Verën e vitit 2023, teksa Paula Brusha përgatitej për të marrë pjesë në konkursin e mjekësisë, qeveria propozoi një ligj të ri që i detyronte studentët e mjekësisë të punonin 5 vite në Shqipëri pas diplomimit.
Pavarësisht se ajo ishte nxënëse ekslente, e reja tregon se një lajm i tillë “e trazoi”, edhe pse ajo përpiqej të përqendrohej tek konkursi.
“Ishte vonë për ne, sepse i kishim përfunduar provimet e maturës shtetërore dhe e kishim bërë zgjedhjen tonë,” kujton Paola, tashmë studente e vitit të tretë për mjekësi.
“Po mësonim për konkursin. Nuk kishim zgjidhje tjetër në atë moment, ndaj përpiqesha të fokusohesh vetëm tek konkursi dhe të shmangja çdo lajm të tillë”,
Projektligji u mbante “peng” diplomën mjekëve të rinj, me kushtin që ata të punojnë 5 vite në Shqipëri. Kjo ndërhyrje e re ligjore u prit me protesta të forta nga studentët dhe grupet e interesit.
Sipas ligjit nëse studentët nuk pranonin kushtet e vendosura nga ligji, duhet të paguanin një tarifë shkollimi prej 240 mijë lekësh në vit – rreth 2,500 euro.
Ligji hyri në fuqi në gusht të atij viti mes kundërshtive të forta, por në janar 2024 Gjykata Kushtetuese pranoi ankesën e një grupi studentësh dhe shfuqizoi pjesërisht punësimin e detyruar në vend duke e zbritur në një vit, dy dhe tre vite për studentët e vitit të parë.
Megjithatë kjo fitore nuk i kënaqi studentët, të cilët nuk janë dorëzuar. Ato e kanë dërguar ligjin në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg.
“Është cenim i lirisë për të vendosur për të ardhmen tonë”, thotë Olta Shehu një ndër studentet protestuese, që po ashtu bën pjesë në grupin që e dërguan ligjin në Strasturg.
“Pra ligji kërkon që ne të vendosim për 10 vitet e ardhshme, kur ti je vetëm 18 vjeç. Është absurde dhe e padrejtë, nuk mund të mbash peng të ardhmen kështu”, argumenton Paola, e cila në këtë rast i referohet 5 viteve të shkollimit që zgjat mjekësia plus 5 vite të tjera punë me detyrim.
Ligji parashikonte të kishte kufizime jo vetëm për ata që aspironin të nisnin atë vit mjekësinë, por edhe për ata që i kishin nisur studimet.
Të dhënat e mbledhura nga Citizens dhe intervistat me studentë të mjekësisë, dëshmojë se kufizimet e vendosura në këtë ligj kanë rrudhur numrin e të rinjve që aplikojnë për mjekësi.
Për Paolën mjekësia është ëndrra e jetës dhe do ta ndiqte me çdo kusht, por ajo shpjegon se shumë të rinj të tjerë do të ishin menduar më gjatë nëse do të ishin në dijeni të këtij “kushti”.
“Ka shumë studentë në kursin tonë, që nëse do ta dinin më parë këtë kusht, do të ishin menduar më gjatë ose nuk do ta kishin nisur fare mjekësinë”, thotë Paola.
Rrudhen aplikimet për mjekësinë
E konsideruar një ndër degët që mbledh maturantët më të mirë dhe që ka numrin më të lartë të aplikimeve, edhe mjekësia po bie në preferencat e maturantëve.
Hyrja në fuqi e ligjit që i detyron studentët e mjekësisë të punojnë 3 vite pas diplomimit, atje ku do të ketë nevojë vendi, ka tkurrur edhe numrin e të rinjve që aspirojnë të veshin bluzën e bardhë.
Të dhënat e hulumtuara nga Citizens, por edhe shifrat e studimit “Arsye për të qëndruar” nxjerrin në dritë se megjithëse është shtuar numri i kuotave për mjekësinë, numri i aplikimeve për këtë profil po ndjek një traktore në rënie.
