Zonën Qendrore të Parkut. 

Si i tillë, edhe këtu si dhe gjetkë në Shqipëri qasja është thjesht si biznes i pastër, në emër të zhvillimit të zonës! Kurse qasja mjedisore dhe etiketimi ‘ecorafting’ është zero!

Në gjithë këta vite të zhvillimit të vendit ne në Shqipër “qëndrueshmërinë mjedisore,” term që buron që nga Kushtetuta (Neni 59, pika 1/dh) e kemi shkelur me të dy këmbët. Kemi harruar mençurinë e popullit që thotë ‘gjella me kripë dhe kripa me karar’! 

Nuk mund ta ngarkosh një avion apo një anije me më shumë ngarkesë se kapaciteti mbajtës!

Kjo është arsyeja që vendi vuan shumë prerjen masive të pyjeve, erozionin dhe përmbytjet; betonimin e skajshëm urban dhe atë të bregdetit mbarë, nga veriu në jug; deri dhe në ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, madje deri dhe me ndryshim ligji. 

Të gjitha këto jo pa pasoja në cilësinë e mjedisit, por edhe të vetë jetës sonë. Por jo dhe pa pasoja në statusin ndërkombëtar të zonave të mbrojtura; sot diskutohet për praninë në UNESCO të PK të Butrintit dhe Liqenit të Ohrit, për shkak të ndërtimeve të paligjshme, ndotjes urbane/minerare dhe menaxhimit të dobët. 

Por edhe PK i Vjosës nuk duket se është larg shqetësimeve nga kjo qasje natyrore e verbuar nga zhvillimi i çastit. 

Kjo bie dukshëm në sy gjatë vizitave dhe nga gjetjet tona shkencore në vite, por dhe nga vlerësimi i bërë nga ekspertët (p.sh: Rama A., 2025, mbi hartëzimin e presioneve në PK të Lumit Vjosë).

Rrjeti lumor i Vjosës, i veçantë nga ana hidromorfologjike dhe biodiversiteti

Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës, si i tillë, është një zonë me hidromorfologji dhe biodiversitet të rrallë; një nga lumenjtë e fundit me rrjedhje të lirë në Evropë (Acta ZooBot Austria, 155/1, 2018; Sovinc, 2023; Kovarovics & Michael, 2024; etj.), bashkë me shumë nga degët e tij. 

Brenda shtratit lumor gjenden shumë habitate të Natura 2000 dhe EUNIS, të shtrira gjerësisht dhe të mirëruajtura.

Në pjesën e mesme, brenda shtratit lumor, gjenden 16 habitate ujore dhe tokësore në përparësi që përfshijnë mjedise të ndryshme; secili luan rol vendimtar në dinamikën dhe biodiversitetin e ekosistemit lumor (A1-A7; B0-B2; C0-C2; BC3 dhe BC4; D).

Përgjatë brigjeve janë habitate të tjera që dominohen kryesisht nga bimësia mesdhetare bregore (ripariane), me rrap (Platanus orientalis) dhe komunitete të pasura me specie si Populus alba, Salix spp., Alnus glutinosa, Fraxinus angustifolia, Quercus robur, Ulmus minor, Tamarix parviflora, Vitex agnus-castus, Imperata cylindrica, Phragmites, Typha, etj. (Annex I, 72A0; 92C0; 92A0; 92D0; 6310; 6420; 91E0; 3280; sipas kategorive të Natura 2000). 

Habitatet me bimë të zhytura dhe makrofite ujore (3110, 3130, 3140 dhe 3150) janë përbërës të tjerë jetikë të ekosistemit lumor si prodhues parësorë, por edhe si fitopastrues të lëndëve ushqyese ose ndotëse të tepërta, të cilat nuk mungojnë në ujërat e lumit: azot dhe fosfor; metale të rënda; lëndë ndotëse organike; nanoplastika; etj.

Përgjatë brigjeve, sidomos në pjesën e sipërme të Vjosës (zona e zgjedhur për aktivitetet ujore në fjalë), krahas habitateve të përmendura më sipër gjenden të ruajtura mirë habitatet e shpateve shkëmbore gëlqerore me bimësi kazmofitike (8210), katër prej tyre në përparësi dhe me interes të madh ruajtjeje.

Këto habitate përfshijnë komunitete bimore termo- dhe meso-mesdhetare me Campanula versicolor, Silene spp., Saxifraga spp., Ramonda serbica, Pinguicula hirtiflora, etj.; kullota gjysmë-natyrore të thata dhe shkurre mbi substrate gëlqerore (6210* të rëndësishme për bimë salepore).

