Gjatë historisë, gratë në Shqipëri kanë luftuar për një shoqëri ku zëri t’i dëgjohet, trupat e tyre të jenë të lirë dhe e ardhmja të mos diktohet nga të tjerët.
Disa nuk ia dolën, të tjera u përballën me vështirësi, shumë luftuan të vetme, pa e ditur se po krijonin “Rrënjët e Rezistencës”.
Këto beteja nuk kanë qenë gjithnjë të dukshme. Gratë ende po luftojnë për të fituar hapësirë, liri dhe barazi, çdo ditë.
Feminizmi në Shqipëri nuk ka ndjekur valët globale. Historia e vendit ka diktuar rrugën e lëvizjes feministe, por gratë kanë luftuar, shpesh pa emër, për të drejtat e tyre.
“Në qoftë se ne do ta datojmë si protestë e parë, ka qenë në ’91, ka qenë një grup i madh grash para shtëpisë së Ramiz Alisë, kërkuam bukë dhe të drejta për fëmijët. Kjo është e padokumentuar, s’kemi asnjë foto. Ka qenë shumë e bukur, ka qenë shumë e fortë, ka qenë shumë spontane.”
– Sevim Arbana, Shoqata në Dobi të Gruas.
Gjatë viteve ’60-’80, bota përjetoi valën e dytë të feminizmit dhe revolucionit seksual, ndërsa Shqipëria mbetej e mbyllur nën diktaturën e Enver Hoxhës, me pak hapësira për liri dhe zhvillim për gratë.
Me rënien e diktaturës në vitet ’90, sfidat për gratë u thelluan më tej. Dhuna dhe trafikimi për shfrytëzim seksual u kthyen në plagë të rënda të shoqërisë shqiptare.
Mes kaosit shoqëror, lulëzuan organizimet e para në mbrojtje të grave. “Vatra” në Vlorë ishte ndër të parat qendra që ngriti zërin kundër trafikimit, në përpjekje për t’i dhënë fund këtij abuzimi sistematik.
“Në vitin 1997, në fakt, Vlora ishte qytet port dhe ishte vendi më i madh apo qyteti më i madh, porti më i madh nga i cili vajzat dhe gratë filluan që të kalonin kufirin nëpërmjet detit me gomone nga Vlora drejt Italisë si pika jonë më e afërt me detin. Gjatë atyre viteve, një numër shumë i madh, i konsiderueshëm, vajzash dhe grash kryesisht të reja transportoheshin dhe kontrabandoheshin me qëllim seksual nga Shqipëria drejt Italisë, por edhe drejt vendeve të tjera evropiane nga rrjete të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat ishin shpesh herë të organizuara dhe shpesh herë jo të organizuara.”
– Xhesila Murati, Vatra.
Në vitet e fundit, Shqipëria ka bërë disa hapa në drejtim të formimit të një lëvizjeje feministe, duke e sjellë këtë term në sferën publike. Vetëdija për çështjet gjinore po rritet dhe zërat që thërrasin kundër patriarkatit po bëhen më të fortë.
Thirrjet për barazi përplasen në terrenin e ashpër të një shoqërie që mbetet e ngurtë ndaj ndryshimit. Gratë që kërkojnë liri përballen me paragjykime, etiketohen si “të rrezikshme” ose “radikale”. E megjithatë, çdo shoqëri ka të guximshmet e saj që e shtyjnë përpara këtë luftë.
Feminizmi dhe ndjenja e revoltës që ndjejnë këto gra të guximshme ka rrënjë të thella, shpesh që nga fazat më të hershme të jetës.
Përvoja e tyre me normat tradicionale, pritshmëritë shoqërore dhe sfidat personale shpesh i kanë shtyrë drejt një përballjeje të pashmangshme me padrejtësinë gjinore.
Në Shqipëri, të jesh grua do të thotë të përballesh çdo ditë me këto sfida, dhe për shumë nga këto gra, të jesh feministe nuk është zgjedhje, por një domosdoshmëri.
Nëpërmjet përvojave, secila ka kuptuar ngadalë që rruga drejt lirisë dhe barazisë është ajo ku gjejnë përkatësi.