“Fuqizimi i sistemit shëndetësor nëpërmjet fuqizimit të mjekëve të rinj në Shqipëri”, një studim i realizuar nga Xheni Borakaj dhe Ilir Alimehmeti, që ka hulumtuar arsyet se përse largohen mjekët dhe të rinjtë e diplomuar për mjekësi ka gjetur një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij ligji të ri dhe aplikimeve për në universitetin e mjekësisë.
Një nga elementët e hulumtuar është edhe prirja e përzgjedhjes së kësaj dege nga maturantët për vitet 2018-2023.
Të dhënat dëshmojnë se që pas hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2023, interesi për këtë degë pothuajse është përgjysmuar.
Kështu nëse për vitin akademik 2018-2019 janë futur në garë rreth 2,900 të rinj për 260 vende, në vitin 2023-2024 ky raport ishte 1,800 studentë për 400 vende.

I njëjti trend rënës ka vijuar edhe në vitet e mëpasshme.
Në vitin 2024-2025, 1,202 të rinj garuan për 500 vende, ndërsa në vitin 2025-2026 në konkursin e mjekësisë morën pjesë 1200 të rinj për 436 kuota që kishin në dispozicion.
Pra nëse në vitin 2018, garuan 11 të rinj për një vend pranimi në universitetin e mjekësisë, në vitin 2025 kjo shifër ra me 4 herë më pak, ose vetëm 2.7 kandidatë për 1 vend pranimi.
“Ka ndikuar ndjeshëm në numrin e të rinjve që duan të ndjekin mjekësinë dhe kjo nuk është shenjë e mire, pasi vendi ynë edhe aktualisht po përballet me emigracionin e bluzave të bardha”, thotë Ilir Alimehmeti, një nga autorët e këtij studimi, njëkohësisht edhe pedagog pranë universitetit të mjekësisë.
Sipas tij ndikimi ka qenë i menjëhershëm, ende pa hyrë në fuqi.
“Kjo do të thotë se mund të ketë një rënie të cilësisë së studentëve që regjistrohen në këtë program studimi”, thotë ai.
Gent Stroni, kreu i sindikatës së punonjësve të shërbimit shëndetësor, që ka mbështetur studentët që në fillimet e kësaj kauze, thotë se mjekët nuk mund të “mbahen me zor”, por të ofrohen politika mbështetëse që i joshin të rinjtë për të qëndruar.
“Duhet të ketë më shumë politika mbështetëse. Ta zëmë nëse një mjek do vendoset të punojë në Has: përveç bonusit dhe kushte të denja për të ushtruar profesionin, duhet të ketë edhe lehtësi të tjera. Ta zëmë t’i ofrohet një banesë falas apo me kredi të butë që ai në fund të kësaj kontrate të bëhet edhe me shtëpi,” thotë Stroni.
“Ta garantojë, nëse do të kishte këto lehtësi unë i pari do të shkoja të punoja atje”, vijon ai.
Mjekësia, punë me detyrim
Olta Shehu ndjek vitin e pestë të studimeve për mjekësi e përgjithshme. Sipas ligjit, pas përfundimit të studimeve të larta ajo do të bëjë edhe një vit punë “të detyrueshme” në Shqipëri.
“Ne mund ta konsiderojmë veten me fat, pasi do të punojmë vetëm një vit, por vitet e tjera do të punojnë 3 vjet me detyrim,” thotë Olta.
Ajo tregon se mjaft studentë në grupin e saj nuk do ta kishin nisur mjekësinë po ta dinin një gjë të tillë.
“Ka shumë studentë që janë zhgënjyer, qoftë edhe nga grupi im që do të bëjmë vetëm një vit punë të detyruar,” shprehet ajo.
“Unë do të doja që të nisja specializimin jashtë, kurse tani do të më duhet të qëndroj edhe një vit”, thotë Olta.
Zhgënjyese duket situata edhe për studentët e vitit të tretë të mjekësisë, vit në të cilin ndjek studimet Paola Brusha
“Ka mjaft të zhgënjyer, kanë investuar gjithë jetë për të mbërritur deri tek këtu dhe pastaj detyrohen të punojnë ku ti caktojnë”, thotë ajo.