Në pjesën e poshtme të rrjedhës lumore, në të dy anët e grykëderdhjes, gjenden mbi 35 habitate të listuara në Natura 2000 dhe EUNIS, duke përfshirë 8 habitate në përparësi, të gjitha të rrezikuara dhe me vlera të larta floristike.

Përmendim habitatet me duna lëvizëse me Ammophila arenaria (duna të bardha) (2120); duna bregdetare me Juniperus spp. (2250), habitat me interes komunitar; duna të pyllëzuara me Pinus pinea dhe/ose P. pinaster (2270); livadhe të kripura mesdhetare (1410); stepat mesdhetare të kripura (1510*); etj.

Duhet theksuar se habitatet lumore/breglumore dhe ato të deltës janë thelbësore për funksionimin ekologjik të gjithë ekosistemit lumor dhe të gjitha gjallesave që aty strehohen prej miliona vjetësh, shumë prej tyre të rralla dhe të kërcënuara. 

Të gjitha këto habitate lumore/breglumore strehojnë së bashku rreth 1,890 specie të njohura deri sot, mbi 820 lloje bimësh dhe rreth 1,070 lloje kafshësh (Tab. 1). Prej tyre, rreth 40 specie janë të rrezikuara sipas IUCN, dhe rreth 120 janë në Listën e Kuqe të Shqipërisë (2013). 

Përveç kësaj, rreth 150 specie gjenden në Shtojcat 1-3 të Konventës së Bernës për llojet migratore, mbi 40 specie në Direktivën e Shpendëve, mbi 80 specie në Shtojcën I të Direktivës së Shpendëve (Bino et al., 2023), dhe rreth 80 specie në Direktivën e Habitateve. Vjosa dhe degët e saj të paprekura janë streha e fundit e specieve pothuajse të zhdukura, të rralla ose të reja. 

Së fundi, 12 lloje janë gjetur të reja për shkencën (Tab. 2): 8 lloje dhe një gjini e re invertebrorësh, dhe 4 lloje cianobakteresh; përshkrime të tjera të reja janë në proces.

Vjosa, delta përkatëse, përfshirë këtu lagunën e Nartës, bëjnë që e gjithë kjo zonë të jetë e veçantë për larminë e peshqve dhe mbijetesën e tyre, si dhe për peshkimin dhe akuakulturën. 

Ekosistemi lumor është korridor ujor, vend strehimi, ushqimi dhe, për disa, edhe vend riprodhimi për së paku 37 lloje peshqish, përfshirë 11 lloje endemike të Ballkanit; përmendim këtu: Barbus prespenis, Squalius platyceps, Oxynoemacheilus pindus, Alburnus scoranza, Anguilla anguilla, Alburnoides cf. prespensis, Pachychilon pictum, Gobio scadarensis, Cobitis ohridaba, Salmo farioides, Salmo trutta fario, etj.

Habitatet lumore të Vjosës dhe degëve strehojnë 32 lloje reptilësh nga 37 lloje që njihen gjithsej në Shqipëri. 

Disa nga amfibët dhe reptilët bëjnë pjesë në Shtojcën II të Direktivës së Habitateve, si lloje të faunës të mbrojtura rreptësisht: Bufotes viridis, Bombina variegata, Testudo hermanni, Emys orbicularis, Mauremys rivulata, Pseudopus apodus, Podarcis taurilinea, Natrix tessellata; ose në Shtojcën II: Bufo bufo, Rana graeca, Pelophylax kurtmuelleri, Pelophylax shqipericus, Natrix natrix të Konventës së Bernës (Kovarovics & Michael, 2024).

Nga 295 lloje shpendësh që vizitojnë gjithë pellgun, mbi 88 lloje folezojnë dhe riprodhohen në zonë, disa prej tyre të lidhura ngushtë me brigjet lumore si: Riparia riparia, Burhinus oedicnemus, Charadrius dubius, Merops apiaster, kryesisht në lumin Shushicë, Alcedo atthis, Actitis hypoleucos, Ciconia nigra, Neophron percnopterus, Coracias garrulus, etj. (Bino et al., 2023); si dhe lundërza (Lutra lutra), gjitar ujor globalisht i kërcënuar, nga rreth 70 lloje gjitarësh që banojnë brenda pellgut.

Përveç kësaj, brenda pellgut ujëmbledhës janë regjistruar rreth 380 lloje bimësh aromatike dhe mjekësore (BAM), ku 330 janë lloje të egra, një sektor ekonomik shumë i rëndësishëm për zonën; por jo i pashqetësuar, pasi rreth 46 lloje janë të rrezikuara, të kërcënuara ose nën mbrojtje. 