“Mbaj mend që në vitet ’90, kur unë kam qenë adoleshente, gjithmonë kemi pasur këtë syrin e tjetrit mbi ne, i cili gjithmonë na ndrydhte në çdo gjë që ne bënim… ishte një sy gjykues, një sy ngrirës, i cili na bënte të ndiheshim sikur kishim rreth trupit tonë, rreth vetes sonë, një lloj faji, një lloj gabimi në çdo gjë, në të gjithë ekzistencën tonë. Unë kam qenë një fëmijë shumë i urtë dhe i ndrojtur, dhe pastaj në adoleshencën time pata një shpërthim kundrejt të gjitha ‘Jo-ve’ që më thuheshin… Në atë kohë, po themi diku nga mosha 14 deri në mosha 18, ka qenë një luftë konstante me familjen… ata ishin të shqetësuar dhe kishin merak për këtë gjënë, nga ana tjetër unë shpërtheja dhe nuk duroja, doja të dilja, doja të ikja në vende të ndryshme.”
– Rea Nepravishta, Kolektivi Feminist.
“Mbaj mend që kur kam qenë në moshën 20-vjeçare, kur shkoja për në punë, ishte një burrë që gjithmonë më thoshte mëngjes për mëngjes: ‘Pederaste, pederaste, pederaste!’ çdo ditë. Një ditë i thashë: ‘Nëse do të më thërrasësh me një fjalë, të paktën më thërrit me emrin që është për gratë si puna ime; më thuaj lezbike.’ Dhe, në fakt, nuk më thërriste më asnjë lloj termi kur kaloja në të njëjtin vend. Edhe mungesa e gjuhës për të përshkruar ato pjesë të identitetit tim si vajzë ishte inekzistente në ato vite… Por ne e dimë shumë mirë se sa e rëndësishme është gjuha për të identifikuar veten.”
– Xheni Karaj, Kolektivi Feminist dhe Aleanca LGBT.
“Mbaj mend që po lexoja një libër për fëmijë dhe ishte një pjesë që fliste për Kanunin, ku përshkruhej se gruaja është për të punuar, nuk duhet të ngrejë zërin, nuk ka asnjë vlerë. Ishte hasja ime e parë me mizogjininë aq ashiqare, e zezë mbi të bardhë. Fillova të qaj dhe i shkova mamit, dhe kur i tregova, më tha: ‘Po ç’ke mi mami, se nuk e kanë për mua.’ Por kjo nuk më ngushëlloi, sepse unë e kuptoja që nëse e thonë këtë për një grua, e thonë për të gjitha gratë, për mamin tim, për mua, për të gjitha gratë që unë doja.”
– Patris Pustina, Kolektivi Feminist.
“Mbaj mend që kur unë kam pasur menstruacionet e para, e kam mbajtur të fshehur për të paktën dy vite, sepse në logjikën time lidhej me rrugëtimin drejt të qenit grua. Mendoja që do ndryshoja, nuk do mund të ndiqja studimet dhe mund të martohesha, duke u larguar nga kjo vatër ku përpiqesha të gjeja vendin tim. E gjithë kjo situatë ishte një kryengritje kundër autoritetit dhe bindjeve apriori që nuk dija ende si t’i lundroja.”
– Liri Kuçi, Revista “Shota”.
Kolektivit Feminist është një iniciativë e lindur nga revolta e vajzave, në një shoqëri ku femicidi dhe dhuna mbeten një plagë e hapur, një hapësirë luftohet për ta sfiduar këtë sistem, për të shembur strukturat e dëmshme që pengojnë lirinë dhe dinjitetin e grave.
“Kolektivi është një grupim vajzash dhe grash, informal, pra nuk është një organizatë nuk ka një lider aty jemi të gjithë të barabartë dhe zëri i secilës dëgjohet, është një grupim që ka nisur përmes aksioneve të natës, siç e thashë për të sjellë një aktivizëm pak më ndryshe dhe pak më radikal. Por edhe për ne që jemi aktivist edhe në lëvizje të tjera për të tejkaluar pak këto limitet e aktivizmit të institucionalizuar tashmë. është një grupim që i jep mundësinë çdo vajzë dhe gruaje që të vijë aty të bashkohet sa herë do, kur do, nuk është me detyrim pjesëmarrja në mbledhjet që ne bëjmë dhe të ndihet vetja dhe të ketë dhe një hapësirë të sigurt, ku të vijë si grua dhe si vajzë, të ndajë shqetësimet e veta, sepse jo gjithmonë bëjmë aksione ose protesta gjatë gjithë kohës. Ndonjëherë kemi thjesht nevojë të mblidhemi me njëra tjetrën, të shpresim zemërimin tonë, të lexojmë një libër, të qajmë hallet siç i themi në gjuhën popullore dhe të krijojmë një hapësirë të sigurt për njëra tjetrën.”