Për Oltën shqetësues është edhe fakti se mungon transparenca dhe ka paqartësi se si do të funksionojë i gjithë procesi.
“Na kërkohet të rrimë me detyrim, por ne ndërkohë nuk dimë asgjë se si do të funksionojë procesi. As se si do të bëhet shpërndarja, as se si do të përcaktohet se kush do të punojë ku… pra nuk ka transparencë dhe sigurisht që kjo rrit pasigurinë dhe ul besimin se nuk do të ketë shpërndarje preferenciale.”
Edhe Gent Stroni e vë theksin tek mungesa e transparencës, dhe mungesën e rregullave të lojës se si do të bëhet shpërndarja e mjekëve të rinj. Në të kundërt, thotë ai “gjithë procesi rrezikon të dështojë në misionin që ka marrë përsipër”.
“Ne kemi nevoja të theksuara për mjekë dhe ka zona të tërë të pambuluara, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ccdo hap të jetë transparent, duke mbyllur shtigjet që të zgjidhen “me mik“ mjekët e rinj që do të shërbejnë në Tiranë dhe të tjerët të degdisen në zonat më të largëta. Pra rregullat e lojës duhet të jenë të qarta,” thotë Stroni.
Shqipëria, më pak mjekë në të gjithë rajonin
Megjithëse diplomon çdo vit qindra mjekë të rinj, Shqipëria renditet e fundit në Evropë për numrin e mjekëve në raport me popullsinë. Sipas të dhënave të Organizatës botërore të Shëndetësisë Shqipëria ka 18.8 mjekë për 10 mijë banorë.
Po ashtu Shqipëria është i vetmi vend që nuk i ka përditësuar të dhënat dhe shifrat e raportuara i takojnë vitit 2020. Sipas të njëjtit raport, fqinjët tanë në Malin e Zi në vitin 2024 kanë raportuar 27.8 doktorë për 10 mijë banorë; Maqedonia e Veriut raporton 29.44 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia raporton 32.1 mjekë për 10 mijë banorë, ndërsa rekordi mbahet nga Greqia që raporton se 67.1 mjekë për 10 mijë banorë.
Ekspertët thonë se emigracioni i lartë në radhët e bluzave të bardha, ka përkeqësuar këtë tregues. Për Gent Stronin nëse nuk bëhet një ndërhyrje serioze dhe kapilare, asnjë politikë detyruese nuk do ta zbusë dot braktisjen e sistemit shëndetësor.
“E dini se çfarë po ndodh aktualisht? Po marr Gjermaninë, që është njëri ndër vendet që ka më shumë interes për mjekë dhe infermierë, ndërsa ato rrinë dhe përmbushin detyrimet me shtetin shqiptar po u paguan kursin e gjuhës së huaj, në mënyrë që kur të shkojnë në gjermani ta kenë të mësuar gjuhën. Kështu që pavarësisht se çfarë ligjesh do të hartojnë, nëse nuk shoqërohen me politika mbështetëse, nuk do të arrijmë ti mbajmë brenda vendit mjekët dhe infermierët e rinj”, thotë Stroni.
Edhe Ilir Alimehmeti ndan të njëjtin opinion kur thotë se duhen gjetur mekanizmat për të mbajtur bluzat e bardha brenda sistemit shëndetësor shqiptar.
“Largimi i mjekëve është një plagë që prekur sistemin shëndetësor prej vitesh. Kambanat e alarmit kanë rënë, ndaj duhet ndërhyrje me politika konkrete dhe jo me ligje detyruese, që e zgjidhin situatën për një periudhë afatshkurtër Ne kemi nevojë për zgjidhje afatgjata dhe për mjekë në çdo cep të vendit”, thotë Alimehmeti.
Olta Shehu ende është e dyzuar se për çfarë do ta nisë specializimin. Megjithatë ajo është e vendosur që këtë program do ta vazhdojë jashtë vendit, për shkak se beson se cilësia e studimeve është “vite drite larg”.
“Ne ende mësojmë me tekste të 80-ës, dhe ndaj dëshira ime është që të mund të vijoj specializimin jashtë. Do të mbaroj këtë vitin me detyrim dhe do të iki,” përfundon e reja.