Rreth 70 lloje BAM rriten pranë habitateve ripariane breglumore; disa prej tyre janë në Listën e Kuqe Shqiptare, si: Adiantum capillus-veneris, Dryopteris filix-mas, Alnus glutinosa, Capparis spinosa, Galanthus reginae-olgae, Populus alba, Quercus robur, Salix fragilis, Sambucus nigra, Symphytum officinale, Ulmus minor, Anacamptis morio, A. pyramidalis, Colchicum autumnale, etj. (Kovarovics & Michael, 2024).

Për më tepër, Parku Kombëtar i Lumit të Egër të Vjosës është vazhdimësi ekologjike, një unitet hidrodinamik dhe ekologjik me kompleksin ligatinor të deltës, Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë (Fig. 1), dhe më tej në lidhje të ngushtë ekologjike me Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, përballë grykëderdhjes në det të hapur.

Në pjesën e sipërme, Parku është në vazhdimësi ekologjike me Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës-Dangëllisë në pjesën shqiptare; si dhe me Parkun Kombëtar Vikos-Aoos dhe Parkun Kombëtar Pindos në Greqi. Parku formon lidhje të ngushta ekologjike me hidromonumente elitare, si Uji i Ftohtë (Tepelenë), Viroi (Gjirokastër), Buronjat (Kuç), Benjë (Përmet), Vromonero (Leskovik) (VKM 303/2019).

Kjo afërsi hapësinore rrit lidhjen ekologjike midis ekosistemeve detare, bregdetare, të deltës dhe të gjithë rrjedhave ujore brenda këtij pellgu të gjerë, duke përforcuar më shumë vlerat në përgjithësi dhe rëndësinë e ruajtjes së zonës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Janë pikërisht këto vlera dhe të tjera që lidhen me hidromorfologjinë lumore dhe rrjedhjen e lirë nga burimi në grykëderdhje në Detin Adriatik të lumit Vjosë dhe degëve të tij, që ndihmuan që zëri të shkonte në veshin dhe ndërgjegjen e institucioneve ndërkombëtare më në zë (BE, WWF, IUCN, Konventa e Bernës, Patagonia etj.) dhe të detyronte vendimmarrjen në Shqipëri për të shpallur Vjosën dhe degët e saj zonë të mbrojtur, Park Kombëtar (mars 2023).

Po këto vlera ndihmuan që i gjithë pellgu i Vjosës të shpallej vitin e kaluar nga UNESCO si Rezervë Biosfere (shtator 2025). Po kjo qasje rriti shumë në këta vite edhe njohjen e Vjosës dhe vetë Shqipërisë nga subjektet turistike ndërkombëtare, që i dhanë kësaj zone frymëmarrje të madhe ekonomike dhe zhvillim të turizmit.

Harta e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër të Vjosës dhe zonave të tjera rrethuese (nga Kovarovics & Michael, 2024).

Kuptohet se të gjitha këto arritje, dhe veçanërisht duke qenë pjesë e programit “Njeriu dhe Biosfera” (MAB) në UNESCO, e bëjnë zhvillimin e qëndrueshëm në zonë një përparësi dhe një sfidë për gjithë sektorët ekonomikë, veçanërisht për aktivitetet ujore që zhvillohen brenda zonës qendrore të Parkut.

Ndikimi mjedisor nga aktivitete ujore të pa rregulluara

Përvoja botërore tregon se lundrimi i çfardo lloji (gomone, kajak, kanoe etj.) është me pasoja mjedisore, ekologjike për habitatet lumore dhe breglumore.

Si theksuam këto habitate janë shumë të rëndësishme për biodiversitetin, por janë dhe shumë të ndjeshme ndaj çdo ndërhyrje nga jashtë; sidomos kur ajo është e tepruar, pa rregulla, dhe pa masa të rrepta kontrolli. Edhe kufizimet e vendosura në Planin e Menaxhimit (Kovarovics & Michael, 2024) kanë patur këtë parasysh, dhe theksoj fort se kjo qasje duhet të vazhdojë të ruhet.