– Xheni Karaj, Kolektivi Feminist dhe Aleanca LGBT.
“Kolektivi është një grup informal, ka qenë një formë hapësire lirie ku secilit i është dhënë mundësia të bëjë çfarë të dojë, pa detyrime të caktuara. Kjo ka qenë qëllimshme – të krijojmë një hapësirë të lirë për vajzat dhe gratë që ndihen të sigurta të shprehen, ku të gjithë jemi të barabartë dhe zëri i secilës dëgjohet. Është një sistem i hapur, me prurje të reja çdo vit, që përfaqëson për mua një miniaturë të asaj çfarë është anarkia: një ideologji me sfidat e veta, por një hapësirë e lirë për njerëzit të shprehin veten dhe të kontribuojnë aq sa munden.”
– Rea Nepravishta, Kolektivi Feminist.
8 Marsi shenjon protestat e grave punëtore në fillim të shekullit XX dhe u shpall zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara në vitin 1977, si dita ndërkombëtare e Grave.
Kjo datë përkujton sakrificat dhe përpjekjet e vazhdueshme të grave për të drejta të barabarta dhe një trajtim të drejtë në shoqëri.
Në Shqipëri, për vite të tëra, 8 Marsi shënohej si një festë tradicionale, ku gratë merrnin lule dhe urime, pa adresuar çështjet reale të pabarazisë dhe të dhunës me bazë gjinore.
Vitet e fundit, lëvizja feministe po lufton ta kthejë 8 marsin në një ditë për veprim dhe reflektim, një ditë kur gratë dalin në rrugë për të kërkuar barazi, drejtësi dhe siguri.
“Protesta e parë masive që unë mbaj mend, mund të ketë pas dhe të tjera se tani duhet më u kthyer pak mbrapa në kohë por protesta e parë masive që unë mbaj mend është në vitin 2018 ka qenë një rast femicidi ku ne të gjithë aktivistet por dhe pjesa tjetër e protestuesve vendosëm që të visheshim me të zeza, mbaj mend që dhe posterat i kemi pasur postera të zinj me shkrim të bardhë. Dhe një nga gjërat më të bukura ishte fakti që u bëmë bashkë shumë grupime, nuk ishte një grupim i vetëm por grupime të ndryshme dhe jo vetëm organizata për mbrojtjen e grave dhe aktiviste por dhe shumë lëvizje të tjera, dhe qytetarë, për individë që ju bashkuan protestës, dhe pas kësaj proteste të parë pam që pati një rritje të ndërgjegjësimit, dhe një rritje të numrit të personave që u bashkuan me ne në protestat të ndryshme dhe mendoj që kjo vjen edhe si rrjedhojë e ndërgjegjësimit të vajzave dhe grave mbi rëndësinë e feminzimit dhe ndërgjegjësimit më tepër mbi vet fjalën dhe atë çka mbart të qenurit feminist.”
– Xheni Karaj, Kolektivi Feminist dhe Aleanca LGBT.
“Sa i përket 8 Marsit tema këtë vit ishte siguria, sepose kemi parë gjatë gjithë vitit një rritje nuk e di a mund të themi rritje se duhet me pa shifrat por edhe nëse nuk kemi rritje fakti që kemi gra që vriten që përdhunohen, që abuzohen, kemi dhe nga këto, vitin e fundit pamë dhe ca çudira, njëri që kishte vënë sistem kamerash për të monitoruar gruan, domethënë mbetemi të siguria sepse për sa kohë nuk është adresuar kjo është nevoja më bazike.”
– Patris Pustina, Kolektivi Feminist.
Aksionet dhe protestat janë thirrje që shtrihet përtej 8 Marsit, si zëraqë thërrasin për të sjellë kujtesën e grave të humbura, të grave që shpesh shoqëria i numëron por nuk i kujton.
