Të revoltuar nga mungesa e një skeme reale të mbështetjes për sektorin e tyre, fermerë dhe blegtorë nga i gjithë vendi protestuan sot përpara Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
“Njoftoj të gjithë bashkëvuajtësit që të protestojmë për situatën që kemi aktualisht në blegtori, që të marrin pjesë për punën që kanë ngritur me aq mund dhe për familjet e tyre,” shkruante në rrjetet sociale fermeri Dashamir Çela, duke paraprirë protestën.
“Bojkotoni ushqimin serb!”, “Formalizoni tregun e bulmetit!”, “Nuk duam të emigrojmë!” ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit në duar. Sapo u mblodhën përpara ministrisë, ata kërkuan që ministri Andis Salla të zbriste për një takim me ta.
Salla iu përgjigj pozitivisht, ngjashëm si dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, të cilët kërkuan një takim me një grup përfaqësues prej dhjetë personash.
Syria Metushi tha për Citizens se fermerët nuk mund të trajtohen më si një kategori e paarsimuar, të cilëve u thuhet se nuk dinë as si të aplikojnë për skema mbështetjeje.
“Javën që shkoi isha në Itali dhe nafta për bujqësinë ishte 70 cent, ndërsa këtu është 230 lekë. Me çfarë do paguajmë më ne?” u shpreh i revoltuar ai.
Blegtori Elton Ndoni theksoi se pritja për skemën e bujqësisë tashmë është bërë e përvitshme dhe është humbur besimi se ajo mund të realizohet edhe për këtë sezon.
Ndërsa fermerët pensionistë u shprehën se e kanë të pamundur të vazhdojnë aktivitetin, pasi fitimet e tyre janë thuajse zero për shkak të çmimeve aktuale në vend.
“Ka qenë 80 lekë, tani ka rënë në 50 lekë litri i qumështit. Nafta është rritur shumë. Pensionet janë shumë të ulëta. Çfarë pensioni kam? 170 mijë lekë marr,” tha Shefqet Gjura për Citizens.
Në fund të takimit me përfaqësues të institucioneve, fermerët u shprehën se Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave kanë premtuar se do të rishikojnë një pjesë të kërkesave për subvencione.
“Të shohim nëse do të vlerësohen për krerë apo për litër, që të jemi në përputhje me direktivat e BE-së,” tha pas takimit Klajdi Myzaferaj.
Gjithashtu, ai shtoi se është diskutuar që produkteve të qumështit dhe nënprodukteve të tij t’u vendoset etiketë dhe të specifikohet nëse janë vendase apo të importuara.
“Folëm edhe për rivendosjen e taksave për vajin e palmës, hirrën e djathit dhe qumështin pluhur,” përmbylli fermeri Myzaferaj.
Fermerët theksuan se, nëse këto premtime do të mbeten vetëm në letër, do të përshkallëzojnë protestën dhe herën tjetër do të nxjerrin bagëtitë përpara ministrive.
Lexoni gjithashtu:

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.