Pavarësisht se ndikimet mjedisore të aktiviteteve ujore ende nuk njihen për Lumin e Vjosës, përvoja të tjera në rajon dhe më gjerë flasin për këtë: Schafft et al., 2024; Wegner et al., 2023; Hering et al., 2022; Mahapatra et al., 2012; Leung  & Marion, 1998; Liddle, 1991; Taylor & Knight, 2003; Pala et al., 2011; etj. Këto shqetësime mund të grupohen:

1) Shqetësimi i Faunës Ujore dhe Ripariane (Tab. 3); 2) Degradimi i Brigjeve Lumore dhe Bimësisë Ripariane; 3) Ndotja dhe Hedhja e Mbeturinave; 4) Ndikimet Fizike në Habitatet e Shtratit Lumor; 5) Shqetësimi i jetës së egër në zonat e ndjeshme; 6) Presioni Ekologjik Kumulativ; 7) Futja e Llojeve Pushtuese (Invazive ose Aliene).

Për të minimizuar këto ndikime, autoritetet e menaxhimit lumor shpesh zbatojnë masa të tilla si:

a) Kufizimi i numrit të lejeve për rafting në ditë; b) Përcaktimi i pikave të caktuara të hyrjes dhe daljes; c) Vendosja e kufizimeve stinore gjatë periudhave të lëshimit të vezëve nga peshqit ose gjatë shumimit të shpendëve (Tab. 3); d) Kërkimi i praktikave të menaxhimit të mbeturinave “pa lënë gjurmë”; e) Monitorimi i kushteve ekologjike përgjatë lumit.

Në tabelën 3 jepen të dhëna mbi periudhën më të brishtë të llojeve apo grupllojeve, ku aktivetete ujore mund të kenë ndikimin më të madh përgjatë Vjosës dhe degëve, në habitatet e shumimit apo të migrimit.

Ky qarkullim është shpesh i padukshëm për ne njerëzit, por kjo nuk do të thotë se është i pandjeshëm, madje shumë i ndjeshëm në periudhat jetike të riprodhimit që kanë secila nga speciet (Tab. 3).

Lumi është një korridor ujor që ndihmon lëvizjet e gjallesave (migrimin) nga grykderdhja (deti) në rrjedhat e thella malore dhe anasjelltas, ndihmon në lëvizjet anash nga një breg në tjetrin dhe nga lart poshtë në thellësi të shresave të zhavorrit nënujor dhe anasjelltas.

Për këtë, një aktivitet ujor i rënduar në sasi, i shtrirë në kohë gjatë gjithë vitit dhe i zgjatur gjatë ditës ndikon në biodiversitet, në riprodhimin e specieve të peshqve, amfibëve dhe reptilëve, shpendëve që folezojnë në brigje, pa folur për shumë lloje mikrorganizmash si alga, invertebrorë ujorë dhe breglumorë, që përmendëm më sipër.

Duhet theksuar se Parku nuk u ka shpëtuar shqetësimeve nga aktivitete turistike jo miqësore me mjedisin, të cilat shkaktohen edhe nga shtimi i pakontrolluar i vizitorëve.

Gjendja ekologjike e ujërave të pellgut të madh të Bënjës ka pësuar rënie të dukshme në këta vite mbështetur në strukturën e makrofiteve ujore që veshin buzët e pellgut, sot të mbuluara me cianobaktere (disa dhe helmuese), dhe cilësi ekologjike e ‘Varfër’. Po kjo mund të thuhet për varfërimin e përbërjes së llojeve të peshqve në Langaricë dhe në pjesën e sipërme të Vjosës.

Autoritetet pohojnë se para shpalljes zonë e mbrojtur në Vjosë kanë vozitur rreth ‘1,500-2,000 varka në vit, kryesisht nga qershori deri në gusht (pra rreth 17-22 varka në ditë)’ (Kovarovics & Michael, 2024). Kjo sasi është shumë e lartë dhe aspak miqësore me habitatet dhe vlerat e rralla të Parkut. Ndjesia është se në vitet e fundit kjo duhet të jetë rritur edhe më shumë, e cila dëshmohet dhe nga këmbëngulja e subjekteve për zbutje pa kufi të rregullave.

Kurse shtrirja e vozitjes në gjithë gjatësinë e lumit më duket shumë e tepruar për rrjedhën lumore. Duhet thënë sevlerat hidromorfologjike dhe ato të biodiversitetit përballen përditë me ndërhyrje nga njeriu dhe ndryshimet e klimës, ndonjëherë edhe shumë të rënda.

Kjo vjen nga qendrat e banuara dhe ndërtimet e tjera buzë brigjeve, nga bujqësia intensive dhe blegtoria (vaditje, kullotje, zjarre dhe ndotje), nga trafiku, nga aktiviteti minerar (gurore, naftë, bitum), nga luhatjet e mëdha të rrjedhës, etj. (Rama, 2025).