“Kemi bërë një aksion që për mua ishte ndër më të bukurit jo nga pjesa vizuale, por nga mesazhi që dha: zëvendësimi i emrave të rrugëve me emrat e grave të vrara… Në rastet e femicidit, gratë trajtohen si numra. Kur një grua vritet, nuk shohim se nënën apo vajzën që ajo ishte; e zhveshim nga humania, nga identiteti i saj. Shoqëria kujdeset të mos lëndohen vet njerëzit, pa menduar për dramat që familjet përjetojnë apo për humbjen e këtyre grave, thjesht sepse janë parë si prona dhe janë vrarë pa frikë për pasojat.”
– Xheni Karaj, Kolektivi Feminist dhe Aleanca LGBT.
Në qytetet e vogla të Shqipërisë, aty ku patriarkalizmi është më i ashpër dhe ku zëri i gruas shpesh mbetet i heshtur, dhuna dhe femicidi ndodhin me një frekuencë tronditëse.
Një moment që shënoi këtë angazhim ishte përdhunimi i një vajze 15-vjeçare nga roja i shkollës në Rrëshen, një ngjarje që tronditi vendin. Aktivistet shkuan në qytetin e saj, për të treguar mbështetje dhe për të përcjellë një mesazh të fortë: asnjë grua dhe vajzë nuk është e vetme.
“Mbaj mend në Rrëshen kemi shënjuar në verën e vitit 2019 protestat e para të cilat u përhapën nëpër të gjithë Shqipërinë.”
– Liri Kuçi, Revista “Shota”.
“Po, në protestën e Rrëshenit ka pasur shumë mbështetje nga qyteti, ka qenë shumë prekëse në fakt edhe bile një moment ka pasur edhe familjarë të asaj vajzës që dolën dhe ju bashkuan protestës ishte shumë bukur edhe shumë prekëse do të thosha në kuptimin që si qyteti u përfshi te protesta, ka pasur protesta në Elbasan, kemi pasur protesta në Librazhd edhe pse nuk ishte e madhe në numër por ishte simbolike për të dhënë 2-3 mesazhe, për vajzën e Librazhdit që u linçua dhe që u denigrua duke u mbajtur 4 orë nga familjarët etj.-etj.”
– Rea Nepravishta, Kolektivi Feminist.
“Mendoj që përveç Tiranës për ta mos qendërzuar lëvizjen vetëm brenda qytetit të Tiranës ku ndodh pjesa më e madhe e eventeve është shumë e rëndësishme dhe organizimi jashtë Tiranës. Për këtë arsye në disa prej rasteve në si Kolektiv por edhe organizatat e grave dhe individ të ndryshëm kanë investuar që në momente të ndryshme kur ka pasur ngjarje shumë të renda siç ishte ngjarja e përdhunimit të një vajzë në qytetin e Rrëshenit të organizoheshim dhe të shkojmë atje duke e ditur dhe sa e vështirë është për personat që jetojnë aty sidomos për vajzat dhe gratë që të organizohen dhe ngrihen. Në këtë rast ne u bëmë një grup i madh prej Tiranës ku shkuam dhe një nga gjërat që mua më ka mbetur më së tepërmi në mendje është momenti kur gra nga ballkonet e shtëpive të tyre ishin të prekura nga protesta dhe nga thirrjet që ne po bënim, disa madje dhe ju bashkuan protestës dhe për herë të parë patëm faktikisht dhe një burrë që mori fjalën dhe fjalimi i tij për mua ka qenë një ndër fjalimet më të forta dhe emocionuese. Shpresat për një shoqëri më të drejtë po marrin jetë në formën e zëra të rinj që i bashkohen kauzës çdo vit.”
– Xheni Karaj, Kolektivi Feminist dhe Aleanca LGBT.
Jesmina është studente e Fakultetit të Shkencave Sociale, ku është krijuar një grup i ri diskutimi mbi fenomenin e Femicidit.
“Grupimet feminsite që unë bëj pjesë, se pari njëherë është grupi ynë që kemi krijuar bashkë me Sidorelën për pjesën e pra kemi krijuar një lëvizje qytetare kundër fenomenit të femicidit. Ndërkohë pastaj nga Janari i jam bashkuar edhe Kolektivit Feminist. Megjithatë ajo që unë mendoj që ësht shumë e rëndësishme është që qytetarët pavarësisht nëse bëhen apo jo pjesë e grupimeve të caktuara të ruajnë një lloj sensi të angazhimit në raport me këto çështje që do të thotë në momentin që ju e shikoni q ka ndodhur një rast, ju lutem flisni me familjarët tuaj, me njerëzit që keni më afër dhe mos lejoni që mendime të caktuara të kristalizohen në një mënyrë shumë problematike që nga ana tjetër dëmtojnë jetë njerëzish. Aty pastaj kur ju e shikoni që keni edhe besueshmëri dhe vlerësim për atë grupe unë sugjeroj shumë që ata të bashkohen dhe të kenë mundësi pastaj nga ana tjetër që dëshirën ta kthejnë nga një thjesht një mendim pozitiv në raport me kauzën ta kthejnë pastaj në një gjë që është edhe me produktive, pra të vijnë të angazhohen në zhvillimin e diskutimeve në raport për shembull me femicidin sikurse kemi pasur mundësi që të bëjmë me grupin e qytetarëve kundër femicidit.”
– Jesmina Sengla, studente.
Në këtë rrugë ato nuk janë vetëm, lëvizja ka krijuar një lidhje mes brezave ku më të rinjtë mbështeten nga gratë që e filluan aktivizmin në vitet 90’
“Janë shumë të suksesshme, domethënë këto ambientet e studentëve mua më pëlqejnë shumë universitet publike, më duken studentët shumë të interesuar, shumë të përgatitur, shumë qytetarë, kanë marrë pjesë në diskutime dhe ajo që ka qenë dhe është pozitive është gjinia mashkullore djemtë studentë, sepse ‘Ok!’ ne vajzat dhe gratë i kemi aleate dhe kjo është çudia shumë e madhe sepse hasim një mentaliteti shumë përparimtar të të rinjve, sidomos flas për studentët e universiteteve ku ne e kemi shfaqur.”
– Sevim Arbana, Shoqata në Dobi të Gruas.
“Unë mendoj që shoh një ditë shprese gjatë këtyre viteve, thashë edhe protesta e 8 Marsit vazhdon të marrë më tepër identitet, të ketë më tepë pjesëmarrje, të ketë më shumë vajza të përfshira në organizimin e saj, që gjatë këtij viti kanë punuar të gjitha me shpirt, kanë dhënë shpirtin për organizimin e një dite proteste. Mendoj që ndërgjegjësimi për shtypjen që kemi, që hasim, për të drejtat që na mohohen, po rritet gjithmonë e më shumë sidomos te brezi i ri. Nevoja për organizmin dhe nevoja për të bërë diçka, për t’i ndryshuar gjërat e shoh që është gjithmonë e më në rritje, sidomos tek brezi i ri.”
– Xheni Karaj, Kolektivi Feminist dhe Aleanca LGBT.
“Unë besoj ndonjëherë më shumë tek lëvizjet që nisin nga themeli dhe më pas rezonojnë lart, kështu që mendoj që tashmë kemi grupe feminsite nëpër universitete që drejtohet nga goca shumë të guximshme, shumë të mençura, kemi grupe fmeinsite që janë më pranë lëvizjes së mbrojtjes së natyrës, kemi aktiviste feminsite rome të jashtëzakonshme shumë aktiviste të përgatitura, kemi aktivsite brenda komunitetit të grave lezike, biskesuale, transgjinore, që po bëhen gjithmonë e më të zëshme, pra gjithë kjo larmishmëria por edhe ndërthurja e kauzave, pra edhe të bërit bashkë të kauzave, mendoj që po rezonon dhe do rezonojë pozitivisht dhe do e multiplikojë këtë lëvizjen feministe, do e pasurojë më tepër lëvizjen feminsite dhe do na japë dhe në të gjithëve më shumë shpresë për një të ardhme më të mirë.”
– Xheni Karaj, Kolektivi Feminist dhe Aleanca LGBT.
Në çdo gjeneratë disa zëra ngrihen për të ndryshuar të ardhmen. Në Shqipëri, Lëvizja Feministe nuk ka rreshtur së luftuari edhe në vështirësitë më të mëdha.
Nga hapat e para të grave që guxuan të ngrenë zërin, tek vajzat e sotme që marshojnë në rrugë për një jetë pa frikë. Lëvizja po shndërrohet në një trashëgimi shprese dhe guximi.
Çdo mur i lyer me një mesazh revolte, çdo protestë që thërret drejtësi është një hap drejt së ardhmes ku çdo grua dhe vajzë të jetojë e lirë. Ky është një fillim, beteja i takon secilit çdo ditë.