Sfida e zhvillimit të qëndrueshëm të pellgut, sfida e bashkive dhe subjekteve që veprojnë brenda pellgut duhet të jetë në gjetjen e rrugëve për zbutjen e këtyre ndërhyrjeve, në zbatimin e tyre me këmbëngulje dhe monitorimin në vazhdimësi.

Këshillime të fundit

Ashtu si me shumë të drejtë pohohet edhe nga ekspertët në PM (Kovarovics & Michael, 2024, f. 88-103), lundrimi mund të lejohet në zonën e paracaktuar në PM (në pjesën e sipërme), zgjatur së fundi nga Ministria e Mjedisit për periudhën 1 Prill – 30 Nëntor 2026 (nga 5.5 muaj në 8 muaj).

Por kjo duhet me rregulla të rrepta, duke mos patur vetëm si qëllim ‘potencialin ekonomik për komunitetet lokale dhe bizneset turistike të zonës’, por dhe qasjen mjedisore. Pavarësisht zgjerimit të lundrimit stinor nga Ministria, ekspertët theksojnë fort se duhet të ruhet sasia e varkave që vozitin në lumë në ditë, si rekomandohet në Planin e Menaxhimit: jo më shumë se 10 varka në ditë (gomone me 6 persona dhe 1 drejtues). Për lundruesit privatë jo-motorikë (kajakë me 2 persona maksimumi), jo më shumë se 20 bileta në ditë, ose 10 kajakë.

Mendoj se e gjithë kjo duhet të mbikëqyret me kujdes, rigorozitet dhe vazhdimisht nga ZAPK dhe autoritetet vendore nëpërmjet një sistemi informatik ashtu si bëhet për rezervimet e fluturimeve ajrore, të hoteleve, të vendeve të sportit etj.

Për gjithë aktivitetet ujore mësipër ka shumë rëndësi caktimi i vendeve të hyrje/daljes, vendpushimeve, të cilët nuk duhet të bien ndesh me ndjeshmërinë e habitateve ujore ose breglumore pranë. Edhe këto vende duhet të jenë sa më të kufizuara, të përcaktuara në vend nga ekspertë të ekologjisë lumore (peshq, shpendë, gjitarë, etj.).

Duhet të jenë të etiketuara mirë, të mirënjohura dhe rreptësisht të kontrolluara nga autoritetet e Parkut dhe ato vendore. Por shumë kujdes duhet edhe edhe për aktivitetet e tjera turistike në Park, si larja në ujërat termale, shëtitjet masive përgjatë rrjedhës, kampingu vend e pa vend në natyrë; por dhe për peshkimin në segmentin fundor, Urë e Mifolit – Grykëderdhje, ose akuakulturën etj.

E gjithë zona ka potencial të jashtëzakonshëm turistik dhe ofron shumë mundësi të tjera krahas veprimtarive sportive ujore: p.sh. vëzhgim shpendësh, shëtitje në natyrë me këmbë, me biçikletë, me kafshë, etj.

Madje dhe vetë subjektet e këtyre sporteve duhet të mësohen të diversifikojnë aktivitet në zonë për: ‘të shpërndarë më mirë fluksin e vizitorëve gjatë vitit; rritur qëndrueshmërinë ekonomike të bizneseve lokale; krijuar më shumë vende pune jo stinore, por vjetore’, pa pretenduar që gjithçka të mbështet vetëm nëpërmjet vozitjes, kjo jo vetëm në lumin e Vjosës, por dhe gjetkë në lumenjtë e tjerë.

Ngjitur në zonë është PK i Bredhit të Hotovë-Dangëllisë, me shumë natyrë malore, shumë lugina të rralla, me mbi 130 monumente natyrore për një destinacion të shquar e të larimshëm turistik. Pa folur për shumë mundësi të tjera të gjithë pellgut të Vjosës, që lidhen me trashëgiminë kuturore, vendet shumta historike, arkeologjike, për traditën e pasur në art dhe floklor, në mikpritje dhe gatim etj. etj.

Të gjitha mund të gërshetohen me vlerat natyrore, por jo vetëm. Por duhet e gjitha menaxhuar me shumë kujdes, dhe gjithë palët duhet të jenë bashkëpunuese, të njihen mirë me qëndrueshmërinë, për të balancuar sa më mirë interesat ekonomike me ato ekologjike, për të mos ndërhyrë rëndë në këto vlera, për t‘i ruajtuar ato për sot dhe për të ardhmen.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW